Lufta e re e hashashit të vjetër

Lufta e re e hashashit të vjetër

Nga Luçiano Boçi - 25/06/2023

Tek njerëzit e zakonshëm tingëllon disi absurde situata e lajmeve që vijnë për hashashin.

Ata shohin se si policia duket se është “e egërsuar” me kultivuesit, ndërkohë që kanë dëgjuar kryeministrin e tyre të deklarojë miratimin e mbjelljes së hashashit.

Publikut i ngjan se ka një mospërputhje brenda vetë shtetit sepse tek e fundit, parcelat aty kanë qenë, kultivatorët dihen kush janë, sikurse dhe përfituesit njihen botërisht.

Ndërkohë asgjë në të gjithë këtë histori nuk është as e çuditshme dhe as e rastit.

Historia e hashashit është e vjetër, mos të themi që nga kërpi i Hoxhës.

Por legalizimi i tij tashmë ka ndezur luftën e cila nuk plaste më parë për shkak të pranimit në heshtje e pa heshtje të krimit vertikalisht, nga kultivuesi deri tek kryepolici e pushtetari.

Gjithçka sipas devizës “bashkëkriminelë e bashkëpolitikë”, ku secili brenda paligjshmërisë nxirrte pjesën e majmë të përfitimit, në euro disa, në vota disa të tjerë e të dy bashkë në pushtet.

Tani që qeveria i dha vetes licencën për të dhënë licencat e mbjelljes së hashashit, çdo gjë ka ndryshuar.

Lufta ka plasur dhe territori duhet i pastër me qëllim që ai të ndahet qetësisht nga askush tjetër përpos atij vetë: kryekontrabandistit të fateve të shqiptarëve, Ramës.

Policia tani ka nxjerrë dhëmbët dhe nuk i bën syri tërr, sepse pas çdo aksioni sot, nisin e bëjnë llogaritë e përfitimit nesër, kur për ta fillon një periudhë e lumtur dhe pse jo gjysëm legale.

Sinoret janë duke u përcaktuar dhe dasma është gati.

Planet sapo kanë nisur dhe bandat më të fuqishme në Shqipëri me intuitë gjeneralësh lufte po vendosin vijat e parcelave e territoreve, pasi kanë marrë me kohë tundjen aprovuese të kokës së kryeministrit.

Tendosja është e madhe, sepse tregu është gjigand me një qarkullim vjetor miliona dollarësh e konkurrenca e rrugës do jetë përcaktuese.

Sot Shqipëria falë kësaj qeverisje hyn në dhjetëshen e parë të vendeve me prodhimin më të madh të hashashit.

Ajo mbulon 3.8% të sasisë botërore të hashashit kontrabandë që e përkthyer në shifra përbën një shumë marramendëse.

Ndërkohë ky fakt e bën qesharak vendimin për legalizimin e tij dhe kufizimin e prodhimit të tij në vetëm disa qindra hektarë siç pretendohet në ligjin tallës të legalizimit për qëllime mjekësore.

Vendi ynë dihet botërisht e provuar faqe të gjithëve që nuk ka kapacitete siguruese dhe kontrolluese për gjëra dhe më bazike e jo më të kontrollojë prodhimin lakmues të hashashit.

Për më tepër ky legalizim është dëshmuar se nuk sjell të ardhura në buxhetin e vetë shtetit. Vendet që e kanë aplikuar, (disa, shumica aziatike) kanë dëshmuar se hyrjet përfituese në buxhet të shtetit nga hashashi mjekësor janë vetëm 1%, ndërsa kontrabanda është dhjetëfishuar.

Lejimi i tij është thjesht lojë për të ligjëruar një trafik shumëllojesh e shumëplanësh.

Implikimi i politikës, i policisë e i krimit do të njohë tani një stad të paparë me shije lufte e paqe.

Dhe ethet e arit jeshil duket që janë ndezur. Grupet kriminale tanimë me licence e me bekimin e shtetit do hyjnë në një hulli prodhuese dhe pastrimi parash të tjera frenetike.

Koperturën e e kanë dhe mbështetjen e kanë.

Ndaj lufta do jetë e ashpër dhe konfliktet paralajmërohen të forta.

Përfituesi më i qetë sot do jenë zyrtarët e fushave specifike dhe dora vetë politika, e cila shton jo vetëm burimet financiare të mbështetjes por dhe burimet njerëzore, sepse dhe sot rrjeti që merret me ciklet e hashashit është ndër rrjetet me numrin më të madh të vetëpunësuarve dhe të punësuarve.

Ata që do të marrin goditjen ekonomike e sociale si pasojë e kësaj lufte do jenë qytetarët, fermerët e mbi të gjitha vota, rrjedhimisht dhe sistemi politik e demokracia.

Amoraliteti i Ramës nuk njeh kufij.

Hashashi do fillojë të hajë koka në parajsën e ballkanit ku trullosja nga tymi ka kohë që ka trullosur politikën.

Luftë të mbarë, është urimi që doli nga Rama në momentin e miratimit të legalizimit prej tij.

Tashmë pushteti politik në Shqipëri buron nga gjethja e hashashit e simotrave të tij!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco