Edi Rama, porositës i goditjes së Sali Berishës

Edi Rama, porositës i goditjes së Sali Berishës

Nga Genc Pollo - 06/12/2022

Lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha, u godit sot në mesditë ndërsa po u printe paqësisht mbështetësve të opozitës drejt një manifestimi pro-eruopian në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Bandat e Edi Ramës, në qeveri dhe në rrugë, u bënë sot një grusht i kuq i komunizmit për të goditur si frikacakë, ish-Presidentin, ish-kryeministrin dhe liderin historik të forcës së parë anti-komuniste në Shqipëri.

Në një retorikë të mbushur me sulme, të përfaqësuesve qeveritarë dhe të kryeministrit Edi Rama, ajo që ndodhi ishte e pritshme.

Gjuha e ngarkuar me dhunë ministrit të Brendshëm, kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste në pushtet dhe kryeministrit Rama, prodhoi sot goditjen e shefit të opozitës shqiptare.

Ky është një precedent i vrazhdë, fatkeq dhe anti-europian, frymëzuar dhe materializuar nga qeveria e Edi Ramës. Asnjëherë tjetër një kryetar i opozitës nuk është goditur në 30 vite politikë pas-komuniste në Shqipëri. Asnjëherë më parë që nga diktatura e Enver Hoxhës, një lider i opozitës nuk është goditur verbalisht kaq egër, dhe më pas porositur edhe sulm fizik ndaj tij.

Partia Demokratike dhe Froni i Shpëtimit të Shqipërisë identifikojnë Edi Ramën, si porositës të goditjes së Sali Berishës, dhe dorasin vetëm një mashë të mjerë dhune, që ka mbjellë në Shqipëri në 10 vitet e fundit Kryeministri.

Ne e dënojmë me forcë këtë akt i cili i vuri sot njollën e fundit të turpit tranzicionit politik shqiptar dhe e zgjati atë. Ky akt kërcënon paqen politike dhe sociale në vend dhe për të duhen mbajtur dhe do të mbahen të gjitha përgjegjësitë.

Çdo përpjeke për ta trembur Sali Berishën, për ta trysnuar opozitën, mbështetësit e saj dhe njerëzit e lire, është një përllogaritje e mjerë e atyre që mendojnë se milionat e vjedhur shqiptarëve dhe dhuna verbale dhe fizike do t’u mbyllin gojën.

Plaga në fytyrën e Doktor Berishës është maska që ra nga fytyra e Edi Ramës. Është një njollë turpi pikërisht në ditën, të cilën ai po e reklamonte dhe si të prosperitetit, stabilitetit dhe normalitetit.

Opozita nuk ia fal Edi Ramës këtë cënim të kodeve morale dhe politike. Ai është sot armiku ynë publik dhe politik, dhe me të do të ndeshemi me të gjitha mjetet që lejon mosbindja civile, dhe që bota demokratike i ka dëshmuar çdo ditë në të pesë kontinentet.

Partia Demokratike paralajmëron publikun të bëhet gati për variantet që do prodhojë narkoqeveria, policia politike dhe inceneratoro-media e tij. Ashtu siç i shpikën dhe iu shpifën Klodian Rashës e dhjetra viktimave të tjera të dhunës, edhe për Sali Berishën do të dëgjoni për pistoleta, drogë e pista të tjera.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco