Asambleja e Ramës, si dëshmi e vdekjes politike të PS

Asambleja e Ramës, si dëshmi e vdekjes politike të PS

Nga Armand Shkullaku - 27/07/2023

Asambleja e shumëpritur e partisë në pushtet, për shkak se u lajmërua në një periudhë skandalesh të njëpasnjëshme, nuk prodhoi asgjë në raport me pritshmëritë e interesit publik. Kush priste marrje përgjegjësie për degradimin e qeverisjes, për aferën tronditëse të inceneratorëve, për abuzimet e deputetëve dhe të të zgjedhurve lokalë, ka mbetur i zhgënjyer. Rilindja ka humbur përfundimisht çdo aftësi reflektimi apo rigjenerimi. Ajo po përjeton asfiksinë në moçalin ku e ka zhytur veten ditë pas dite.

Megjithatë, kjo mbledhje shërbeu për të konfirmuar edhe një herë vdekjen politike të Partisë Socialiste. Aty, ashtu si në qeverisje, gjithçka është rrjedhojë e vullnetit të një njeriu të vetëm. Të gjithë të tjerët janë spektatorë, që ndjekin me ankthin e pasigurisë, vendimet e liderit maksimal që shpallen në moment të fundit. Kush emërohet e kush shkarkohet, kush lëshohet dhe kush mbahet, kush bie dhe kush ngrihet. Dhe të gjitha këto lëvizje nuk bëhen më në funksion të interesit publik, por si nevojë për të arrnuar qeverisjen abuzive që nuk mban më. Partia Socialiste po shërben si sfond legjitimiteti për të maskuar bëmat skandaloze të kupolës së Rilindjes.

Edi Rama i drejtohet partisë sa herë gjendet në hall, sa herë ka nevojë që përgjegjësinë ta shpërndajë, duke krijuar idenë se zgjedhjet e tij nuk janë personale por përfaqësim i vullnetit të shumicës. Në fakt, çdo gjë në këto 10 vite, është vetëm rezultat i zgjedhjeve personale të Edi Ramës. Si emërimet në qeveri, ashtu dhe rrokadat në parti.

Dhe duke qënë se asambletë e asaj që quhet Partia Socialiste thirren në funksion të propagandës dhe teatrit kolegjial të Ramës, ato nuk çojnë tek vendimarrjet në dobi të zgjedhësve. Prej kohësh përfaqësimi politik në PS, nuk reflekton interesat e zgjedhësve por besnikërinë dhe shërbimin deri në servilizëm ndaj liderit. Prandaj sado të mundohet kryeministri të përfshijë partinë në vendimmarrjet e tij, ajo nuk ekziston në atë cilësi. Partia është Edi Rama.

Nëse do të kishim një situatë si në çdo forcë politike moderne dhe demokratike, do të duhej të ishte lideri që jep përgjegjësi përballë atyre që e kanë zgjedhur, ndërsa në organizatën e Rilindjes janë këta të fundit që presin të japin llogari përpara liderit. Prandaj edhe në asamblenë e sotme nuk mund të kishim një kryeministër që të jepte llogari për aferën e inceneratorëve ku po digjen ende dhjetra milionë euro, një kryeministër që të shpallte, duke pranuar pjesën e tij të fajit, ndërprerjen e pagesave abuzive për djegësin e Tiranës. Një kryeministër që do të analizonte degradimin e përfaqësimit politik të PS në banditë e delinkuentë që kanë populluar zyrat qëndrore e lokale të vendimarrjes. Dhe, pas kësaj analize, të mund të niste një operacion për ringritjen e forcës politike si përfaqësim i vullnetit të zgjedhësve.

Natyrisht, Edi Rama nuk mund ta bëjë këtë. Sepse llogaridhënia si i barabartë mes të barabartëve, do të çonte detyrimisht në dorëheqjen e tij. Çdo zgjedhje, çdo emërim, çdo vendim, ka qenë tërësisht personal. Ai nuk drejton më një parti politike ku gjejnë vend të gjitha sensibilitetet dhe ngjyrat e përfaqësimit të qytetarëve, por një organizatë që i bindet vetëm vullnetit të tij. Dhe që vepron sipas interesave të tij, strategjisë së pushtetit me çdo çmim dhe së fundi dosjeve të korrupsionit që po shpërthejnë nga ngarkesa që kanë marrë ndër vite.

Partia Socialiste, praktikisht është e pafuqishme t’i mbivendoset organizatës. Ajo është e destinuar të përjetojë pasojat e liderit të plotfuqishëm dhe të gërryhet nga lufta meskine e klaneve që rreken të mbijetojnë në kënetën e mëkateve të pushtetit. Edi Rama mund të ndryshojë ministra apo të heqë e të vërë funksionarë partie, por kudo që të fusë dorën do të jetë i njëjti thes që ka mbushur vetë.

Ai nuk ka asnjë mundësi të shkojë përtej rrethit që ka vizatuar organizata. Partinë Socialiste e ka tredhur dhe nuk mund t’i pjellë diçka të re që t’ua servirë shqiptarëve. Menuja e Rilindjes shërben vetëm një gjellë, që në fund do t’i helmojë të gjithë ata që vazhdojnë të hanë me kokën ulur./Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

3 dekada mashtrime27/07/2023 01:02

Dakord. Ata që i rrinë si servila kanë bërë karrierë në PS dule i katapultuar Rama, e si rrjedhim do binden për çdo gjë që ai vendos. Problemi është pse i binden e firmosin për të duke u rrasur në burg pastaj apo duke u arratisur jashtë?! Frika e tyre në fakt nuk ëshzë nga Rama se ai nuk ka fuqi t'i bëjë asgjë nëse shumica në PS bëhen bashkë dhe e braktisin. Rilindasit e katapultuar kanë frikë Sorosin, paratë dhe fuqinë e tij në sistemin e drejtësisë. Prandaj, Rama si mëkëmbësi aktual i politkës së Sorosit do jetë i sigurtë si "sundimtar", duke dhënë urdhëra sipas qejfit sepse dihet kush qëndron pas krahëve të tij. Kjo derisa në skenë të dalë Erion Veliaj e të hajë dardha prapa shpinës së Bablokut e t'i "fusë thikën" e tradhëtisë politike Ramsesit. Dhe një arsye tjetër kryesore pse të gjithë në PS binden është sepse opozita është e përçarë, e shkatërruar, NonGrata, e korruptuar e pandëshkuar nga drejtësia, aq saqë kanë 10 vite në opozitë dhe nuk e çajnë kokën hiç, aq shumë para kanë bërë duke ndënjur në pushtet dikur! Me ato para e të tjwra që marrin fshehurazi nga rilindja me tendera e konçesione, opozita mban akoma në këmbë Syri TV, kupolën e hajdutëve të ish qeverisjes 2005-2013, dhe mulitantë që i sjwllin nëpër protesta me pagesë për interesat e tyre. Se përndryshe nuk shpjegohet gjithë kjo heshtje me tërë këto skandale. Çdo gjë pagujet , por jo kot. Nëse duhet protesta për të treguar se Saliu ka shimicën në PD, paguhet, hapet thesi. Nëse duhen për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve heshtet. Protestat janë tashmë një mjet me pageaë i opozitës për të bërë pazar me qeverinë. Pra, lëreni rehat Saliun dhe nuk bëhen protesta. Vazhdohet me sofizma në Çim Peka live apo në të tjera media. Sepse mjafton që hapet thesi për propagandë sikur opozita po lufton por s'ka çfarë i bën qeverisë. Por me këto mend, nëse Ramës ia thotë truri të bëjë zgjedhje të parakohshme, opozita është e mbaruar, dhe Saliu do japë i detyruar dorëheqjen. Si rrjedhim për kryetar foltoreje iu ngelet Zeni ose J.Malltezi. se kjo punë është me trashëgim, me tapi. Pra, për sa kohë opozita është kashtë e koqe, rilindasit do pranojnë urdhëresat hyjnore Sorosiane të Sulltan Ramsit. Kurse foltoristët thjesht do iu hanë ca kohë shqiptarëve me gënjeshtrat e tyre derisa të shkatërrohen plotësisht e të mos ekzistojnë më duke mos marrë asnjë deputet, e duke u katandisur më poshtë se partia e A.Qorrit. Saliu dhe Foltorja mund të zgjedhë të bëjë ç'të dojë, por e vërteta do iu dalë dhe pasojat politke i dinë. Për sa kohë do i mbajnë ison rilindjes me sofizma e gjasme opozitë,und të shpëtojnë nga drejtësia por jo nga gjykimi popullor dhe vota. Fakti që gjithmonë eë shumë shqiptarët shesin votën, dmth dëshpërim i madh socio-ekonomik, mungesë shprese, por ttegon që kjo palo opozitë nuk vlen as sa ai 50mijë lekshi o votës. Pra populli po i shet me çmim skllavi edhe pse pasojat i ha vetë sa krahu me regjimin që i shpopullon. Rama nuk besoj se do bëjë zgjeshje të parakohshme sepse dihet që për zgjedhje të tilla hidhet leku i madh, paguhet shumë për tu bërë deputet e për të bërë fushtatë , propagandë e për të blerë vota. Është e vështirë t'iu thuash deputetëve që të lëshojmë mandatin e blerë me para e mashtrime apo me kërcënime, se çdo gjë fillon nga e para nëse bëhen prapë zgjedhje. Le të shpresojmë që mbase i bëjnë kështu pseudo opozita merr goditjen përfundimtare, pra o do shkatërrohet plotësisht, ose do ringrihet fuqishëm. Ringrihet fuqishëm nëse kanë ngelur akoma njerëz idealistë e të pakorruptuar , por sidoqoftë duhet që Saliun ta tradhëtojnë rrethi i ngushtë i interesaxhinjve që ka me vete që i ka katapultuar e pasuruar që dikur kur ishte në pushtet. Koha shëron çdo plagë, rrëzon regjime, dhe shkatërron gënjeshtra dhe bën që e vërteta të triumfojë. Le të shohim! Njerëzit mbase janë të përgjumur e pashpresë por tashmë kanë kuptuar pothuajse gjuthshka mbi teatrin mashtrues politk të këtyre tre dekadave. Ata që janë shpopulluar kanë ikur, të tjerë do ikin, kush do ngelë do shohim sa do durojë thikën në palcë. Pra, këtij mileti ose i jep shpresë me fakte dhe aksione konkrete me njerëz të pakorruptuar, ose do shpopullohen e do shesin votën. Shpopulllimi dhe shitja e votës është në.dëm të opozitës se do ngelen pa votues. Pastaj pasi arrihet kjo pikë, rilindjen do e rrëzojnë të vetët, se s'do ketë më me kë të merret, ose Shqipëria do kthehet në diktaturë totale ose mbretëri, gjë që nuk ka për të ndodhur kurrë në një vend ku ka dalë e vërteta e madhe. A mund të presë opozita sa Ramsesin ta rrëzojnë skandalet e veta dhe mulitantët e vetë? Jo, sepse më parë do shkatërrohet opozita.

Shto koment

Denonco