Rilindasit sot, si kusarët dje: O votën, o rrogën!

Rilindasit sot, si kusarët dje: O votën, o rrogën!

Nga Agim Xhafka - 14/06/2023

Nuk mendoja se në plazh, shtrirë në shezlong, me sytë nga Karaburuni dhe flladitur nga një erë e freskët, do më shkonte mendja te votimet e 14 majit. Nga që kaloi një muaj e nga që më është mbushur mendja top që partia socialiste ka vite e vite që vjedh e grabit zgjedhjet. Por ja që ngjitur ishin një familje me tre breza. Babai dhe nëna me tre fëmijë të vegjël e dy të moshuar që mësova ishin gjyshërit, prindërit e gruas.

Mes gazit të tyre dëgjova:

- Baba, rrofsh që nuk u vonove në votim atë ditë, - i foli gruaja, nëna e fëmijëve.

- Unë s’do votoja fare moj bijë, ka vite që asnjë lekë nuk na e ka rritur pensionin, - tha gjyshi.

- Edhe unë nuk do shkoja fare, por na ngrite ti me ato ulërimat e tua, - qeshi gjyshja.

-Ju ulërita se dhe mua më ulëritën shefat. Ku i ke prindërit moj, më gërthisnin. Thuaju të shkojnë te qendra e votimit, të hedhin fletën për ne se ndryshe do të të flakim nga puna-shpjegoi e bija që kuptova më pas punonte në ministri.

Fjalë pas fjale mësova pa dashje që gruas i dinin me emër dhe mbiemër, me adresë, me numër telefoni, moshë, gjini jo vetëm prindërit e saj. Por plot 26 veta që ishin të lidhur me të. Vëllain, gruan e vëllait, motrën, burrin e motrës, dajën e gruan e tij, hallën e burrin, xhaxhain e kështu, kështu një listë plot.

Që para tre muajsh gruas që punonte në ministri i dhanë ultimatum, në se donte ta ruante vendin e punës të çonte në kutitë e votimit këta 26 personat e t’ua bënte të qartë rrezikun në se nuk do votonin rilindjen. Kjo listë u shpërnda në disa mbikëqyrësa se 26 votuesit qenë me banim në zona të ndryshme. E rrodhi fjollë çdo gjë deri pasdite kur një sms i kujtoi gruas që babai e nëna e saj nuk po e lëviznin hiç bythën prej shtëpie.

Pra nuk po hidhnin votën për rilindjen. Çoji vetë ose nesër mos u duk në zyrë, i mbërriti sms-ja tjetër. Gruaja u bërtiti prindërve, më pas ua tha hallin, në fund nisi të qajë. Babai, nëna nuk duruan dot. Shkuan e votuan kundër bindjes së tyre.

Pikërisht në çastin kur dëgjova që gjyshi e gjyshja shkuan votuan e gruaja u thosh atyre, tani tamam-tamam punën e kam prej jush, në tv-në e lokalit te plazhi transmetohej 82 vjetori i themelimit të PS-së. Rama vuloste zgjedhjet me fjalët ‘Fitore e merituar’. 

Mua portreti i tij më ngjau fiks me cubat e mesjetës,nga që me mjekër ishin dhe ata, që u dilnin njerëzve në rrugë me kërcënimin: ‘O jetën,o kuletën!’ Por kohët kanë ndryshuar. Tani ka evoluar kërcënimi, është bërë: ‘O votën,o rrogën!’

Gruaja tani pushon e qetë në bregdet. Shteti është tej mase i qetë. Vjedhjet vazhdojnë njësoj. Bëhen qetësisht dhe kryesoja; bëhen dhe ligjërisht…

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco