Qoftë dhe me tym blu a të kuq, zhgarravinat e piktor-kryeministrit duhen rrëzuar

Qoftë dhe me tym blu a të kuq, zhgarravinat e piktor-kryeministrit duhen rrëzuar

Nga Ndriçim Kulla - 22/11/2023

Shumë njerëz e kanë thënë që në ditën e parë kur filloi aksioni politik i opozitës në parlament, se gjithçka është parimore, gjithçka është në mbrojtje të Kushtetutës, se gjithçka është për të lejuar komisionet hetimore dhe komisionin përfaqësimor të shumicës opozitare për të  ealizuar reformën zgjedhore. Pra, për transparencë, që është parimi kryesor i kontrollit të çdo qeverie në demokraci.

Mirëpo jo: pushteti dhe mazhoranca çfarë nuk po sajojnë që të zukasin pa pushim si zhuzhakë të neveritshëm alibinë se kjo bëhet për të mbrojtur Berishën, non-gratan e intriguar prej piktorit kryeministër a ku di unë çfarë llafazanërie tjetër boshe.

Ka dhe moralistë të pështirë që kujtojnë se parlamenti nuk është skenë zjarri, tymi e flake dhe nuk  duan  të thonë e t’ia dinë fare se demokracia përballë diktaturave mbrohet edhe me jetën e gjithkujt kur  ajo mungon. Dhe kjo  është  një parim, është domosdoshmëri kur të kanë privuar nga çdo rrugë tjetër.

Po mirë, një buxhet që votohet për 5 minuta çfarë është tjetër përveçse t’i vësh flakën parave të taksapaguesve shqiptarë, pa dhënë asnjë garanci e siguri?!

Po mirë, banda-stan, PPP-stan a SPAK-stan  a nuk është emri i dytë i regjimit që ka instaluar kjo qeveri, në një kohë që shumë cinikë përdorin lloj-lloj paralelizmash  e etiketimesh për skenën në parlament?!

A nuk është ky cinizmi më i paskrupullt i një intelektuali?!

Po lëvizjet më të fundit të organeve të drejtësisë, a nuk i ngjajnë një mjegulle tymi të gënjeshtërt, fals, që duket sikur dënojnë, por në fakt falin, si në rastin e PPP-së së famshme të sterilizimit?!

Dhe më në fund, kur kryqëzohen për standardet e dyfishta që përdor SPAK-u për vepra e korrupsione që nuk kanë kurrfarë paralelizmi, duket sikur bëhen të mirë, të vetëkorrigjueshëm dhe tërhiqen, si në rastin e zotit Malltezi, me lirimin e tij nga burgu. 

Kush donte fakt më të mirë, më të qartë dhe të kulluar të dënimit politik të një personi, ja ku  e ka  provën në vendimin brenda ditës që ka marrë prokuroria për të. Nuk kanë ndodhur kurrë “bëma” të  tilla drejtësie, vetëm po të krahasohen me 18 firmat e hedhura brenda dite nga te gjithë  ministrat e qeverisë Rama për rastin e inceneratorëve. 

A nuk është ky veprim njëlloj si t’i vësh zjarrin ligjeve dhe rregullave të një administrate, të një shteti, ndërkohë që cinikët e përmbytur në jargë  sharjesh e mallkimesh i drejtohen opozitës që në mënyrë simbolike po e bën zjarr skenën e parlamentit?!

Le t’i vëmë në peshore të gjitha këto akte e veprime dhe le të shohim se sa boshe është “ndezja” e  pareshtur që i bën situatës regjimi. 

Opozita nuk ka më asgjë për të humbur, ajo duhet të luftojë për “jetë a vdekje”, sepse tanimë faktet janë shumë të qarta.

Tanimë e kemi edhe zyrtare, nga kryetari i Grupit Parlamentar, zotit Gazmend Bardhi, etiketimin e sjelljes së mazhorancës të ngjashme me atë të diktatorit më të egër të kohës, koreanit Kim Jong .

Po ajo që është më kryesorja, tanimë duket qartë që kohët kanë ndryshuar.

Edi Rama, me damkën e McGonigalit, nuk është më i përkëdheluri i Perëndimit. Kohët kanë ndryshuar, toka nën këmbë ka kohë që ka filluar t’i rrëshqasë e të hapë një  humnerë distancimi me aleatët tanë të mëdhenj.

Kjo është kaq e vërtetë sa që të mos e pranosh ke pranuar botën e përmbysur.

Si mund t’i besohet më informacion i klasifikuar një kryeministri të  një vendi të NATO-s që ka koruptuar  në mënyrë të konfirmuar kryeagjentin e superfuqisë botërore?!

A ka vendimmarrës të Europës dhe SHBA-së që të mos  vënë filter dhe  postbllok përpara këtij kryeministri, i cili  u ka bërë një sfidë të pa bërë ndonjëherë për të keq as nga kundërshtarët e mëdhenj gjeopolitikë të saj?!

Askush nuk i beson më një njeriu të tillë që korrupton edhe shefin e FBI, vetëm e vetëm për të qëndruar në pushtet.

Tanimë dhe alibia që ai shpiku duke sulmuar zotin Berisha politikisht me gjyqe politike, nuk pi më ujë, asaj po i del dita ditës kallaji i gënjeshtrës dhe trillimit dhe koha, si shqyrtuesi më i madh do ta sjellë të vërtetën përpara.

Një njeri patologjikisht hakmarrës si Edi Rama, do të dijë vërtet si të shpikë tymnaja të tjera mediatike dhe arrestime, veç për shoë, që të shpëtojë sa më shumë  veten dhe të tijtë, duke goditur kundërshtarët, por mjegullnajën e paqartësisë së standardeve të disafishta të SPAK-ut nuk ka zot që ta davarisë. Ajo do të bëhet re e zezë që do të pjellë shtrëngatë për sytë e shqiptarëve, derisa të plasë nga pesha e përdorimit të saj politik.

Do të presim me durim e do të shohim. Tani për tani, na mjafton të rrëzohen disa gjykime të pabaza e të paskrupullta cinikësh dhe eunukësh të pushtetit, mbi rolin dhe mënyrën e udhëheqjes së aksionit opozitar në parlament.

Nga ky aksion ne presim të përshkallëzohet me efekte dhe objektiva konkretë e të matshëm, qoftë edhe me tym blu apo të kuq. 

Zhgarravinat e vendosura ne kanavacën e piktorit kryeministër, të cilat mbulojë diktaturën e instaluar duhet të rrëzohen dhe me forcë duhet të përplasen përtokë, derisa ligjet kanë humbur legjitimitetin dhe funksionojnë për të mbajtur në burgun e mungesës së lirisë vetëm opozitarë që luftojnë për lirinë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco