Berisha është i rrezikshëm se po ngre opozitën kundër regjimit të Ramës

Berisha është i rrezikshëm se po ngre opozitën kundër regjimit të Ramës

Nga Oerd Bylykbashi - 30/12/2023

Sali Berisha sot nuk është formalisht i akuzuar, por megjithatë e arrestuan.

Martin Nimoeller, nëse do ta ribënte perlën e tij me titull “Në fillim ata erdhën”, do të shkruante:

“Në fillim erdhën për liderin e opozitës, por unë nuk fola se ai nuk më pëlqente.

Më pas erdhën për opozitën, por nuk fola se isha pa parti.

Kur erdhën për mua, nuk kishte mbetur më kush të fliste.”

SPAK thotë vetë se për Sali Berishën kanë vetëm dyshime të arsyeshme. Por dyshimi i arsyeshëm është në favor të personit nën hetim e jo të SPAK. Sot SPAK dhe GjKKO janë nën dyshimin e arsyeshëm se janë armë politike kundër opozitës.

Nuk kanë ende prova për akuzën që i bëjnë Sali Berishës. Kanë vetëm dyshimin e arsyeshëm se ka miratuar ligje dhe VKM në favor të dhëndrit të tij, trashëgimtar i një prej familjeve të mëdha pronare në Tiranë. Nëse prova të SPAK janë:

- Ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave në fuqi nga 1993-2015 dhe vendimet e miratuara nga qeveria e Sali Berishes në zbatim të ligjit;

- 53.775 vendime ne favor të 42.545 subjekteve pronare që u ishin marrë pronat nga regjimi kriminal komunist që sot e trashëgon PS (Familja Begeja ku dhëndri i Sali Berishës është vetëm një prej 64 trashegimtarëve të vetëm një prej 42.545 familjeve pronare që përfituan nga aktet e Sali Berishës);

- 101.600 hektarë (troje, tokë bujqësore, pyje, kullotë, etj) të njohura e të kthyera fizikisht pronarëve legjitimë;

- 56.140 hektarë të njohura për kompensim;

- 2.903 objekte të njohura e të kthyera tek

pronarët;

-3.341 prona shtetërore të ndërtuara mbi troje të pronarëve të shpronësuar nga komunizmi, për t’u privatizuar me të drejtë parablerje nga pronarët që rifituan pronësinë;

dhe të gjitha këto nga 1993-2012, atëherë Sali Berisha po akuzohet se ka qeverisur sipas programit të tij politik të votuar nga zgjedhësit. Praktikisht nën akuzë është vota e lirë dhe drejtësi më komuniste se kaq, nuk ka!

Sigurisht duhej të bënte më shumë, por SPAK dhe GjKKO po e akuzojnë Sali Berishën se të gjitha këto i paska bërë që të fshehë qëllimin për t’i kthyer disa qindra metra katrorë dhëndrit të tij.

Po e akuzojnë se ndërtuesi (korruptuesi aktiv) që ishte pronar i vjetër në të njëjtën pronë, ka korruptur dhëndrin e Sali Berishës (të korruptuarin pasiv) që t’i mbushte mendjen vjehrrit të tij kryeministër, që ky i fundit t’i mbushte mendjen Edi Ramës, kryetar i PS dhe i Bashkisë Tiranë, kryekundërshtari politik i Sali Berishës, që ai, Edi Rama, t’i ndërronte me firmën e tij destinacionin e truallit nga terren sportiv në truall ndërtimi dhe të jepte edhe lejen ndërtimit. Pra me firmën e Ramës të zhvillonin pronën e të bënin para.

Këtu këputet fija e logjikës së SPAK dhe GjKKO. Të arrish në këtë konkluzion duhet ose budallallëk ose maskarallëk, por nuk ka asnjë provë për të parën. Është maskarallëk politik i pastër.

Epo, pavarësisht kësaj, Sali Berisha sot është nën masën e arrestit në shtëpi, me urdhërin të mos komunikojë me asnjë përveç familjarëve.

Sali Berisha është kryetar i PD dhe lider i opozitës. Sot Edi Rama, me dorën e SPAK dhe çekiçin e një gjyqtareje që me bindje ka shkelur disa here kushtetutën, po përpiqet të mos lejojë opozitën të luftojë regjimin e tij.

Si rregull dikush arrestohet se është i rrezikshëm shoqërisht. Po, Sali Berisha është i rrezikshëm sepse u ktheu e kompensoi pronat 42.545 pronarëve. Jo vetëm kaq, por mbi të gjitha është i rrezikshëm sepse po ngre opozitën kundër regjimit të Ramës.

Si rregull dikush arrestohet sepse mund të prishë provat, por ndërkohë duke nxjerrë dokumente e fakte që SPAK i ka fshehur, Sali Berisha po pasuron provat dhe për këtë po arrestohet.

Si rregull dikush arrestohet sepse mund të largohet e t’i shmanget drejtësisë, por Sali Berisha është çdo ditë në krye të Opozitës në çdo cep të Shqipërisë, e do të vazhdojë të jetë. Siç e tha nënkryetarja socialiste e Kuvendit në mbledhjen për heqjen e imunitetit, arsyeja pse duhet arrestuar është se “Sali Berisha vazhdon mobilizon njerëz e na i sjell para Kuvendit”.

Nuk mund të ketë regjim me një drejtësi të pavarur. Por në Shqipëri sot ka një regjim sepse drejtësia është kthyer në armë politike. Mediat botërore shkruajnë se edhe presidenti kinez Xi Jinping përdori antikorrupsionin si mekanizëm për të kapur pushtetin dhe sot është po aq i fuqishëm sa Mao Ce Dun.

Kjo ndodh kur drejtësia kthehet në armë politike.

Vendimi sot tregon se sistemi i drejtësisë është thellësisht i politizuar dhe duhet reformuar nga fillimi, që jo vetëm të jetë i drejtë, i pakorruptuar, i pakapur e i paanshëm, por duhet edhe të duket e ndjehet nga të gjithë njerëzit si i tillë.

Përpara se të bëhet kjo, duhet të reagojmë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco