Tre socialistë përballë hiperliberalizmit të Rilindjes

Tre socialistë përballë hiperliberalizmit të Rilindjes

Nga Alfred Lela - 26/07/2023

Abstenimi i tre deputetëve të PS para pak ditësh, kur mazhoranca socialiste miratoi ligjin për legalizimin e kanabisit, kaloi siç kalojnë ngjarjet e verës në Shqipëri. Emisionet politke të mbrëmjes nuk e trajtuan si temë, edhe pse në atë qëndrim paketohej më shumë politikë se sa në unanimitetin e ngurtë të partisë në pushtet me vendimet e kryeministrit.

Me pak fjalë heshtja simbolike e Pandeli Majkos, Fatmir Xhafajt dhe Erion Braçes nuk u kualifikua për debat politik. Nuk bëhet fjalë që të mund të shkohej më tej dhe ky qëndrim të kthehej në debat publik, pra në angazhim përtej politik për një çështje të politikës.

Shqipëria nuk mendon më dhe kjo shihet te fakti se çështje kombëtare bëhet psh Luizi i BB dhe çështjet kombëtare anashkalohen.

Meqë ky editorial nuk ka qëllim një rrethprerje të kokës kombëtare që nuk mendon, do të ndalet te profili i tre socialistëve të Kuvendit. Çka i dallon Majkon, Braçen e Xhafajn nga kori i gjerë-e-gjatë i Rilindjes është fakti se janë tre socialistët e fundit në Partinë Socialiste. Sigurisht, që të gjithë në PS thonë se janë socialistë, nga Edi Rama te Bora Muzhaqi, por ka një dallim cilësor mes treshes dhe tyre. Ata mund të identifikohen lehtësisht si socialistë konservatorë, politikanë që i besojnë një mënyre tradicionaliste të të konsiderimit të çështjeve, një besimi se publikja është e përbashkët, dhe jo partiake. Ndokush, me gjasë, mund të fusë në fillin e debatit hijen e dyshimit se qëndrimi i tyre nuk ka lidhje me çështjen, sa ka me një mëri të tyre me kryeministrin Rama. Secili syresh mund të konsiderohet si ‘i rënë nga favori’ me shefin e qeverisë dhe partisë. Pyetja tjetër që vlen të bëhet është: a do të abstenonin ata nëse votat e tyre do të ishin kyçe për kalimin e ligjit?

Hipotetikë janë si dyshimi edhe pyetja, por fakti mbetet. Majko-Xhafaj-Braçe, simbolikisht, i bënë rezistencë agjendës progresiste të Edi Ramës, i cili duke ndjekur “Rrugën e tretë”, përtej së majtës e të djathtës, ka prodhuar, si për shumicën që kryeson, ashtu dhe për vendin, një Republikë që ndjek modën, por sërish mbetet cullak në pasarelën e madhe të gjërave, qëllimeve dhe ardhmërive.

Nguti i Ramës për të importuar në Shqipëri prirjet radikale botërore, kryesisht të spektrit majtisto-progresist, dëshmojnë mungesën e një programatike të qartë për vendin.

Kujtoni vetëm historinë e kanabisit të cilin ky ligj liberalizon. Në fillim shpalli luftën për zhdukjen e tij dhe u fut në Lazarat me forca speciale, një përpjekje ku mbeti i vrarë një oficer policie. Politika e ndjekur më vonë ishte liberalizimi ilegal i lëndës narkotike, duke eksportuar mijëra tonelata nëpër Europë, duke nxitur përplasjen e bandave dhe dhjetra të vrarë. Çka ishte më e rënda, krijimin e një laissez fare kombëtar në industrinë e të cilit u përfshinë nga nxënësit te mësuesit. Kur u duk se trysnia e policimit europian u rrit dhe me të kostot politike, Rama ndërmori hapin e tretë, legalizimin e kanabisit nën dimunitivin ‘mjekësor’.

Majko-Braçe-Xhafaj janë në PS para “Rrugës së tretë” të Ramës dhe bartin vetëdijen e një socializmi më tokësor, më tradicional, që ngurron para liberalizmit ekstrem. Ndoshta pyetja që ata bluajnë me vete, si politikanë të vjetër, lidhet pikërisht me liberalizmin. Nëse liberalizmi i Nanos prodhoi një korrupsion që riktheu të djathtën në pushtet, çfarë mund të prodhojë hiperliberalizmi i Ramës?!

Kjo është një pyetje që nuk mund ta bëjë Bora Muzhaqi./POLITIKO

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco