Roli parësor i Amerikës në zgjidhjen e krizës dhe prirja antikosovare e Ramës

Roli parësor i Amerikës në zgjidhjen e krizës dhe prirja antikosovare e Ramës

Nga Ndriçim Kulla - 16/06/2023

Si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë, të gjitha palët e politikës janë të një mendjeje sa i përket domosdoshmërisë së rolit të posaçëm amerikan në vend dhe në rajon. Në Shqipëri nuk ka asnjë forcë, sadopak të rëndësishme politike, që të kërkojë ndalimin e ushtrimit të këtij roli nga ana e SHBA në rajon.

SHBA e ushtrojnë rolin e tyre në rajonin tonë me kujdesin më maksimal për të respektuar ligjet kushtetuese të vendeve përkatëse, dhe këtu flas para së gjithash për Shqipërinë, duke ndërhyrë atëherë kur është kërkuar ndihmë dhe asistencë, jo duke e imponuar këtë gjë. Ajo që mund të shihet si ndërhyrje amerikane në punët e brendshme të vendit, është në fakt një përgjigje e kërkesave zyrtare të të gjitha qeverive të pas vitit 1990 në Shqipëri për ndihmë dhe asistencë amerikane për ndërtimin dhe funksionimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Kësaj kërkese, SHBA i janë përgjigjur me angazhimin e tyre, duke u treguar të ashpër me politikanët hileqarë, jo me popullin shqiptar, që në fund të fundit ka qenë viktimë e këtyre politikanëve. Prandaj dhe angazhimi amerikan ka qenë dhe mbetet i mirëpritur me sinqeritet nga populli shqiptar, edhe atëherë kur politikanët e çdo lloji nxjerrin pengesa e bëjnë intriga duke keqpërdorur Amerikën, por që në të vërtetë kanë si arsye rrezikun që ndjejnë politikanët tanë se institucionet që po ndërtohen me mbështetjen amerikane do t’u heqin atyre mundësinë që këtej e tutje të keqpërdorin pushtetin.

Përmes fantazmave të luftës ballkanike, sot në Veriun e Kosovës, nacionalistët serbë me në krye presidentin Aleksandër Vuçic po orvaten ta kthejnë sërish Ballkanin Perëndimor në një realitet lufte me trazirat e orkestruara dukshëm në tri komuna me shumicë serbe. Dhe kjo ndodh për arsyen e qartë se qeveria e Kosovës po ushtron autoritetin e saj për të mbrojtur ligjshmërinë e zgjedhjeve të bëra të cilat u bojkotuan nga serbët. Reagimet e Departamentit të Shtetit, që në fakt më parë i kishte këshilluar autoritetet kosovare që këto zgjedhje të zhvilloheshin, ndërsa evropianët jo, ishin një furtunë e vërtetë. Dëgjuam deklarata atipike, që ishin sa kërcënuese, aq dhe këshilluese. Ato fillimisht na dhanë përshtypjen se Zeusi në Olimp ishte zemëruar me Albin Kurtin dhe qeverinë e Kosovës dhe nga ky moment do shkundte tërë rrufetë mbi Kosovën për ta lëshuar atë në humnerë. Në fakt, në çfarëdo gjykimi të ftohtë, kjo ishte e gabuar. Sepse këto trazira ishin dhe mbeten një kurth, pavarësisht dhe nga mungesa e ndonjë konsultimi me ndërkombëtarët të z.Kurti. Një kurth i hapur nga Vuçiçi për zotin Kurti, pabesueshmërisht edhe me ndihmën e kryeministrit shqiptar z.Rama. I ndyrë, me kulisa, natën, fshehurazi si gjithmonë, mbrapa kamerave dhe mikrofonave, duke pasur shtytje të brendshme frymëzimin zenitist të miteve serbe. Për kritikat e administratës amerikane kundrejt Kosovës Janush Bugajski, analist prestigjiox amerikan i çështjeve ballkanike deklaroi se: “Ky është problemi, që kjo administratë po e fajëson një shtet që përpiqet ta zbatojë marrëveshjen, rezultatet e zgjedhjeve”, duke shtuar se “nuk mund ta mbështesësh demokracinë dhe ta minosh demokracinë në të njëjtën kohë.” SHBA dhe BE mund t’i shmangnin trazirat e Zveçanit nëse do të kishin bërë presion për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje ose që zgjedhjet të shtyheshin në kohë dhe me më vendosmëri. Por në vend të kësaj, ata e njohën shprehimisht legjitimitetin e zgjedhjeve të pakuptimta” – shkruan Thomas Roser, nga “Frankfurter Runndschau”.

“Nuk jam i vetëdijshëm për mendimin aktual të kryeministrit Kurti për çështjen specifike të kryetarëve të komunave. Por, ai është një liberal demokrat i vdekur që beson në të drejta të barabarta sipas ligjit. Ai është gjithashtu ajo që unë do ta quaja një “sovranist”. Kurti beson se Kosova është dhe duhet të veprojë si një shtet sovran. Këto dy karakteristika e bëjnë vendosjen e kryetarëve të bashkive në një lëvizje logjike”, deklaron profesori amerikan Daniel Serwer mbi këtë krizë. Ndërsa britanikët janë shprehur  më të shqetësuar për qëndrimet e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. “The Guardian” shkruan se SHBA dhe BE po ‘kërcënon’ një aleat dhe se janë duke vepruar gabim me deklaratat e tyre të thëna pas tensioneve në veri të Kosovës. Në këtë panorama të shkurtër perceptuese mbi krizën e disa ditëve më parë që po vazhdon, e cila shpreh pashmangshmërisht edhe tensione diplomatike për zgjidhjen e problemit, si çdo lloj krize, tregohet përkushtimi vigjilent i diplomacisë perëndimore për sigurinë ballkanike dhe sidomos në kontekstin e flakëve të luftës në Ukrainë, ku pa dyshim që faktori amerikan është pararoja.

Kur sekretari Blinken e fton ministren e jashtme të qeverisë aktuale të Kosovës për bisedime dhe në Riad ajo qëndron në krah të tij, të gjithë ne nënkuptojmë një mesazh të qartë se kjo krizë përveçse ështe e komplikuar, arroganca dhe nervozizmi kthehen shpejt tek arsyeja dhe bashkëpunimi normal. Siç e konfirmon edhe vete z.Eskobar protagonist në këtë krizë, në një prononcim larg tensioneve dhe nervave që krijon zgjidhja e saj “Kurti është partneri ynë edhe pse në ndonjë rast është i vështirë”. Dhe kjo është e vërteta. Në këtë atmosferë të flakëruar, të cilën konteksti i luftës ruso-ukrainase pa dyshim e bën edhe më delikate, paralajmërimet e kobshme të Edi Ramës mbi “predhat” e sanksioneve perëndimore mbi Kosovën jo vetëm që nuk shprehin gjendjen reale të tyre, por përkundrazi, ato janë shprehje e tekave të tij hakmarrëse në llogari të orvatjeve të dështuara për ndarjen e Kosovës në një kohë që Kosova duhej të kishte ndihmën dashamirëse të kryeministrit shqiptar.

Edhe në këtë krizë, Amerika e përkushtuar është në krye të aksionit diplomatik për zgjidhjen e saj. Por nga këndvështrimi i interesave kombëtare, bie shumë në sy dhe të çudit prirja antikosovare e Edi Ramës, si në dramatizimin e gabimeve të qeverisë kosovare, ashtu dhe në qasjen aspak të përshtatshme që ka ndaj rolit destruktiv të Beogradit dhe të mikut të tij okult, Aleksandër Vuçiç.

“Ne duhet të angazhohemi në mënyrë agresive në Ballkan për të mbrojtur paqen, sepse tani nuk mund ta përballojmë shuarjen e zjarreve të vërteta në atë rajon", shprehet anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, Chris Murphy, pas kthimit në Uashington nga një turne ballkanik, në lidhje me krizën.

Ballkani Perëndimor përveçse një hapësirë është edhe një fazë në kohë, është një nga fazat e kalimit të vendeve të këtij rajoni nga Ballkani për në Bashkimin Evropian.

Roli i SHBA në këtë krizë përmes përballimit dhe zgjidhjes së saj është i pazëvendësueshëm sa i përket sfidës së influencës së Rusisë dhe Kinës. Në mungesë të faktorit amerikan, BE nuk do të ketë tani për tani atë fuqi që do të mundte të përballonte presionin e faktorit rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco