Pse lejohet Rama të shpërndajë 'non grata' në emër të Amerikës

Pse lejohet Rama të shpërndajë 'non grata' në emër të Amerikës

Nga Alfred Lela - 16/06/2023

Kryeministri i Shqipërisë e baret, hapësirën politike të Tiranës, me lehtësinë fodulle të Spartak Ngjelës. Avokati është i famshëm, apo të paktën kështu e paraqet shëmbëlltyra (parabola) publike, për sfidën që i bën gjithçkaje dhe gjithkujt, kur vjen puna te lidhjet dhe njohuritë e tij, që autori i paraqet thuajse si të mbi-këso-tokshme.  Si për shembull në rastin e një vizite në Uashington, kur në një bisedë me senatorë amerikanë ngriti gishtin sokratik lart dhe bërtiti: E e dini ju zotërinj kush është Xhorxh Uashingtoni?!

Sa u takon parashikimeve të avokatit me FBI, ato kanë dalë… në kahun e kundërt: agjencia e famshme amerikane erdhi në Tiranë, jo për të bërë arrestimet që profetizonte dhe dëshironte avokati, por nëpërmjet Charles McGonigal... për të vënë gjoba, në bashkëpunim me sekserë ndërkombëtarë, dhe zyrtarë të lartë të Edi Ramës.

Rama, mëgjithatë, arrin të na magjepsë përtej Avokatit, edhe pse thonë se disa mësime prej tij i ka marrë.

Një prej magjepsjeve që ai e rrotullon në duar si tespije dhe e shpërndan si nuskë, është autoriteti për të folur si përfaqësues i Amerikës në Tiranë dhe Ballkan. Më shumë se shefi i qeverisë shqiptare, ai ngjan me mëkëmbësin perandorak që ruan interesat e Fuqisë së Madhe.

Edhe në përplasjen treshe Prishtinë-Beograd-Uashington, Rama i qaset problemit më shumë nga pikëpamja dhe interesi amerikan se sa shqiptar; flet më shumë si anëtar i NATO-s se kryeministër i Shqipërisë.

(Gojët e liga thonë se ai kërkon të ndreqë një zembrek që është prishur në marrdhëniet me Uashingtonin pas rekrutimit që i bëri agjentit special të FBI, McGonigal).

Në këtë rol që i jep vetes në teatrin e ngarjeve, ai shkon edhe përtej qasjes politike, që deri diku mund të pranohet, dhe futet në hulli administrative. E bën dhe e ka bërë këtë sa herë ka shpallur, i pari, non grata-t amerikane në Shqipëri.

Për t'ia filluar nga fundi, edhe Albin Kurtit, i cili është shqiptar por i një republike tjetër, ia ngarkoi profilin publik me stigmën e non gratës amerikane.

Në fillim e rrodhi lajmin në mediat afër qeverisë, pastaj po nëpërmjet tyre, fabrikoi një pyetje për non gratën, që me gjasë amerikanët e kanë gati për Kurtin, dhe në përgjigje nuk ngurroi ta zbulonte qëllimin duke e lënë aq të mbarsur me aludime, sa dukej se vendimi për Kryeministrin e Kosovës ishte çështje postare, jo vendimi.

Non grata nuk erdhi për Kurtin, por një tjetër ka ardhur më parë për kundërshtarin e tij klasik, Sali Berishën. Rama e shpalli një vit para se shpallja të mbërrinte zyrtarisht. Me diferencë kohore, bëri të njëjtën gjë edhe kur britanikët e dizajnuan ish-kryeministrin shqiptar.

Amerikanët përdorin shprehjen it’s gonna eventually catch up to him, që e shqipëruar trashë do të thotë: “do të bjerë vetë në gropën që e hap për të tjerët", por nuk është këtu çështja.

Pyetja është, pse lejohet Edi Rama të flasë në emër të Amerikës, të thotë se e njeh Xhorxh Uashingtonin më mirë se amerikanët!!!

Mirë ai që ia lejon vetes shijen e keqe, kitsch-in politik, po përfaqësuesit e Uashingtonit pse heshtin? Nuk marrin seriozisht Ramën, apo nuk marrin seriozisht non grata-t që ata vetë prodhojnë?

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco