Të fillojnë primaret. Jetike për PD është të iniciojë idetë dhe debatin në publik!

Të fillojnë primaret. Jetike për PD është të iniciojë idetë dhe debatin në publik!

Nga Indrit Hoxha - 11/10/2022

Për primaret është folur shumë në politikën shqiptare, por pak kush e ka marrë guximin ta propozojë si reformë politike, aq më tepër ta jetësojë atë. Ky është Sali Berisha gjatë fushatës së foltores, ku propozoi primaret si formën e vetme dhe kryesore të përzgjedhjes së kandidatëve për çdo nivel. Koha është tani për ta zbatuar, por pse primaret janë të domosdoshme?

Së pari ato t’i japin fund kalbëzimit të partitizmit shqiptar ku lobimet, brrylat, trukimet deri tek blerjet e përfolura të kandidimeve në nivel qendror apo lokal, ishin  bërë një kulturë e neveritshme për partitë tona të mëdha, përfshi këtu dhe Partinë Demokratike deri në zgjedhjet e fundit.

Së dyti, primaret sigurojnë një filtrim  gjithnjë e më të madh të kandidatëve, të profileve, të lidhjes së shoqërisë, të partive dhe për pasojë të mos humbjes së një kontakti të domosdoshëm që një strukturë duhet të ketë me shoqërinë.

Së treti, primaret duke dalë me një shumicë të gjerë mbështetëse sigurojnë një projektim më të madh në elektoratin e gjerë kur vjen puna në votim. Dikush që ka mbështetjen më të madhe në parti ka sigurisht mbështetjen më të madhe në elektorat, sepse është zgjedhur me parimin e primareve dhe nuk është caktuar nga forumet, kryesia, apo kryetari.

Por primaret kane difektet e tyre. Fakti që ato kanë disa difekte nuk do të thotë që ato do t’i shtyjmë pafundësisht. Primaret do t’i nisim dhe do t’i përmirësojmë rrugës. Primaret do të paraqesin sfidat e tyre.

Së pari, ato janë një vetëkalitje për partinë dhe një sfidë që partia të organizojë këtë proces të lirë dhe të rregullt zgjedhor. Këtë pretendim ne ja bëjmë qeverisë kur bëhet fjalë për zgjedhjet partiake, këtë pretendim ne duhet t’ja kemi dhe vetes për standardin e zgjedhjeve të përgjithshme brenda partisë.

Së dyti, sfidë tjetër është dokumentimi  krejt i rregullt i antarësisë dhe digjitalizimi i informacionit mbi regjistrin e partisë dhe konsiderimin e tij si baza e çdo strukture partiake në vend. Partia Demokratike këtë e ka një sfidë të plotë. Jo vetëm aq. Primaret kërkojnë një zgjerim drejt shoqërisë. Ato kërkojnë institucionalizimin e simpatizantit të partisë si një formë e pjesëmarrjes në politikë  krahas votuesit dhe anëtarit të partisë. Simpatizanti është në mes. Është ai që zhgënjhet i pari, apo afrohet i pari sapo sheh diçka të keqe apo diçka të mirë.

Krijimi i regjistrit të simpatizantëve apo përfshirja e simpatizantëve në procesin e primareve është një detyrë historike e partive shqiptare, e Partisë Demokratike si parti pionere në këtë fushë. Kjo rregullsi do ta mbronte primaren edhe nga ndërhyrjet e kundërshtarit, edhe nga provokimet apo nga blerjet. Është një defekt, por që mund të korrigjohet me organizim të mirë.

Sfida e fundit e primareve nuk është gjë tjetër veçse përfshirja e diasporës të cilën unë kam nderin ta kryesoj në këtë proces. Dihet që emigrantët janë aktivistë të shtuar në politikë. Malli për mëmëdheun, lidhja me PD është një nga format themelore të identifikimit të tyre si emigrantë në botën e lirë ku ata bëjnë sukses. Jam i bindur që shumë prej tyre do të donin të ishin aktivë në struktura në procesin e primareve sepse do të jepnin një kontribut. Bashkë me të drejtën e votës, e drejta e përfshirjes së emigrantëve në primare është një nga detyrat tona të së ardhmes.

Si përfundim primaret kanë qenë me kohë të domosdoshme. Atyre ju ka ardhur koha dhe është shans për PD që të jetë e para që ti sjellë jetës politike këtë kulturë të re shqiptare dhe të shijojë për vete frytet e këtij procesi hapës dhe demokratizues dhe oksigjenues për demokracinë.

Defektet e tyre janë lehtësisht të menaxhueshme si çdo proces i cili ka dhe ai difektet e veta. Primaret më mirë të bëhen mirë se sa të bëhen keq. Por më mirë të nisin sesa të mos nisin asnjëherë dhe të shtyhen pafundësisht.

Udhë të mbarë primareve të para në jetën demokratike shqiptare të Partisë Demokratike!

*Sekretar për Emigracionin dhe Diasporën 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco