Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Gabriel Escobar 'sikleti' diplomatik i DASH

Basha si një kumarxhi i humbur që hyn dhe del nga kazinoja politike

Basha si një kumarxhi i humbur që hyn dhe del nga kazinoja politike

Nga Ndriçim Kulla - 19/06/2023

A nuk ju duket Basha si një kumarxhi, ku politika është kazinoja  e tij, në të ciliën ai futet dhe del i humbur gjithmonë?

Është e çuditshme që një i humbur të vërdalloset kaq shumë në fushën e politikës pa një medalje sado dhe modeste! Ky është së paku perceptimi im si qytetar. Po çfarë e nxit vallë, kush e shtyn dhe cili e sponsorizon?

Është normale t’i bëjë këto pyetje edhe çdo taksapagues ose njeri që ka sadopak ndjeshmëri ndaj politikës dhe eksponentëve të saj.

Mbas një inekzistence ose i bërë “firarë” të gjatë në politikë,  ku nuk bëzari asgjë, asnjë fjalë, ku nuk shprehu asnjë shqetësim Lulëzim Basha, as në parlament as gjetkë në publik, ja ku erdhi çuditërisht si një fenomen i rrallë.

Dikush thotë dëgjojeni mirë këtë njeri se ka reflektuar dhe ka një plan të madh për politikën, çfarë nënkupton ringritjen e PD-së.

Do ishte shumë interesante t’i besoje kësaj dëshire, aq më shumë kur bëhet fjalë për ndryshim. Po a mund të besohet dhe në fund të fundit, çfarë arsyesh ka për t’u besuar?

Mirë që do të rikthehet sërish, sepse ajo është një e drejtë e pamohueshme e gjithkujt. Shumë burra të shquar janë rikthyer në Europën Perëndimore  mbasi janë larguar për shumë kohë madje dhe dekada dhe me rikthimin e tyre kanë korrur sukses të papërsëritur. Kjo është një kulture që duhet respektuar se vetë Perëndimi e ka provuar të të mirën e saj. Por duhet cilësuar se ata politikanë që kanë rezultuar të suksesshëm më parë, kanë lënë gjurmë të thella për të mirën e përbashkët të popujve të tyre si vendimmarrës. Kanë humbur ose janë dorëhequr për momentin, për arsye etike, se projekti nuk iu ka ecur me ritmet dhe pritshmëritë e kërkuara. Etika e përgjegjësisë është ai instrument i ndërgjegjes klasike së çdo politikani, e  përshtatshme për të ruajtur normalitetin dhe freskinë e jetës shoqërore dhe është bërë një normë magjike që nga koha e Aristotelit. Kur e provon politikën një herë, dy herë, tre herë, katër here… çfarë kërkon të bësh më herën e pestë ose të gjashtë?! Politika nuk është një mjeti ekzistencial i jetës tënde personale, për të jetuar në begati apo për të bërë biznes. Politika është një profesion për të ushtruar një veprimtari   publike, nëse ke talent dhe aftësi, dhe është strukturuar mbi normat dhe parimet e saj funksionale. Në fakt më parë e kam mbështetur fort dhe shumë  Bashën, prandaj sot kam durimin t’i ribëj një pyetje legjitime atij. Pse po kacavirresh në mënyrë aspak dinjitoze mbas postit të kryetarit të partisë kur ke kaluar stërprova se nuk je i aftë?! E ke kthyer këtë ambicie në një loje interesash. Pas gjithë këtyre dështimeve që kanë ndodhur në politikën tënde, përse e do vallë më këtë detyrë? Për privilegje? Apo nuk çmësohesh dot pa badigardë?

Tani më nuk ka dyshim se Lulzim Basha do të shpallet fitues i garës për kryetar brenda PD-së dhe pavarësisht se fitorja do jetë në xhepin e tij, përsëri nuk e beson askush. Këtë përfundim ta sjell vet fabula e këtij aksioni. Shkon Basha diku, bën një fotografi të mistershme diku me 10-15 veta dhe e shpërndan nëpër media dhe mediat ia transmetojnë dhe botojnë sikur po promovojnë yllin e shpresës. Mungojnë intervistat, mungojnë gazetarët, mungojnë kamerat, mungojnë debatet, mungojnë kriteret e publikimit, por s’ka asnjë rëndësi për skenaristët.

Nuk përjashtohet që më parë të kishte filluar të promovonte një projekt të gjatë me shkrime, biseda, ku të artikulonte projektin e rikthimit. Kjo do ngjiste disi, do t’i krijonte pak vlerë dhe ndoshta do afirmonte pak besimin e tij të humbur tek qytetarët e thjeshtë, të cilëve u ka bërë shumë dëm. Por jo, ai iku. Nuk u bë më i gjallë vetëm në rastet kur kishte datën e mosdjegies së mandatit  u duke në parlament. Ndërsa tashti Basha u kthye papritur si me telekomandë. Dhe  automatikisht hyri në rol me axhendën e tij okulte, duke rifilluar një aksion kulisash dhe presionesh për t’u vetëbërë si kryetar i partisë së vulës për   vitet e ardhshme. Datën 29 korrik, e caktuar me ultimatum, sigurisht është menduar si një datë për t’u rizgjedhur sërish prej adhuruesve të tij të flaktë, të cilët i privilegjoi në lista të sigurta për t’u bërë deputetë ose me benefite të tjera që i mundëson posti i kryetarit të partisë.

Edhe pse çdokush e di se Basha ka humbur dhe vetëm ka humbur, si në zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe zgjedhjet lokale, që nga viti 2017, ai do që të ribëhet kryetar me çdo kusht. Nuk e di se çfarë do të bëjë në 29 korrik 2023, me çfarë parimi pretendon për t’u rizgjedhur, çfarë projekti ka shpalosur për ta kthyer eksperiencën e humbjeve dhe të gafave dramatike ne politike në rrugë të suksesshme?! Këtë gjë e di Basha vetë, dhe një grusht militantësh të kalamazgjedhur prej tij që numërohen me gishtat e dorës. Këtë e them për një arsye të thjeshtë, se Basha, megjithëse u bë kryetar partie dhe i mbështetur pothuaj nga të gjithë, për fat të keq dhe për zhgënjim të gjithë demokratëve   nuk u bë dot lider i provuar.

Gjatë periudhës së çadrës, me ndihmën e intuitës time të krijuesit, duke e vëzhguar Bashën nga afër, live, vura re se ai e vuante shumë faktin që nuk kishte aftësi për të qenë lider, ndryshe nga shumë deklarime të mia të mëparshme. Më vonë me ndriçimin e shumë dritëhijeve për mjaft ngjarje që rrodhën kuptova se një nga qëllimet e çadrës ishte që ai të krijonte imazhin sikur ishte lider. Basha e kishte kuptuar gabim të qenit lider. Ai përpiqej të krijonte imazhin e liderit duke trashur zërin, duke imituar dikë tjetër, duke bërë gjeste, duke bërë kërcënime. Pra, po të krijonte dyshimin se të gjitha këto nuk kishin lidhje me natyrën e tij, se ai nuk kishte guximin për t’i bërë ato që thoshte. Të binte në sy që kishte frikë të madhe se po kuptohej që ai thjesht po bënte blof.

Sot ai po shfaqet si një bixhozxhi i humbur në politikë, madje  turpërisht ka dështuar, por sipas logjikës së  tij, s’ka udhëtim tjetër veçse rrugës qorre, të provojë lojën e bixhozit dhe kur bëhesh lojtar i humbur në  këtë ves do ta vazhdosh përsëri, duke mbetur skllavërisht besnik i vesit tragjik të humbjes. Atëherë lind pyetja: Përse i duhet partia Bashës që kërkon me kaq këmbëngulje që ta mbajë? Atëherë çfarë rizgjedhje kërkon Basha kur projekti i tij është refuzuar në mënyrë spektakolare? Sipas resë së zezë që duket në horizont, Basha ëndërron tragjikisht, se mund t’i vazhdojë më tej në hapësirat konjukturale të krijuara nga ambasadorja Yuri Kim dhe mund t’i mbetet një mundësi për t’u katapultuar diku në rolin që i ka akorduar  verbalisht armiku i pluralizmit dhe bashkëpunëtori i McGonigalit në takimin e majit të 2017, për t’i shërbyer sadopak në betejat e ardhshme të vështira që me siguri do ketë.

Siç u provua edhe nga zgjedhjet lokale të 14 majit , të  manipuluara dhe të grabitura forcërisht nga pushteti, prioriteti  i sotëm i mazhorancës qeverisëse është ky: të qëndrojmë në pushtet me çfarëdo mjeti, me çdo çmim. Basha si kumarxhi i kapur, peng që është, e ka të nevojshme qoftë dhe të vegjetojë.  Në librin e mirënjohur “Ferma e kafshëve”, kasta triumfatore e derrave, ashtu siç rrëfehet nga shkrimtari George Orwell, shpalli në një pikë të caktuar të bashkëjetesës se të gjitha kafshët janë të barabarta, por që ka disa kafshë më të barabarta se të tjerat. Dikush hamendëson se është vendosur në një spontanitet gjatë marrëveshjes Rama-Basha. Janë një sërë skandalesh të vazhdueshme gjatë gjithë viteve të qeverisjes, që e vërtetojnë analogjinë e profecisë oruelliane me anë flirtimit të konfiguruar në hije të kësaj  marrëveshje; ku luani që shqyen gazelën vepron kështu i shtyrë nga nevoja e mbijetesës, ai nuk lipset t’i japë llogari askujt, qoftë gjykatës apo popullit votues që e ka zgjedhur etj. Drejt një perspektive të tillë priret  ta zgjat rrugëtimin e tij politik në rolin e kumarxhiut të humbur Lulëzim Basha, i cili mund të ketë si primare vetëm ekzistencën e tij, me çdo çmim, vetëm për të mbijetuar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco