Çështja Malltezi dhe drejtësia e komanduar

Çështja Malltezi dhe drejtësia e komanduar

Nga Agim Nesho - 25/10/2023

Sot Shqipërisë i është kthyer tensioni politik, ndarja dhe urrejtja midis grupimeve politike për një çështje parimore në një vend që pretendon për një sistem demokratik: Goditja e Liderit të Opozitës. Vetëm në sistemet politike putineske si Rusi, Turqi, etj,.

Opozita nuk konsiderohet si një institucion i domosdoshëm i sistemit politik por një kundërshtar dhe armik që kërkon të marrë pushtetin. Fatkeqësisht Shqipëria bën pjesë në këtë grupim dhe Edi Rama ka kohë që ka filluar luftën kundër liderëve të opozitës së vërtetë për të mundësuar përjetësimin e pushtetit të tij të korruptuar.

Kjo luftë, që sapo ka filluar, do të konsumojë kohën e saj, sidomos sot kur regjimi i Edi Ramës ka kapur shtetin dhe kontrollon drejtësinë. Sot Shqipëria jeton në monarkinë e Edi Ramës dhe në Republikën e drejtësisë së komanduar. ‘Fajësia’ e liderit të Opozitës, e qepur në mënyrë qesharake nga akuza dhe e refuzuar nga opinioni publik i shëndoshë, tregon qartë që Shqipëria duhet të shkundet dhe të mbrojë regjimin demokratik.

Por qëllimi i këtij shkrimi është se si duhet ta trajtojë Shqipëria çështjen e arrestimit të qytetarëve Malltezi dhe Bektashi. Çfarë rrezikshmërie paraqesin ata dhe pse duhet të ishin ata kolateral i goditjes së ish-kryeministrit Berisha? A justifikohet ky veprim i akuzës përballë dëmit që i sjell shoqërisë, ku shtetasit e saj ndjehen të pambrojtur dhe të frikësuar nga arbitrariteti i organeve të drejtësisë?

Së pari, arrestimi spektakolar i zotit Malltezi, një intelektual i respektuar, u krye në funksion të propagandës së regjimit në pushtet. Faji i vetëm i tij është se ka marrë pronën e tij dhe e ka zhvilluar me sipërmarrësin Bektashi, që gjithashtu është një figurë e respektuar. Ata nuk kanë marrë tenderat e qeverisë dhe nuk kanë përfituar nga prona publike e përbashkët. Ata nuk paraqesin rrezikshmëri për shoqërinë që të arrestohen dhe të futen në burg. Ata nuk janë figura shtetërore që kanë bërë korrupsion dhe SPAK-u të merret me ta. Jetojmë në ekonominë e tregut dhe pasuria e vënë duke respektuar rregullat e shtetit dhe paguar taksat nuk është krim si në komunizëm.

Së dyti, goditja e qytetarëve Malltezi dhe Bektashi krijon një precedent të rrezikshëm, kur cdo njeri në Shqipëri mund të jetë viktimë e akuzës dhe mund të goditet për bindjet e tij ose lidhjet me politikën. Me këtë precedent çdo investitor i ndershëm, që nuk ka abuzuar me fondet dhe pronat publike, do të ndihet i rrezikuar pa vlerësuar në thellësi nga akuza etapat e zhvillimit të kapitalizmit në shoqërinë Shqiptare.

Së treti, Drejtësia që presim nuk mund të jetë e komanduar, as të godasë për balancë sa majtas sa djathtas. Opinioni publik kërkon një drejtësi të vërtetë ku faktet të jenë bindëse. Me veprimin e fundit të SPAK, vetë drejtësia e re po minon të ardhmen e saj. Opinioni publik kërkon një drejtësi të pavarur dhe jo një drejtësi që vjen dhe ikën me pushtetin politik të radhës.

Së katërti, ajo që është e rëndësishme për drejtësinë e re është mos të jetë shkak polarizimi dhe ndarje për shoqërinë. Dhe kjo arrihet kur ajo nuk komandohet as nga interesat e regjimit por as nga presionet e faktorëve të tretë ndërkombëtarë.

Rasti Malltezi-Bektashi rikthen në kohët moderne çështjen ‘Dreyfus’ të Francës, që polarizoi shoqërinë franceze me një dënim të padrejtë. Por ndërsa në Francë opinioni publik dhe media u ngrit kundër padrejtësisë, në Shqipëri shoqëria civile është e kapur nga pushteti dhe shumica e mediave e blerë. Opinioni publik i frikësuar nga dhuna e pushtetit nuk ngrihet në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve pa menduar se nesër do të jenë viktimat e radhës.

Drejtësia nuk mund të jetë pasionante për të gjetur fajtor Sali Berishën duke shkatërruar jetën e qytetarëve, që faji i tyre është fakti që kanë lidhje me të. Kjo duhet të jetë beteja e opinionit publik.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco