Tubi i Paulin Prekës dhe kulla 62 kate e Ramës

Tubi i Paulin Prekës dhe kulla 62 kate e Ramës

Nga Agim Xhafka - 10/08/2023

Tashmë nuk ka shqiptar që nuk e ka mësuar se te lulishtja në krah të Operas do të ngrihet një kullë e madhe mbi 200 metër e lartë. E ndërsa firma te leja e ndërtimit është e Ramës dhe shtysa e Veliajt, komunikimi publik i qeverisë, ndihmuar dhe nga rripat e tij të transmisionit, po përpiqen të devijojnë të vërtetën ngaqë banorët e Tiranës janë shokuar, revoltuar e indinjuar.

Që të shmangin sadopak dëmin, pandehën se e gjetën vjegën. Ai që do ta ndërtojë qenka shok i Shkëlzen Berishës, simpatizant i Foltores, pra shkurt, fajin përherë na e ka Saliu!!!

Sigurisht që njerëzit nuk e kapërdinë fare këtë sajim të trashë e në atë çast thanë: “Mirë mo, mirë, po ai që vodhi lopën, a ka faj?!”

T’i shmangesh firmës sate me dredhira paburrërie më kujton një humor brilant të Paulin Prekës, bash kur qeveriste kjo parti e sotme, por në krye kishte etërit kriminelë.

Shkurt, skeçi tregonte një punonjës të një uzine, që me një tub alumini afro 2 metër të gjatë që e mbante nën sqetull po dilte nga dera e uzinës për të shkuar në shtëpi. Roja e ndal dhe e pyet:

- Ç’e ke këtë tub,o shok?

- Cilin tub?

- Këtë që e ke rehatu poshtë sqetullës,- e sqaron roja.

-Nuk kam tub,- këmbëngul punëtori.

Roja ia shkul nga krahu dhe ia nxjerr para syve.

- E sheh tani?

- Ua,ua,ua,- çuditet punëtori. - Ma paskan vënë tubin nën sqetull pa dijeninë time! Çfarë nuk ndodh me këtë kolektiv!

Njësoj sillet Rama me kullën,  si skeçi i Paulin Prekës apo si humori tjetër kur gruaja kapi  burrin mbi shitësen e bulmetit e ky shfajësohej: “O gru,nuk është ashtu siç duket!”

Kulla 62 kate dihet botërisht që lejen e mori nga Rama-Veliaj. T’i dalin zot se shprehja e lodhur “djalin, gruaja nuk e ka me mua, por e ka me babanë tim”, është e vjetër. Nuk pi më ujë. Duhen stile të reja.

Akoma me batutat e lodhura të filmave të Kinostudios do të komunikosh me njerëzit,o Edvin?!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Sofizmat e Agimit pr lugn e sups10/08/2023 14:39

Ça thua?! Çështja e pallatit thuhet se është pazar midis Ramës dhe Berishës. Dhe normalisht Veliaj do jepte lejen në këtë rast, sigurisht me aprovimin e Ramës. Kjo nuk do të thotë që Saliu nuk ka gisht më këtë mesele. "Rripi i trasmisionit" mediatik të rilindjes thjesht po e shfrytëzon këtë fakt, pasi e kanë kapur foltoren, i thonë militantëve të saj se Saliu bën pazare me regjimin. Problemi juaj nuk është të bindni elektoratin gri, se ai nuk ju besonte që më parë. Problemi juaj është me ata militantët tuaj që i mbani me kocka apo me lugë supe.

Shto koment

Denonco