Lart më lart, moj shoqe, flamujt e Kongresit!

Lart më lart, moj shoqe, flamujt e Kongresit!

Nga Erion Dasho - 09/12/2023

Boratët mbajtën kongresin e tyre, i cili ka nisur t’i ngjajë si dy pika uji kongreseve të qoftëlargut. Kanarinat dhe gardalinat e Boratit recituan me lëvizje dhe intonacion të njëjtë, këngët e mësuara përmendësh duke u mburrur për "fitorjet". Kësaj pjese të shfaqjes i mungonte vetëm parulla “Lart më lart, moj shoqe, flamujt e kongresit”!

Më e shpifura është se boratët dhe boratet kanë mësuar tanimë të flasin për “realitetin” që ekziston vetëm në fantazinë dhe mendjen e sëmurë të Boratit. Asnjë prej tyre nuk mori mundimin t’i përgjigjet disa pyetjeve të thjeshta, por që mundojnë çdo shqiptar:

Nëse shëndetësia lulëzon, përse si qytetarët, ashtu edhe mjekët e infermierët janë më të pakënaqurit në Europë me këtë biçim sistemi shëndetësor?!

Nëse arsimi lulëzon, përse fëmijët shqiptarë kanë të njëjtin nivel me fëmijët e Rripit të Gazës në testin e Pizës?!

Në fund, të fundit, nëse Shqipëria lulëzon, GDP-ja dyfishohet, të ardhurat nga turizmi rriten, përse po ikin shqiptarët?!

* * *

Në kongres, shqiptarët panë së fundi edhe boraten e shëndetësisë. Ndonëse pa mbushur 100 ditë në detyrë, Boratja e re e kishte mësuar mirë recitimin. Citoj në ligjëratë të drejtë:

“Shëndetësia ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm gjatë kohës së udhëheqjes së partisë socialiste dhe kryeministrit Edi Rama”!!!

Normalisht, pas citimit të kësaj shprehje çdo analizë tjetër është e kotë, por për respekt të ndjekësve të faqes po ndalem në yneret e borates së re të shëndetësisë:

Shqipëria tashmë ka një infrastrukturë spitalore moderne!

Mbi 90% e spitaleve shqiptare vazhdojnë të jenë ato të kohës së komunizmit, të ndërtuar sipas modeleve ekstensive Semashko, totalisht të papërshtatshëm për ofrimin e kujdesit shëndetësor bashkëkohor. Qeveritë e Boratit kanë ndërtuar vetëm një çerek spitali brenda mjediseve të QSUT-së, i cili është kritikuar për mungesa alarmante, sidomos përsa i takon mjediseve të mësimdhënies. Edhe spitali që ndërtoi bujarisht qeveria turke, për shkak të nxitimit të Boratit për ta ndërtuar në kohë për zgjedhjet e 2021-it, ngjan më tepër si një spital lufte.

Shqipëria tashmë ofron shëndetësi falas!

Me sa duket boratja e re ka gjetur ndonjë fjalim të fushatës elektorale të vitit 2013 dhe nuk e ka marrë vesh akoma se përralla me shëndetësinë falas është bërë objekt humori dhe tallje me qeveritë e Boratit dhe kukullat e veta të ministrisë. Shëndetësia, jo vetëm që nuk u bë falas, por u kthye në minierë ari për oligarkët e koncesioneve që vazhdojnë të mjelin edhe nga burgu paratë dhe taksat e shqiptarëve. Vetëm gjatë pandemisë së COVID-it, shqiptarët harxhuan 200 milionë EURO nga xhepi për tu kuruar, ndërsa vazhdojnë të paguajnë mbi 50% të shpenzimeve shëndetësore nga xhepi, duke e bërë Shqipërinë praktikisht një vend afrikan.

Mbulimi shëndetësor garanton shërbim të denjë për gjithë qytarët!

Varet se ku ka qenë boratja e re gjatë pandemisë, kur qytetarët liheshin të vdisnin në shtëpi ose në ambulanca, kur në spitale vdisnin 100% e të intubuarve dhe ku pacientët rripeshin nga “tiret” e rilindjes. Nuk e di ku është boratja e re sot, kur para disa ditësh fëmijëve të sëmurë me kancer nuk u sigurohej kimioterapia, apo kur pacientët e prekur nga kanceri nuk merrnin dot shërbimin jetëshpëtues të radioterapisë.

Qendrat shëndetësore si qendra sociale!

Pasi shkëlqyen me shëndetësinë, boratja e re po i projekton qendrat shëndetësore edhe si qendra sociale. Problemi më i madh është se numri i mjekëve është në rënie të lirë dhe kategoria më e prekur midis tyre janë pikërisht mjekët e familjes. Një numër i madh qendrash shëndetësore dhe ambulancash sot janë pa mjekë dhe, në këto kushte, ato mund të kthehen jo vetëm në qendra sociale, por edhe në hambarë bereqeti, haurë bagëtish, etj.

Autonomia në vitin 2027!

Vazhdon tallja me autonominë spitalore. E premtuar në vitin 2013 dhe e ripremtuar në 2017-ën dhe 2021-in, tashmë zbatimi i saj ofrohet jo më në 2025-ën kur janë edhe zgjedhjet e radhës, por në 2027-ën!!! Por ky premtim ka një tjetër implikim të cilin unë do ta diskutoj në mbyllje të statusit.

* * *

Me Boratin deri në 2030-ën!

Ajo që duhet të shqetësojë më tepër shqiptarët dhe përfaqësuesit e opozitës është slogani i kongresit: PS 2030! Boratët me sa duket e kanë ndarë mendjen t’u qëndrojnë në shpinë shqiptarëve deri në vitin 2030 e më tej!

Nëse shqiptarët do ta pranojnë këtë fakt dhe opozita do të dorëzohet para tij, kjo mbetet për t’u parë...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco