Heshtja e Ramës diçka më thotë

Heshtja e Ramës diçka më thotë

Nga Alfred Lela - 07/02/2024

Kur pyeta një amerikan, rezident në Shqipëri se, ç’mendon për intervistën e Ahmetajt, mu përgjigj me një kundrapyetje: Çfarë do të kishte ndodhur në Amerikë nëse, ta zëmë, Nancy Pelosi ose Kamala Harris do të kishin ikur, le të themi në Singapor, dhe prej aty të lëshonin akuza të forta kundër presidentit Biden?

Të paktën një impeachment kundër Biden dhe, më e pakta fare, një reagim i Presidentit, dhe shumë të tjerëve në departamentet e qeverisë amerikane.

Por, nuk jemi në Amerikë dhe nuk ka ndodhur asgjë e tillë.

Komunikimi publik mban si aksiomatike tezën se, në raste krizash apo akuzash, nëse nuk reagon, edhe nëse nuk je fajtor je duke e marrë përsipër fajësinë. Në këto kushte, a është fajtor Rama, apo duke zgjedhur të mos reagojë, ngase nuk e njeh komunikimin publik!?, po merr përsipër një faj që nuk e ka?

Që të jemi praktikë deri në fund faji është i dyllojtë. Faji për aktin që ke kryer në kundërshtim me rregullat apo ligjet, dhe faji në të cilin je aktor i dorës së dytë apo tretë, pra bashkëfajtor, aksesor etj. Ka edhe një lloj të tretë faji, që njihet si fajtor nëpërmjet bashkëshoqërimit apo, në anglisht guilt by association.

Pra, Rama nuk ka faj, por thjesht shoqëria me Arben Ahmetajn e fut në faj.

Nëse ka nga ata që, për të shfajësuar Ramën zgjedhin këtë pistë të tretë, do të kundërshtohen nga logjika.

Së pari, sepse aktori i madh në këtë bashkëshoqërim nuk është Ahmetaj, por Rama. Është ky i dyti shefi i të parit dhe kryeministër i vendit. Pra, në çdo rast është Rama që mund të akuzohet si për faj, si për bashkëfajësi. Faji merr kuptim prej fuqisë apo pafuqisë. Në dyshen e ushtrimit tonë, Rama-Ahmetaj, është kryeministri që e ka fuqinë dhe e ushtron pushtetin, jo e kundërta.

Së dyti, edhe në rastin kur Ahmetaj mund të ketë ngrënë dardha pas shpinës së tij, Rama ka përgjegjësinë publike që të ndahet prej zëvendësit të tij. Do të thotë e shkarkon dhe në të njëjtën kohë shpall edhe arsyen e shkarkimit. Fakti që nuk e bëri i ka dhënë mundësinë z. Ahmetaj të plotësojë narrativën publike me tezën e tij se e larguan për ta bërë kokë turku (dhe dy duar për një krye janë). Përpjekja e Ramës për ta ndarë qeverisjen e tij nga Ahmetaj, duke lënë SPAK ta veçojë si mollën e kalbur në pirgun si kokrra e mollës të qeverisë, do të kishte funksionuar nëse ish-zëvendësi i tij do ta kishte ulur kokën para dënimit. Këtë nuk kishte llogaritur Rama. Përndryshe do ta shpallte fajtor që në fillim, duke e shkarkuar për korrupsion dhe duke e flakur në kthetrat e SPAK. Skema që Ahmetaj të bëhej kurban dhe të pranonte të shkonte në të s’ëmës për partinë i kishte funksionuar me Sajmir Tahirin, me Alqi Bllakon apo Taulant Tushën. Me sa duket, një gjirokastriti si Ahmetaj nuk mund t’i hahen gorica pas shpine.

Këto janë arsyet pse Rama hesht. Së pari, sepse i ka konsumuar lëvizjet në prapaskenë dhe nuk i ka mbetur më asgjë për skenën. Po të kishte zgjedhur pistën e parë, ta shkarkonte për korrupsion, ai do të kishte folur me aktin dhe do të fitonte të drejtën e heshtjes.

Por, ka edhe një arsye të dytë. Rama është i detyruar të heshtë, sepse Ahmetaj e ka detyruar. Nëse Rama flet, i jep të drejtë Ahmetajt të flasë edhe më shumë. Nëse Rama flet është duke regjistruar material falas për shërbimet inteligjente që përmendi Ahmetaj.

Kështuqë, kryeministrit dhe të tijve, u intereson të heshtin. Të paktën deri të dielën kur PS mbledh Asamblenë dhe dikujt, askujt më shumë se Ramës, i takon të thotë diçka. Qoftë një përsëdytje kërcënimi për ata që prishin unitetitn, që shkofshin në të s’ëmës, qafirët!

Janë disa ditë parapërgatitje për të thyer heshtjen e zhurmës që shkaktoi intervista e ish-zv/kryeministrit. Në mos për të folur me fjalë të paktën me akte. Për shembull duke gjetur një kokë turku, që zë vendin e kokës, tashmë zvicerane, tashmë neutrale, tashmë orë që nuk gabon në numërimin e fundit, të Arben Ahmetajt.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco