Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Gabriel Escobar 'sikleti' diplomatik i DASH

Tirana zyrtare, kjo e pabindur kronike

Tirana zyrtare, kjo e pabindur kronike

Nga Sonila Meço - 24/09/2023

Në një të diel të zakonshme shtatori, 15 vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe 24 vite nga Marrëveshja e Kumanovës, që i dha fund luftës, nga një manastir në Banjskë të Leposaviçit, ku ishte fortifikuar arsenal lufte, u përvijua një sulm terrorist ndaj policisë së Kosovës, që la pa jetë rreshterin e policisë Afrim Bunjaku dhe plagosi policin Alban Reshiti.

Ishin serbët, që bojkotuan institucionet dhe zgjedhjet në veri, ishin kriminelë serbë ata, që sulmuan ushtarët e KFOR-it pak javë më parë, ishin skuadrat speciale të Serbisë, që rrëmbyen 3 policë të Kosovës dhe sot nga çfarë dallohet prej informacioneve paraprake arsenal lufte i ka hyrë në trup Kosovës, përballur me vendosmëri nga forcat e veta, si shtet i pavarur, duke “lindur” heronj në kohë paqeje.

D.m.th Kosova merr pjesë në paqe, nënshkruan pavarësinë me ndërhyrjen ndërkombëtare, respekton marrëveshjet, pa nisur kriza të njëanshme, reagon si shtet i pavarur, herë me reciprocitet, por gjithmonë me institucione, ama kurrë prodhuese krizash…

Dhe kur faktori ndërmjetësues ndërkombëtar, vendoset fort nën lupën e diplomatëve, akademikëve, studiuesve, politikanëve perëndimorë duke u konsideruar i njëanshëm, tejet tolerant ndaj Vučić, i pamundur karshi provokimeve e përpjekjes së Beogradit për destabilitet, politikanë e udhëheqës shqiptarë gjejnë arsye të kritikojnë Prishtinën zyrtare në rastin më të mirë a të thërrasin gjer në ngjirje për një Konferencë Paqeje në më të keqin duke vendosur sërish kandarin në raportet Kosovë-Serbi me një egoizëm absurd (nuk dua të shkruaj “shërbim” ndaj Beogradit si profeci vetpërmbushëse).

Absurde…sepse Kosova i gjegjet çdo provokimi, sulmi a denigrimi me stof shtetar, gjë që nuk e bën dot Tirana zyrtare. Tirana zyrtare, që gjakoset në zgjedhjet e veta, që kupolën e policisë e shkërmoqi në fushata kanabizimi, që eksponentë të organeve ligjzbatuese i vihen në dispozicion krimit të organizuar, që korrupton FBI…Kjo Tiranë zyrtare, që 111 vjet pavarësi nuk i mjaftuan të bëjë shtet sa Kosovës 15 vjeçare i kërkon botës një Konferencë Paqeje për Kosovën, asaj Kosove, që ia toleron me durim edhe projekte shkëmbimesh territoresh, edhe “Ballkanin e Hapur”, edhe kundërvënien ndaj saj me deklarata qesharake, por të rrezikshme.

Kosova sot ka nevojë të njihet si shtet i pavarur së pari nga institucionet e Tiranës zyrtare. Mandej me kryerjen jo vetëm formale të këtij akti, të varet preambula kushtetuese në çdo qafë politikani e zyrtari për rolin e Shqipërisë në raport me Kosovën.

Dhe se është e lodhshme, e padobishme, krejt e dobët dhe e manipulueshme, metaforikisht dhe literalisht qesharake çdo përpjekje normalizimi raportesh kur ndërmjetësuesit vijnë nga vende, që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. Kjo i bën lehtësisht të “tretshëm” nga reaksione lobimi. Shqipëria çoç di mirë me vepra nga këto lojëra.

Sot Kosova i do të gjithë me të, për fat dallohet si me letër lakmuesi kush shqipfolës anembanë ia do të mirën e kush po don me e kry pazarin e radhës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco