Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Kapet në flagrancë Irena Gjoka

Presidenti i Zululandit vizition New York-un me gruan dhe parukieren

Presidenti i Zululandit vizition New York-un me gruan dhe parukieren

Nga Alfred Lela - 22/09/2023

 

Shteti shqiptar ka paraqitur dy tablo në Asamblenë e Përgjithshme të OKB ditët e fundit. Të dyja të përzishme dhe që lidhen me krerët e lartë. E para ka të bëjë me njëfarë bravado-je të kryeministrit Rama në një përplasje, kryesisht të imagjinuar nga shtypi proqeveritar i Tiranës, me ambadadorin rus në OKB. Marrja  e drejtimit të përkohshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB është shfrytëzuar nga z. Rama pikërisht për rolin që ai luan më mirë: hajgare me shpenzimet e të tjerëve. Rama nuk është përplasur me rusët as si Enver Hoxha dikur, i cili edhe pse për të ruajtur pushtetin e vet, e kishte të vërtetë dhe serioz turfullimin anti-rus. Ndërkohë që Hoxha ruhej nga paranoja dhe deliri, Rama ruhet nga NATO dhe Amerika kur luan luftash me rusët.

Kështuqë, kushdo u mundua të nxirrte trimëri nga batutat i bën një shërbim Ramës dhe grandomanisë së tij, por jo të vërtetës. Shqipëria si kryesuese e Këshillit të Sigurimit, nuk mundet as të krijojë dhe as të ruajë balanca, ato janë në dorën e Fuqive të Mëdha; duke qenë shtojcë e tyre, Tirana e parisë nuk bën të luajë të fortin global pa u bërë qesharake.

Rama dukej në New York si ata boksierët shqiptarë nëpër botë, që vetëshpallen kampionë në ndeshje që vetë i organizojnë, në liga që askush nuk i njeh, dhe që mbështeten nga biznesmenë delirantë dhe dritëshkurtër nga Shqipëria që u duket vetja rimishërim i Don Kingu-t.

Pamja tjetër është krejtësisht gjynahqare. Nëse Rama mund ta mbajë infotainment-in që vetë krijon, sepse ia lejojnë leximet edhe karizma, Presidenti i Republikës është shëmbëlltyrë e apartçikëve sovjetikë të Lindjes, ose i një Shqipërie të fillimit të tranzicionit, që shumë prej nesh kujtonim se e kishim humbur.

Një Shqipëri që kullonte varfëri dhe mjerim, vishej me teshat e ndihmave humanitare, flinte në këmbë në rradhat e pafund të vizave te ambasada greke apo italiane, e hante mishin me kile si përpjekje dëshpërimi për të rikthyer proteinat e humbura të komunizmit, i shiste në martesa apo prostitucion bijat e saj, sa te ushtarët e operacioneve të ndihmave humanitare apo pleqtë e vendeve fqinje, e me radhë.

Asokohe delegacionet e sportit, qeverisë apo shoqatave joqeveritare, mbusheshin me turlifarë gjindi, pa lidhje me qëllimin e vizitës apo turit. Një drejtor rregullonte dashnoren, një zv/ministër kushëririn, një sportist fqinjin, duke i bërë dërgatat shqiptare një laryshi biografish e karakteresh që mund të mbushnin një vodëvil. Njerëzit donin të dilnin jashtë.

Këtë shije, thuajse të harruar, riktheu Presidenti Begaj me delegacionin 22 vetësh që u nis drejt New York-ut me gjasë për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB. Shtypi kryesisht heshti, por mediat sociale u gajasën, sa me numrin aq edhe shpurën presidenciale që kishte lidhje me politikën e jashtme dhe punët e Presidencës, sa ka ky shkrim me shpimet për naftë në Alaskë.

Presidenti e kishte kthyer dërgatën zyrtare në një darkë personale, kishte marrë me financat e shtetit dhe taksat e qytetarit ata që do ftonte në një mbrëmje në shtëpinë e vet. Kishte aty prodhues tjegullash dhe rregulluese flokësh, pra miq apo qokaxhinj të Presidentit dhe rrethit të tij.

Ndoshta, më e rëndë se akti presidencial është heshtja publike për të. Nga Presidenca nuk ka patur asnjë reagim. Mediat kryesore nuk janë marrë me të, duke e konsideruar jo lajm, ndoshta edhe për faktin se Rama dhe Begaj i kanë begenisur duke futur në shpurat shoqëruese gazetarë nga tv-të kryesore. Ajo që ka humbur në gjithë këtë bëmë është të shndërruarit e shtetit dhe mitit të tij në një nevojtore të kujtdo mban një zyrë për katër apo tetë vjet.

Begaj e ka poshtëruar edhe më shumë Presidencën, sepse shpalosi në të, si ndoshta kurrë më parë komplekset e pushtetit; njeriu me fuqi e dëshmon pushtetin duke mos bërë gjërat që ka në dorë, pra te kufizimi i vetes.

Bajram Begaj nuk e kufizon veten, sepse nuk ka ardhur aty si pasojë e një kontributi shoqëror apo politik. Ai është një i emëruar i kryeministrit dhe mazhorancës. Ai e sheh zyrën e shtetit, jo si atribut politik, por si një mundësi për t’i treguar botës së vogël shqiptarse se ia ka dalë dhe mund të dërgojë në Amerikë, në delegacion zyrtar, parukieren e gruas.

Në fund, ai mund të gjykohet për sharlatanizëm personal, por jo politik. Kjo targë e fundit i takon Edi Ramës. Ai e ktheu shtetin në një Zululand ku poshtë janë rrajat e forcës, lart begajt e vetëposhtërimit presidencial dhe në majë fare ai vetë, Zuluja i Parë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco