Si të mbrohesh nga 'McGonigali' i radhës?

Si të mbrohesh nga 'McGonigali' i radhës?

Nga Gent Strazimiri - 25/01/2024

(Këshilla praktike)

Të jesh i bindur që do të ketë edhe të tjerë!

Pas dy "McGonigalëve" të FBI-së, do të ketë një të tretë, një të katërt e kështu me radhë, derisa të na vijnë mendtë...

Jo domosdoshmërisht është amerikan, jo domosdoshmërisht mashkull, jo domosdoshmërisht njeri shërbimesh, por gjithmonë është "ndërkombëtar"!

Pse?

Sepse këtu, është vetë vendi, je ti vetë që, të qenit "ndërkombëtar" e bën natyrshëm biznes shumë lukrativ.

Gjithmonë ka pamje "esnafi"! I zgjedhin për të qenë të tillë ... e do "zanati".

Zakonisht, e nis bisedën me "sa shumë i do shqiptarët dhe Shqipërinë" dhe jo domosdoshmërisht gënjen, sidomos kur flet për bukuritë e vendit apo sa mirë e presin kudo ku shkon, aq sa ndjehet si "rock star", "celebrity"... dmth si i pikuari nga qielli...

Pas kësaj, fillon e flet për përparimet që sheh dhe sa i mrekulluar është nga ekonomia e shëndetëshme, demokracia e fortë, drejtësia e drejtë, zhvillimi në përgjithësi, pavarësisht se sa keq është situata.

E bën me një lehtësi naive dhe pasion e buzëqeshje fëminore, por kujdes: vetëm naiv nuk është.

Nëse e ke vënë re, zakonisht e përdorin kur situata është edhe më keq se keq!

Kur skandali është edhe më i madh se vetë koncepti i skandalit, madje aq shumë, sa askush nga të paguarit e zakonshëm nuk është më në gjendje ta relativizojë zullumin...

Atëhere nxjerrin ATË, "McGonigalin" e radhës!!!

Dita në të cilën ndodh, është një ditë e zakonëshme shqiptare!

Një ditë në të cilën që në mëngjes kur ke dalë nga shtëpia, ende përgjumësh, i ke paguar 90 mijë eurot e përditëshme "inceneratorëve" që nuk ekzistojnë!

Njëkohësisht i ke paguar 80 mijë dollarët ditore të qerasë dy anijeve "energjetike" nga Bangladeshi të ankoruara në Vlorë, por që energji nuk prodhojnë... Kjo sa për fillim...

Të dyjave më sipër nuk u dihen as pronarët por, ti paret i paguan çdo ditë, para kafes së mëngjesit, tek e njëjta llogari që SPAK-u nuk e gjen dot se kujt i përket...?!

Përgjithësisht, menjëherë pasi ke mbaruar "të shenjtën" kafe në "Shenjtërisë së Saj" kafene, në televizion të nxjerrin atë, "McGonigalin" e radhës...

Ta nxjerrin, pikërisht në krah të zullumqarit të ditës, atij më të ziut, më të pambrojtshmit...

E nxjerrin pikërisht që të të tregojë "ndërkombëtarisht" se sa i mirë, sa i mrekullueshëm, është zullumqari në fjalë, se sa zili na e ka bota, sa me fat je ti që e ke, e sa fatkeqë janë ata që nuk kanë, duke nisur nga ai vetë...

Sa më shumë flet, aq më shumë e kanë paguar!

Sa më gjatë të ketë udhëtuar, aq më shumë ka marrë si shpërblim që të të tregojë ty sa i lumtur duhet të jesh...

Sa më me zell flet, aq më shumë na ka kushtuar... sepse ti e di që paratë për të paguar "McGonigalin" e radhës ti marrin ty dhe mua...njësoj si paret e inceneratorëve dhe anijeve të ankoruara në Vlorë...

Dhe në fund, sa më i madh zullumi, sa më i pambrojtshëm zullumqari, sa më evident fakti i zullumit, aq më shumë rritet shifra që na ka kushtuar...

Po pse "ecën" vetëm tek ne ky biznes "McGonigalësh"?

Sepse ti e identifikon "McGonigalin" me "Amerikën", tek e cila nuk duron të ta prekin, dhe bën mirë!

Por ti vazhdon dhe e identifikon "McGonigalin" e radhës me "Amerikën" edhe kur Amerika vetë e ka arrestuar, e ka dënuar, e ka përzënë nga radhët e administratës me turp!

Madje "McGonigalin" tënd, Amerika e ka dënuar të paktën dy a tri herë radhazi, me secilin nga emrat që ta kanë paraqitur ata që ta sjellin sërish, e sërish!

Së fundmi, e ka dënuar dhe vazhdon ta dënojë edhe me emrin McGonigal, edhe me emrin Marc Rossini, apo në daç edhe me emrin Manuel Rocha që ka "mcgonigalizuar" në Bolivi e Meksikë... dhe ti e di!

Pavarësisht nga pasaporta apo edhe nga pozicioni burokratik që mban, nëse ka simptomat që të përshkrova më sipër, ai është thjesht një keqbërës!

Ai është anti-amerikani, anti-euroatlantiku, anti-demokratiku, i shitur tek këta keqëbërës që të sundojnë!

Në pazarin me këta, gjëja e parë që ka bërë është shitja e vendit të tij të bekuar, të atij që ti e ke idhull, "Amerikën" a "Evropën";
ato vendet ku liria ka ngritur kështjellën e saj, me pak fjalë.

"McGonigal" do vazhdojë biznesin e tij prej keqbërësi në kurrizin tënd dhe të vendit të tij të bekuar, nëse ti nuk e shquan sapo ai hap gojën, e nuk i kthen xhevapin siç e meriton!

Duhet ta bësh për të mbrojtur veten dhe Amerikën, ëndrrën tënde tek e cila duhet të vazhdosh të besosh, e të cilën duhet ta kesh yll polar njësoj si atëhere kur këta, "të mrekullueshmit" e McGonigalit, të merrnin jetën kur Amerikën vetëm se e kishe menduar...

Bëje dhe, përveçse do shpëtosh veten e vendin tënd, njëkohësisht do të jesh vërtetë i denjë për t'u respektuar si pro-amerikan, së pari e mbi të gjitha nga amerikanët dhe Amerika që aq shumë e do!

KAQ!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco