Samiti i Diasporës së Boratit, ku jeni ftuar si dekor

Samiti i Diasporës së Boratit, ku jeni ftuar si dekor

Nga Erion Dasho - 21/11/2023

Sa herë mbetet keq dhe duhet të tërheqë vëmendjen nga skandalet e ditës (ku ministri i radhës merret i pandehur nga SPAK), Borati e ka gati një "shashkë".

Shashka e radhës e ka emrin Samit i Diasporës, ku ndër të tjerë, janë ftuar edhe një numër mjekësh që jetojnë e punojnë në vende të ndryshme të botës.

Pa i paragjykuar aspak kolegët që kanë pranuar ftesën, dua t'u kujtoj disa fakte.

》Së pari, ky "samit" është organizuar shkel e shko, ku shumë kolegë me të cilët kam folur, e kanë refuzuar ftesën pasi ajo ka ardhur në mungesë totale respekti, jo nominale, por e dërguar në grup ose "derr në thes" me qëllimin që "samiti" të kapë, ç'të kapë nga të ftuarit.

》Së dyti, kolegët duhet t'i bëjnë vetes pyetjen se çfarë kanë prodhuar samitet paraardhës. A ka mjekë shqiptarë që kanë nisur të japin kontributin e tyre pas samiteve të mëparshëm? A ka ndryshuar diçka në përafrimin e Boratit ndaj sistemit shëndetësor, apo ka mbetur ende ai përafrim i bazuar tek fasadat dhe bojatisjet? A kanë marrë në dorë ndonjë strategji gjithëpërfshirëse ose, të paktën, sektoriale të ftuarit?

》Së treti, a e dinë "samitsët" se në rrugën "Mine Peza" ndodhet prej muajsh i paraburgosur një koleg i tyre që mori pjesë para 10 vjetësh në Samitin e Parë të Diasporës? Ky mjek, siç u kuptua më vonë, kishte bashkëdizenjuar skemën e koncesionit famëkeq të sterilizimit, për të cilin jo më larg se pardje, u vendos nën hetim edhe mikpritësi i samitit të parë, Beqja i Boratit.

Uroj që dikush nga pjesëmarrësit të ketë integritetin e duhur për të pyetur boratët se përse "samitsi" i sterilizimit ndodhet prej muajsh në burg, ndërsa bashkëpunëtori i vet i dyshuar është ende i lirë dhe deri dje menaxhonte miliardat që jep çdo vit Europa për integrimin??!!

Të nderuar kolegë, pjesëmarrës në samit!

Ju keni bërë zgjedhjen tuaj për t'ju përgjigjur tashmë thirrjes së Boratit. Jini të ndërgjegjshëm se nuk jeni ftuar aty si shkencëtarë ose si eminenca të fushave tuaja.

Jeni ftuar thjesht si një dekor! Borati duhet t'u hedhë hi syve trushpëlarëve që e votojnë dhe t'i bindë ata se nuk ka vetëm klarinetistë, kimistë dhe balerina që drejtojnë sistemin shëndetësor. Gjasme, jeni edhe ju!

Vetëm se mos e anashkaloni fjalën me peshë "gjasme"!

Ju jeni ftuar aty vetëm me gjasme, sepse Borati dhe boratët nuk kanë nevojë për bisturitë tuaja dhe as për njohuritë tuaja! Ata duan vetëm të dinë nëse ndonjë prej jush është i gatshëm të vetë-ofrohet për aferën korruptive të radhës, qoftë ky projekt, koncesion apo PPP!

Nëse nuk jeni hajdutë, abuzues, dorëgjatë, me një fjalë "kusarë", samiti është vendi i gabuar dhe koha e boratëve është koha e gabuar!

Uroj ta kuptoni sa më parë dhe të mos i lejoni boratët t'ju njollosin bluzat e bardha!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco