Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Gabriel Escobar 'sikleti' diplomatik i DASH

Amerika në vështrimin e Akademisë së Shkencave

Amerika në vështrimin e Akademisë së Shkencave

Nga Mehmet Elezi - 25/05/2023

Në internet qarkullon Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe(http://www.fjalori.shkenca.org/). Tridhjetë e dy vjet mbas shembjes së komunizmit, fjalori numerik ofron të njëjtat shtjellime komuniste, joshkencore, të një numri të madh fjalësh.

Te fjala AMERIKAN.

Kuptimi 3 i emrit amerikan: “bised. Ai që zbaton politikën e synimet e imperializmit amerikan, përfaqësues i qarqeve qeveritare ose pjesëtar i forcave pushtuese të SHBA”. Fjali ilustruese: “Krimet e amerikanëve në Vietnam”.

Kuptimi 2 i mbiemrit amerikan: “Që lidhet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose me banorët e tyre, që… ”. Tri prej fjalive ilustruese: “Imperializmi amerikan. Trupat pushtuese amerikane. Flota agresive amerikane…”.

Te fjala AMERIKANATË (e padëgjuar kjo fjalë, është krijuar në shkrimoren e zyrës?). Shpjegimi, kuptimi i parë: “Veprim që shkel rregullat e zakonshme të sjelljes në shoqëri, sjellje e shthurur; aventurë për të bërë bujë”. Shembull ilustrues: “Amerikanatë e çmendur”. Kuptimi i dytë: “Muzikë e shthurur.”

Te folja AMERIKANIZOJ. Dy kuptimet: “1. I jap tiparet e amerikanit; keq. e bëj si amerikan, i fut mënyrën amerikane të jetesës”; 2. E vë nën vartësinë ekonomike, politike e ushtarake të imperializmit amerikan”.

Më doli rastësisht emri BRACÍ. Shpjegimi: “Vjedhje gjërash të vogla”. Fjalia ilustruese: “Ballistët ishin të vetmit për brací”. Duket si fjali e dëgjuar në filmat e realizmit socialist ose në librat për fëmijë të kohës, ku ballistët portretizohen si hajdutë pulash (përfytyroni një personalitet si Mid’hat Frashëri, duke vjedhur vezë!).

Te fjala DEMOKRACI: “…Demokraci socialiste tipi më i lartë i demokracisë, formë e diktaturës së proletariatit, ku pushtetin e ka në dorë populli punonjës me klasën punëtore në krye dhe udhëheq partia e saj, ku masat e gjera punonjëse marrin pjesë drejtpërdrejt në qeverisjen e vendit, në drejtimin e ekonomisë, në hartimin e diskutimin e planeve ekonomike e të ligjeve, kontrollojnë veprimtarinë e organeve të pushtetit etj.”. Fjali ilustruese: “Demokracia proletare. Demokraci popullore formë e diktaturës së proletariatit…”.

Rrethanat pse është shkruar dikur kështu, janë të njohura. E panjohur është diçka tjetër: për ç’arsye Akademia e Shkencave vazhdon me e mbajtë gjithnjë këtë Fjalor në internet, nuk digjitalizon dot ajo një fjalor normal të gjuhës shqipe?

Duket se përgjigjja gjindet te pohimi i kryeministrit se institucionet kërkimore dhe bota akademike “në kohën kur është bërë Kongresi i Drejtshkrimit” ishin “të standardeve europiane”. Dhe te pohimi i kryetarit të Akademisë se “albanologjia duhet të kthehet aty ku hyri në 1972”! U bënë këto deklarata në ditët e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco