Edi Rama, sot e ‘nderon’, dje asnjë fjalë…

Edi Rama, sot e ‘nderon’, dje asnjë fjalë…

Nga Hysni Gurra - 25/09/2023

Akti terrorist i djeshëm, që i mori jetën oficerit të policisë në Kosovë, u dënua nga e gjithë bota, edhe nga “komuniteti euro-atlantik”, por asnjë fjalë dënimi nga Kryeministri i Shqipërisë.

Përveçse reagoi në mënyrë tinëzare pas 5 orësh nga lajmi, Edi Rama aktin terrorist e quan “tragjedi e humbjes së jetës”, dhe i mbushur me arrogancë bën thirrje për dialog.

Përveçse reagoi me shumë vonesë, edhe mënyra se si zgjodhi të reagojë, flet shumë. Po të shohësh aktivitetin publik të Edi Ramës në faqen ku ka më shumë ndjekës, në Facebook, nuk ka asnjë fjalë për aktin e djeshëm terrorist në Kosovë. Asnjë fjalë për be.

Dhe kur të gjithë mbanin frymën për operacionin kundër terroristëve, Edi Rama bën të paimagjinueshmen, poston 22 foto të veta nga vizita në Nju Jork.

Më herët, në vend që të thoshte dy fjalë për çfarë kishte ngjarë, e mbushi Facebook dhe Instagram me javën kulturore ndërkombëtare, me thirrjet për të vizituar muzetë se është e diel dhe janë falas, me ditën botërore të lumenjve dhe kulmi, edhe me një bujtinë në Leskovik.

Në përputhje të plotë me fjalën e vjetër shkodrane “m’ka çu nana me la gojën”, vetëm në orën 12:30 të mesditës bën një postim në Twitter dhe aty mbyll komentet. Njeriu që mbahet edhe si partizan i fjalës së lirë, kur vjen puna te vetja ka një standard tjetër.

Sot, zgjohet pak më ndryshe dhe poston një “përulje me nderim për efektivin e Policisë së Kosovës…”

Po mirë mor zotni, po dje ku e kishe kokën?

A nuk e pyete veten se çfarë donin njerëz të armatosur edhe me autoblindë në Kosovë?

A nuk e vrave mendjen nëse terroristët erdhën nga qielli me raketë, apo erdhën nga Serbia?

A nuk të bëri përshtypje që edhe Borreli dhe Lajçak e dënuan aktin terrorist?

A nuk lexove që dënimi nga shtete dhe personalitete ishte në termat më të ashpër?

A nuk të kanë informuar se dy të plagosur nga terroristët po mjekohen në Serbi?

A nuk të bëri përshtypje që miku yt Vuçiç i kapur “me pelë” në dorë siç thuhet në Kosovë, kishte vetëm dy fjali në gojë: “i gjithë faji është i Albin Kurtit” dhe “kurrë nuk do ta njohim Kosovën”?

A të shkon në mendje që nuk duhet ta mbrosh më Serbinë dhe Vuçiçin në media dhe forume ndërkombëtare (përfshirë edhe NATO-n)…?

A nuk të shkoi në mendje se me heshtjen tënde dje do të heshtnin edhe merhumët që vijnë pas, ministra e deputet që nuk guxuan edhe ata të dënonin aktin terrorist që vetë Vuçiç në darkë e dënoi?

Mund të thuash 1000 gjëra në raport se çfarë ndjen, çfarë ka bërë dhe sa e ka dëmtuar Edi Rama, Kosovën, por heshtja e tij dje flet më shumë se çfarë ka bërë këto 10 vite. Por më shumë se heshtja të vret hipokrizia e tij me “nderimin” e sotëm.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco