Fati i Ramës është i shkurtër

Fati i Ramës është i shkurtër

Nga Akil Kraja - 28/08/2023

Arsye përse Rama nuk mund të qeverisë më vendin

1 – A ka përfituar Rama nga vjedhja e parave publike?

Është një fakt botërisht i ditur se ministrat e nëpunësit e përfshirë në skandalet e korrupsionit të javëve të fundit, kanë qenë edhe të deleguar zgjedhorë. Kështu, sikur ata të kenë influencuar rezultatin qoftë vetëm me 1 euro para-korrupsioni, kjo automatikisht e vendos Edi Ramën në pozitat e përfituesit. Për shembull, nëse Lefter Koka ka investuar në fushatën e vitit 2021 shuma parash të tjetërsuara nga inceneratorët, ky arsyetim të çon në konkluzionin që edhe Kryeministri ka përfituar nga këto vlera monetare pasi këto para-korrupsioni ndikuan rezultatin zgjedhor dhe është falë tyre që qëndron sot në pushtet. Ky është një sistem që mund t’i atribuohet vetë Ramës në fakt. Me para-korrupsioni, ushqehet një cikël shit-blerjesh votash që sjell dhe më shumë korrupsion e krim me qëllimin për t’u ri-investuar në zgjedhjet e radhës. Një sistem ciklik i cili mund të thyhet vetëm me largimin e përfituesit fundor të vërtetë.

2 – A e njeh Partia Socialiste dorëheqjen si një standard politik? 

Në zgjedhjet e vitit 2021, kandidati për deputet Edi Rama ishte renditur në nr. 8. Para tij, në nr. 6 dhe nr. 7 renditeshin respektivisht Rrahman Rraja dhe Lefter Koka. Matematikisht, fitorja e Ramës do të ishte e pamundur pa votat që do të sillnin dhe fitoren e tyre. Por kjo strategji me fokus votat e tyre, bëri që në të njëjtën mënyrë siç i sollën fitoren, ashtu mund t’i sillnin dhe humbjen e pushtetit të tij. Dhe pse pa një kërkesë formale nga prokuroria, të dy kanë dhënë dorëheqje vullnetare nga mandatet e tyre përballë skandaleve në të cilat ishin përfshirë. Një kurban që i shërbente lidershipit socialist si “dëshmi morale” përballë opinionit publik, se dorëheqja është e paevitueshme në raste të tilla. Këtij rregulli të vendosur nga nr. 6 e nr. 7, tani i erdhi radha dhe kandidatit nr. 8 për ta respektuar. Edi Rama nuk mund të jetë më pak se ata. Përkundrazi, standarti moral i një Kryeministri duhet të jetë shumë herë më lart përballë peshës të jashtëzakonshme të skandaleve që e rrethojnë.

3 – A ka Edi Rama skandale për të cilat duhet të japë dorëheqjen? 

Mbrojtja në vetë të parë që ai i ka bërë personalisht ‘mushkonjave’, ‘bisturive të sterilizuara’, ‘djegësve’, ‘duarve akullore’, ‘akademisë së barinjve’ apo dhe ‘vjedhjes së serverave’, e kanë bërë Ramën politikisht bashkë-fajtor. Ai ka mbrojtur jo vetëm inceneratorin e Kokës, por dhe rezultatet e policisë së Tahirit, performancën e Ahmetajt, shëndetësinë falas të Beqajt, por dhe emrat e shumëfishtë të kandidatëve të tij për bashki apo deputet. Rama i mbronte këto paligjshmëri, këto abuzime e këto vjedhje bazuar mbi llogaritë që i kërkonte bashkëpunëtorëve të tij, autorë të këtyre skandaleve. Ai i adresohej publikut bazuar mbi informacionin që ata i jepnin. Ai i përcillte qytetarëve ‘të vërtetën’ që ata i tregonin. Ai i mbrojti shkeljet e tyre në secilin rast si pjesë e ekipit të tij qeveritar e parlamentar. Fundi i historisë dihet. Rama deklaron se e kanë gënjyer dhe se secili duhet të mbajë përgjegjësi personale. Ai thotë se është i pafajshëm dhe se nuk ka bërë asnjë faj që ta detyrojë të japë dorëheqjen. Gjithçka është bërë në kurrizin e tij.

4 – A është Edi Rama fajtor për skandalet ‘individuale’ të vartësve të tij?

Në shkencat juridike ekzistojnë të dy parimet, prezumimi i pafajësisë, por dhe prezumimi i fajësisë. Kryeministri ka për detyrë që të sigurohet që çdo vendimarrje e aparatit shtetëror të jetë në përputhshmëri me ligjet e republikës, që paratë e taksapaguesëve të mos vidhen, e pronat publike të mos tjetërsohen. Ai është Krye-përgjegjësi. Krye-mbikqyrësi. Krye-menaxheri. Krye-arkitekti. Krye-ministri. Kjo është arsyeja përse ai gëzon kompetenca e privilegje specifike. Ndaj, në momentin kur shtetit i vidhen miliarda euro, jo nga një, por nga disa nga bashkëpunëtorët politikë më të afërt, me të cilët fiton zgjedhjet e ndan pushtetin me para-korrupsioni, kryeministri nuk mund të jetë tjetër veçse bashkë-fajtor. Fajtor për pa-aftësi në mbrojtjen e interesave të shtetit, më minimalisht. Fajtor që jep bonuse e firmos shkresa ‘fap-e-fap’, më konkretisht. Fajtor që me këto para-korrupsioni blihej fitorja e kandidatëve nr.6, nr.7 dhe nr.8. Fajtor që e kanë gënjyer në rastin më të mirë. Fajtor që gënjen qytetarët në rastin më të keq. Edi Rama është “shah-mat”. Për çdo skandal që ndodh në Shqipëri, ai tanimë prezumohet fajtor, sepse çdo provë të çon ekskluzivisht tek vendimet ose mos-vendimet e tij. Ai përbën një ‘liability’ për buxhetin e shtetit, për sundimin e ligjit dhe demokracinë në vend. Madje një barrë dhe për sponsorët e huaj të tij pasi askush nuk dëshiron të bëhet pis duke i dalë në krah një korrupsioni të kësaj shkalle.   

5 – A po e mbron faktori ndërkombëtar Edi Ramën?

Më 16 tetor të këtij viti, Shqipëria do të mirëpresë një samit të rëndësishëm si pjesë e procesit të Berlinit. Ashtu si me 6 dhjetorin e shkuar në rastin e samitit të përbashkët BE-Ballkan që u prit në Tiranë, dhe ky takim do të propagandohet me gjasa nga Kryeministri Rama si një dritare e mbështetjes që ai gëzon. Nën-mesazhi është i qartë. Ndërkombëtarët më falin gjithçka sepse u nevojitem për stabilitetin rajonal. Por e vërteta është krejt tjetër. Samiti dëshmon fundin e aventurës serbomadhe të Open Balkans kaq fort të reklamuar nga dyshja Vuçic-Rama. Ndërkohë që rasti Beleri e largon dhe më tej jo vetëm nga Athina, por nga Brukseli; pranimi i fajësisë nga McGonigal e çon automatikisht në bankën e të akuzuarve për korrupsion. Nuk janë ata që e mbrojnë. Jemi ne që e tolerojmë. Fundja, rikujtojmë që qeveria teknike e vitit 2017 erdhi falë një ndërhyrje nga deputetë europianë e përfaqësues amerikanë. Ndaj Shqiptarët duhet që njësoj si me 6 dhjetorin e kaluar, edhe me 16 tetorin e ardhshëm, të jenë në shesh, për t’i treguar partnerëve tanë që shqiptarët kërkojnë t’i dalin zot demokracisë, një modeli euro-atlantik të qeverisjes, dhe fatit të kombit të tyre i cili po shpopullohet dhe zhvatet si kurrë më parë. Në këtë drejtim, opozita ka detyrën e saj.

6 – A është opozita në gjendje për të rrëzuar Edi Ramën?

Fati i Ramës është i shkruar. Ai do të largohet ashtu siç është larguar çdo lider që ka qëndruar në pushtet për kaq gjatë i konsumuar nga skandalet e shumta. Por ky largim nuk do të thotë fund i sistemit ndërtuar prej tij. Rezultati zgjedhor i 14 majit dëshmoi sa e vështirë është shkëputja nga manipulimi zgjedhor financuar me para-korrupsioni e krimi. Dhe pse opozita arriti të faktojë me dhjetëra e qindra raste abuzimi, drejtësia e re duket sikur po vepron njësoj si me dosjet 184 & 338. Ndaj vota e mbi 500.000 shqiptarëve për koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’ merr një kuptim krejt tjetër. Pa komisionerë, pa burime teknike e financiare, nën presione kriminale e ligjore, opozita frymëzoi një energji politike të paimagjinueshme muaj më parë. Potenciali është aty. Një opozitë morale fiton kur zgjedh njerëzit dhe më 14 maj, opozita e vërtetë fitoi moralisht dhe politikisht. Rithemelimi duhet të shkojë deri në fund. Humbjet elektorale që prej vitit 2013 mund të ripërsëriten nëse nuk nxirren mësimet e nevojshme.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco