Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët protestë para Bashkisë së Tiranës

Pse Albin Kurti e pengon Edi Ramën

Pse Albin Kurti e pengon Edi Ramën

Nga Armand Shkullaku - 12/06/2023

Një ditë përkujtimore, si ajo e hyrjes së trupave të NATO-s dhe çlirimit të Kosovës nga represioni serb, kryeministri Edi Rama e ka shfrytëzuar përsëri për të goditur Albin Kurtin.

“…Sot është dita për të reflektuar thellë e për ta nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku ku e ka futur grindja absurde me aleatët! Kosova duhet të dalë patjetër prej qorrsokakut me dialog jo me policë, me ide konkrete jo me propagandë, me miq të mirë jo me keqtrajtim të miqve!”, shkruan Rama.

Kryeministri shqiptar, sigurisht mund të kishte zgjedhur një mesazh më përbashkues e më solidar, në vend të thellimit të hendekut me pjesën tjetër të kombit. Ai mund të kujtonte pikërisht në këtë ditë se Kosova, prej gati çerek shekulli është tashmë një realitet, të cilin sa më shpejt ta njohë Serbia, aq më afër do të jenë paqja dhe stabiliteti në Ballkan. Edi Rama kishte mundësinë që sot të përkujtonte edhe sakrificën e atyre që bënë të mundur intervenimin e NATO-s, e që sot gjenden pas hekurave në Hagë. Mund të shkruante gjithashtu se në një kohë të shkurtër, Kosova ia ka dalë të jetë shteti më demokratik në rajon dhe, pse jo, t’i shprehte mbështetje qytetarëve atje se Shqipëria do jetë përkrah tyre në sfidat e vështira me të cilat po përballen.

Por në vend të një mesazhi të tillë, Rama zgjodhi ta caktojë veten në një lartësi sipërore, nga ku jep rekomandime ultimative se Kosova duhet “të dalë patjetër” prej qorrsokakut ku sipas tij gjendet sot. Dhe ky qorrsosak qenkan policia e Kosovës në veri të vendit, propaganda e Kurtit dhe keqtrajtimi i miqve aleatë. Rama ka shkuar edhe më larg se sa kritikat e vetë ndërkombëtarëve, ndaj pozicionit të Albin Kurtit. Ndërkohë, në asnjë fjalë të vetme nuk përmend as shkakun se përse ATO u detyrua të intervenojë ushtarakisht 24 vite më parë dhe as shkakun e vërtetë të konfliktit në veri të Kosovës.

Askush nuk po i kërkon kryeministrit shqiptar të thotë atë çka deklaroi një javë më parë homologu kroat se, përsa kohë Serbia nuk e njeh realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane, për aq kohë tensionet në këtë pjesë të Ballkanit do të vazhdojnë. Rama mund të mos e ndjejë të nevojshme apo mund të mos e ketë fuqinë t’u tregojë aleatëve të mëdhenj, se njohja e Kosovës nga Serbia është parakusht për marrëdhënie të mira e stabilitet, por pse duhet që lideri i Shqipërisë, sapo i jepet rasti, të tregojë me gisht si përgjegjës për “qorrsokakun”  Prishtinën zyrtare.

Arsyeja e kësaj sjelljeje të një kryeministri shqiptar, në një moment delikat për Kosovën, nuk duhet kërkuar te shqetësimi i tij për prishjen e Prishtinës me aleatët. As tek teoritë e konspiracionit se ai po luan në prapaskenë një axhendë të kurdisur nga Vuçiçi. Është diçka më e thjeshtë.

Ramën e pengon personaliteti i një lideri si Albin Kurti në Kosovë. Duke dashur që të jetë violinë e parë në rajon përballë auditorit perëndimor, ashtu si Vuçiçi për serbët në anën tjetër, mosndikimi i tij tek Kurti ia ka ulur disi relevancën sidomos në momente vendimtare. Rama nuk mundet të jetë negociatori kryesor bashkë me Vuçiçin për çështjet rajonale, pa përfillur Prishtinën. Me Albin Kurtin i ka ngecur sharra në gozhdë.

Dështimi i Ballkanit të Hapur, të cilin Rama e Vuçiç e paraqitën përpara botës si projektin e paqes e bashkëpunimit rajonal, ishte guri më i rëndë që Kurti ua vuri në qafë për të llogaritur peshën e Kosovës në çdo marrëveshje tjetër të mundshme. Po kështu, të gjitha lëvizjet e tjera të Kurtit në raport si me Serbinë ashtu dhe me faktorin ndërkombëtar, e bënë të qartë se për Kosovën ka një qendër me të cilën duhet negociuar.

Zbehja e rolit të Ramës në skakierën rajonale, zhbërja e delirit të tij për t’u paraqitur si lideri që do sillte paqen e munguar shekullore mes shqiptarëve dhe serbëve, janë arsyeja që e kanë vënë Kurtin në shënjestrën e tij. Rama nuk dëshiron një personalitet të fortë në Prishtinë, që merr rol kryesor në raport me perëndimin, por dikë që t’i shkojë pas projekteve të tij që t’ia shesë perëndimit.

Kjo është arsyeja kryesore, që sot, kur Kurti gjendet në një moment delikat me aleatët ndërkombëtarë, Rama po bën çmos t’i japë një të shtyrë më shumë për ta rrëzuar. Që nga loja për të vënë asociacionin e komunave me shumicë serbe si një mjet presioni ndaj Kurtit ashtu edhe te mëshimi që i bën idesë se ky i fundit po e izolon Kosovën duke “keqtrajtuar miqtë”.

Por veç arsyes së protagonizmit rajonal, që shërben për të fituar mbështetje ndërkombëtare për të toleruar korrupsionin dhe deformimin e demokracisë në Shqipëri, Rama po e lufton Kurtin edhe si një model që e nxjerr zbuluar mënyrën e tij të të bërit politikë. Kurti po qëndron përballë aleatëve, duke besuar tek parimet për të cilat e kanë votuar. Ai është e kundërta e Ramës, që është i gatshëm të thotë “yes” për gjithçka, mjaft që të mos i rrezikohet karrigia e tij. Madje është i gatshëm të lobojë e joshë mbështetje ndërkombëtare, vetëm e vetëm në funksion të pushtetit të tij. Kurti nuk e ka këtë merak dhe fuqinë e tij elektorale, që i buron pikërisht prej këtyre qëndrimeve, liderë si Rama detyrohen ta blejnë nëpërmjet lobimeve e premtimeve. Nëse Kurti pushtetin e ka një mjet në funksion të idesë së tij për Kosovën, Rama pushtetin e ka shndërruar në vetmin qëllim të ekzistencës së tij.

Dhe në fund, përtej Albin Kurtit, Kosova është një shtet ku pushtetet ndërrohen me votën e lirë të qytetarëve, ku e ku më larg se regjimet në Tiranë e Beograd.

Mjaftojnë këto, për të kuptuar sjelljen e Ramës karshi Kurtit, për të lexuar mesazhin e tij të fundit në përvjetorin e hyrjes së Nato-s dhe për të shpjeguar sulmet e koordinuara të milicëve të tij të propagandës kundër qeverisë së Kosovës./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco