Tragjedia në sofër

Tragjedia në sofër

Nga Sonila Meço - 30/06/2023

Më shumë se një herë, aromës së luleve të qumështit, jargavanëve dhe trëndafilave ndanë rrugicave nazike të Tiranës, apo lagjeve të kuruara të saj i bashkangjitet një erë e rëndë cigaresh hashashi, që në përpjekjen për të thithur gjithë atë parfum natyral lulesh erëmira të çan flegrat e të jep një kollitje bezdisëse sa mbyll hundët gjer në daljen e atij “kurthi” mbytës.

Dhe si për të të plandosur gjer në fund, kutërbimi shoqërohet me poteren e 14-15 vjeçarëve, që as nuk fshihen, as nuk frenohen kur u kalon pranë, përkundrazi të ngulin shikimin me gjysmë krenari e gjysmë bezdi teksa thithin edhe më fort tymin e hashashit nga cigarja në gishtat e njomë. Tmerr!

Kam plot miq, që më pohojnë të njëjtën gjë. Vendin e lojrave, poteres prej argëtimit nga sportet, kureshtive të pazararta adoleshentore e ka zënë një re dehëse e frikshme drogërash, që lehtësisht e gjithnjë më këmbëngulëse po hyn në gjakun dhe përmidis neuroneve të fëmijëve e adoleshentëve. Si një urë e sigurt drejt përdorimit të drogërave më të forta, të cilat në rritje po i konsumojnë edhe prindërit e tyre.

Jo më larg se pak ditë më parë OKB na informoi zyrtarisht se Shqipëria është një nga vendet kryesore tranzit të trafikimit të heroinës dhe kokainës të identifikuara nga Zyra e Kombeve të Bashkuara kundër Drogës dhe Krimit.

Sipas raportit, në rrugët e raportuara të trafikut të kokainës dhe kanabisit midis Bolivisë dhe vendeve dhe territoreve të tjera deri në vitin 2022, Shqipëria ka lidhje direkte me Bolivinë për trafikun e kokainës.

Në grafikun e publikuar në raport, Shqipëria renditet e gjashta në botë, pas Marokut, Afganistanit, Pakistanit, Libanit dhe Republikës Islamike të Iranit. Në Europë, Shqipëria renditet e para duke lënë pas Spanjën dhe Holandën.

Raporti i përmend rrjetet shqiptare si të rëndësishme edhe në trafikun e kokainës, ku ata po zbatojnë një model biznesi “end to end”, që do të thotë një model, që përjashton palët e treta dhe e vetmenaxhon procesin nga fillimi në fund.

Sipas raportit, shqiptarët zënë peshë të konsiderueshme në numrin e shtetasve të huaj, që janë arrestuar në lidhje me kapjet individuale të kokainës. 25% e arrestimeve në nivelin e parë të tregtimit janë me origjinë nga Shqipëria.

Por kalojmë nga burimi e tranzitimi, tek përdorimi i drogërave në Shqipëri.

Shqipëria renditet e treta në botë për përdorimin e kokainës, sipas raportit të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin. Vendin e parë në listë e mbajnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 2.7 % të popullsisë të llogaritur si përdorues, në vend të dytë Mbretëria e Bashkuar me 2.6 % dhe Shqipëria e treta me 2,5%.

Me një përvijim logjik të thjeshtë, i bashkangjitet këtyre të dhënave edhe një raport tjetër i rëndësishëm, që e çon edhe më tej alarmin e një situate të jashtëzakonshme për çdo banor të këtij vendi:

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Raporti i Strategjisë Ndërkombëtare të Kontrollit të Narkotikëve 2022 e mban Shqipërinë në kategorinë e Juridiksioneve kryesore të pastrimit të parave pas përfshirjes së saj për herë të parë në vitin 2017. Kategoria nënkupton që institucionet financiare të vendit angazhohen në transaksione valutore që përfshijnë shuma të konsiderueshme të ardhurash nga trafiku ndërkombëtar i narkotikëve.

Në po të njëjtin itinerar logjik arsyetimi u vendos lajmi se Ambasada e Shteteve të Bashkuara njoftoi zyrtarisht: “Agjencia amerikane e luftës kundër drogës, DEA, ka hapur një linjë të re sinjalizimi për Shqipërinë direkt me qytetarët”. Pra, DEA Nuk mjaftohet vetëm me partneritetin zyrtar institucional për të marrë informacione në lidhje me trafikantët me origjinë shqiptare, por tashmë ka vënë në dispozicion një numër telefoni për ta kontaktuar në Whatsapp dhe një adresë e-mail-i kushdo, që ka informacion në lidhje me trafikun e narkotikëve apo dhe krimin e organizuar.

Thënë këto, po kaloj tek lajmet tona, të përditshmërisë sonë, të realitetit dhe jo perceptimit propagandistik të pushtetit. Disa kohë më parë policia goditi një rrjet të shitjes së drogës në Tiranë. Tregu i këtyre shitësve ishte fokusuar kryesisht në gjimnazet e kryeqyetit. Nxënësit janë kthyer në konsumatorë të rregullt të kanabisit, heroinës dhe kokainës, sipas të dhënave zyrtare të policisë. Vrik pas lajmit, mjekët konfirmuan me shqetësim, se rastet e të miturve që përdorin drogëra të rënda janë shtuar ndjeshëm. Madje sipas dëshmisë së një toksikologeje vajza nga 12 apo 13 vjeç janë paraqitur për të kërkuar ndihmë në spital për shkak të përdorimit të kokainës. Rastet emergjente janë të shpeshta gjatë fundjavës, për shkak të festave të shfrenuara.

Taksistë të ndryshëm me të cilët vetë kam biseduar më kanë treguar të lebetitur çfarë ndodh me minorenët e droguar, që shumë herë janë shtrirë pa ndjenja në sediljet e tyre duke u braktisur edhe nga shoqëruesit. Një pjesë e minoreneve hyjnë të droguara në taksi, duke lënë takime me burra në moshë edhe të avancuar, duke konsumuar pa asnjë drojë biseda pazaresh për drogëra dhe seks. Nga çdo cep i Tiranës, periferi e qendër.

Dhe tashmë nuk flitet për drogërat e lehta, por kokainën, që po dominon tregun. Dhe le të ndalemi pak këtu, pas kësaj ngarendjeje të llahtarshme në të vërtetat e rrezikut të madh, që ka hyrë në shoqëri.

Kokaina konsiderohet si droga e të pasurve. Pëtdoruesve rishtarë, por sidomos të përhershëm të saj u nevojiten shumë parà për të kënaqur nevojën e tyre, me mijra euro në muaj. Për këtë arsye përdoruesit e rregullt të kokainës i përkasin, më së shumti, shtresës së pasur, ose shumë të pasur të vendit, ata që kanë mundësi të shpenzojnë dhjetra mijra në mos qindra mijra euro në vit për përmbushjen e varësisë së tyre. Ndërsa një pjesë tjetër duhet të hyjë në borxhe, duke shkatërruar familje e tretur kursime, duke shitur gjithçka, apo duke vjedhur, një pjesë duke prostituuar.

Një hendek i frikshëm shoqëror krijuar nga pabarazia e parasë së pistë, kriminale, të trafiqeve e të korrupsionit, që shfaqet në majat e shumë rrokaqiejve fantazmë e që i bëjnë hije e karshillëk varfërisë së mbi 50% të shqiptarëve (shifër e Bankës Botërore).

Por për ta kuptuar edhe më tej hendekun e një ekonomie të zezë ushqyer dekade po jap një tjetër statistikë: Disa familje shqiptare shpenzojnë mesatarisht për të blerë kokainën po aq sa shpenzojnë të gjitha familjet shqiptare për edukimin e fëmijëve të tyre.

Dhe në fund do të rikthehem ku e nisa. Droga në Shqipëri dikur është konsideruar si një mundësi për t’u pasuruar shpejt dhe e shihnim me atë lehtësinë e papërballueshme të dëmit, që i bëhej atij tjetrit. Larg menderes sime.

Por e vërteta po na plaset fytyre ndryshe. Me minorenë në familje të varur nga hashash e kokainë, njerëz e familje shkatërruar nga borxhet, por edhe një grusht “elite”, që ka në dorë fatet e vendit dhe merr vendime “në interes të publikut”, si ai për legalizimin e kanabisit në këto kushte, apo me mosveprimin tek kokat e trafikut, duke u krenuar me shitësit e vegjël të dozave me gramë.

Por kur edhe vetë, kjo shtresë, sipas shumë dëshmive, për shkak të pasurimit të frikshëm prej korrupsionit  e lidhjeve me narko-trafikun shfaqet konsumuese e rregullt e “së bardhës”.

Pra ajo trullosje teksa kalojmë ndaj rrugicave e pallateve, ku avitet një kutërbim drogërash, ku hidhet pa drojë një shiringë, në ato festa e zyra ku thithet “miell” më shumë se ajër është vetëm sfondi i një tragjedie ku po vdes një sistem vlerash shoqërore e po rriten të dëmtuar fëmijët tanë.

Nuk di si mund të kthehen të qetë në shtëpi, pranë krijesave të tyre “elitat” tona vendim-marrëse, e t’i shohin në sy, ashtu të pafajshëm e të brishtë për t’u thënë: “Motivi i jetës sime je ti!” Vetëm nëse janë “të bërë” dhe mendoni u kemi lënë në dorë timonin e “autobusit” ku jetojmë me gjithsej, me çdo motiv tonin.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco