Letër e hapur për Sekretarin e Shtetit Anthony Blinken

Letër e hapur për Sekretarin e Shtetit Anthony Blinken

Nga Hysni Gurra - 14/02/2023

Në vëmendje të shkëlqesisë së Saj, ambasadores në Tiranë.

I nderuar sekretari Blinken,

Edhe sot e kësaj dite megjithëse po bëhen plot dy vite unë e mbaj mend pothuaj përmendësh deklaratën tuaj të 21 majit të vitit 2021, ku ju akuzuat një nga njerëzit më të rëndësishëm të politikës shqiptare për ‘korrupsion domethënës’.

Fjalët tuaja ende bëjnë jehonë në vendin më pro amerikan në kontinent. Për të shmangur keqkuptimet unë po i riprodhoj.

‘Në cilësinë e tij zyrtare, veçanërisht si Kryeministër i Shqipërisë, ai ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë. Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies. Me këtë përcaktim, rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë.’

Këto fjalë unë, dhe besoj edhe të tjerë si unë nuk i kanë besuar atëherë.

Por sot unë  ju kërkoj ndjesë!

Koha, ky gjykatës i pagabueshëm ju ka dhënë të drejtë plotësisht. Më vjen turp që nuk u besova këtyre fjalëve të sipërshënuar më 2021.

Më vjen keq për veten që kam kaluar plot dy vite me dyshime. 

Fjalët tuaja të 21 majit të 2021,  ushtojnë sot në mendjen dhe zemrat e çdo shqiptari. Për fat të keq, kryeministri i vendit tim rezulton i përfshirë në korrupsion domethënës. Nuk e them unë. E thotë media ndërkombëtare, sidomos media amerikane, e thonë organizatat ndërkombëtare të specializuara, e thonë raportet e thonë faktet, dhe nuk ka shqiptar që nuk është i bindur. 

Por besoj se në fjalët tuaja ka patur vetëm një gabim të vogël.

Zyrtarët tuaj kanë bërë një gabim.

Gabim shtypi, i themi ne nga Shqipëria.

Më 2021 që prej 7 vitesh ishte kryeministër Edi Rama dhe jo Sali Berisha sikundër ua kanë paraqitur.

Për këtë shkak në tuiterin tuaj te 2021 ka dalë emri i Sali Berishës dhe jo i Edi Ramës.

Korrigjoni emrin dhe fjalët tuaja nuk i lëviz topi.

Sa për çështjen e korruptimit të zyrtarit më të lartë në historinë e FBI, këtë ja kemi lënë drejtësisë amerikane.

Shpresoj që edhe drejtësia e vendit tim të bëj punën e vet. Do të mbetem i zhgënjyer nëse nuk e bën. SHBA ka investuar milionë dollarë për reformën në drejtësi. Më vjen keq për taksapaguesit amerikanë si për taksat e mia.

Zoti sekretar i shtetit

Nuk mund të rri pa theksuar se sidomos te kjo pjesa e korrupsionit dhe masave llogaridhënëse…. keni qenë me të vërtetë profetik.

Edhe njëherë ndjesë se nuk ju kam besuar, por kjo ka ardhur kryesisht për mungesë të informacionit që kam patur.

Me konsideratë të lartë

Hysni Gurra

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco