3 vjet nga 'vrasja' e Teatrit Kombëtar... t’i shpallim shembësit heronj kombëtar!

3 vjet nga 'vrasja' e Teatrit Kombëtar... t’i shpallim shembësit heronj kombëtar!

Nga Florjan Binaj - 19/05/2023

Me 17 maj u mbushën 3 vjet nga vrasja e Teatrit Kombëtar. Teatri Kombëtar, nuk ishte vetëm një godinë. Teatri Kombëtar ishte teatri i parë i ndërtuar pas teatrove të lashtësisë në Butrint, Apolloni, Orik, Bylis etj., Aty ka lindur ajo që është sot Akademia e Shkencave, ajo që është sot Universiteti i Arteve, Lidhja e Shkrimtarëve, Estrada e Filarmonia e Shtetit.

Po kujt i plasi, ai u shemb!

Nëpër ato korridore kanë ecur, dhe në atë sallë kanë luajtur Naim Frashëri, Kadri Roshi, Marije Kraja, Violeta Manushi, Drita Pelinku, e sa e sa të tjerë, po kujt i plasi prapë përveç atyre që duan të kenë kujtesë qytetare dhe diçka për të treguar e kujtuar, ai u shemb!

Është e vërtetë që e ndërtuan fashistët por ne mund të bënim të paktën aq saç bënë italianët që shembën fashizmin por jo godinat ndërsa ne, nuk e di për fashizmin por ne nuk kemi dënuar ende komunizmin por ama godinat e ndërtuara nga italianët nuk i kemi falur! Dhe prisni, prisni, s’keni parë asgjë akoma…

Godinat e kanë fajin! Madje kush dashuron godinat që nuk dashuron prishësin e tyre, është një e keqe e popullit!

Edhe godinat e ministrive duhet t’i shembim se janë ndërtuar nga fashistët!

Madje edhe universitetin ta shembim, jo këtë e kemi shembur prej vitesh nga brenda, ta shembim nga jashtë, e t’i ndërtojmë prapë që ajo forcë që do jetë në pushtet pas disa vitesh të ketë çfarë të shembë edhe kush do jetë në opozitë të ketë me çfarë të merret…na plasi neve, taksat e popullit janë se mos janë lekët tona…

 …dhe ndërkohë që prishim çdo gjë që nuk na rri me shijet liderëve të partive në mënyrë që askush të ankohet për shembësit dhe shembjen, nuk mbetet gjë tjetër veçse t’i hyjmë njëri-tjetrit!

Ka 3 dekada që përpiqet të shembet sistemi i vlerave në mënyrë që e keqja të ngjajë më e mirë se e mira dhe e mira të ngjajë më e keqe se e keqja! Që të ketë kuptim shprehja ishim mirë kur ishim keq!

Të shembet çdo ide ndryshe, të shembet kundërshtimi, të shembet gara, të shemben mundësitë, të shemben zgjidhjet që sjellin zgjedhje dhe zgjedhjet që sjellin zgjidhje!

Të shemben profesionistët sepse ata dinë të thonë “jo” kjo nuk është e mirë për atdheun!

Të shemben ëndrrat, me gjithë sirtarë e dollapë dhe të ëndërrosh të shpallet krim!

Të shembet shpresa, madje a ka mundësi ajo të shembet e të vdesë e para se na prish shumë punë po vdiq e fundit!

Të shembet familja, fëmijët t’i detyrojmë të emigrojnë dhe të hiqen edhe fjalët mami babi e të zëvendësohen me vota 1 dhe vota 2…

Të shemben talentet sepse i vetmi talent që i duhet një vendi që po shembet është talenti i shembjes…

Të shembet lashtësia në mënyrë që pushtuesit të ngjajnë vëllezër dhe historianët dhe arkeologët të ngjajnë pushtues.

Dhe pasi të kemi shembur çdo gjë e të mos ketë mbetur asgjë, të shpallim shembësit heronj kombëtar!

Sot, 3 vjet pas, të gjitha argumentet e sajuara për ta shembur Teatrin Kombëtar kanë rënë. Ne nuk jemi kundra një Teatri të Ri, por nëse ishte vërtetë kaq i domosdoshëm, deri tani do ishte ndërtuar!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco