Recetat e dala boje të FMN-së

Recetat e dala boje të FMN-së

Nga Klodian Tomorri - 11/10/2022

Misioni i FMN-së erdhi sërish në Tiranë. Edhe këtë herë na dha recetën për të zgjidhur hallet që na kanë rënë. Por t’i marrim pak me radhë.

Për të zgjidhur krizën energjetike, FMN thotë se zgjidhja është të rritet çmimi për qytetarët derisa të barazohet me koston. FMN nuk sheh asnjë përgjegjësi apo kosto tek qeveria. Nuk sheh asnjë përgjegjësi për dështimin e reformës energjetike, nuk sheh asnjë keqadministrim apo abuzim tek kompanitë e energjisë. Ah po, e kishte parë një. Tha që kompanitë e energjisë duhet të jenë më transparente. Ashtu janë, shumë transparente. Edhe vjedhjet transparente i kanë madje. Megjithatë, të merremi me rekomandimin.

Struktura e çmimit të energjisë në Shqipëri është kështu. Nga çmimi 11.4 lekë për kilovat orë, 20 për qind është kosto e prodhimit, 60 për qind transmetim-shpërndarje dhe 20 për qind të tjera i merr qeveria me taksa.

Kjo do të thotë se ne energjinë e prodhojmë me 2.6 lekë për kilovat në hidrocentrale, por në faturë na vjen 11.4 lekë. Meqë FMN ka ekspertizën më të madhe në botë për të dhënat ekonomike, sa vende të tjera në botë e kanë këtë strukturë çmimi të energjisë? Po ndonjë vend që skanon energjinë se mos i hyn ndonjë bombë bërthamore, apo lëndë radioaktive nga telat e korrentit, di FMN? Pra, siç thamë, gjërat janë shumë transparente. Iku kjo e energjisë.

Tani vazhdojmë me hallin e dytë, koncesionet. Për koncesionet, FMN na rekomandoi që të fuqizojmë Ministrinë e Financave si gardian në përzgjedhjen e projekteve. Në fakt, e kemi fuqizuar aq shumë Ministrinë e Financave për këtë punë, sa që i kemi dhënë të drejtën të propozojë, të miratojë madje dhe të tenderojë koncesione.

Tani që FMN na rekomandoi fuqizimin e ministrisë së Financave për të shpëtuar nga halli i koncesioneve, Ministria e Financave ka dy koncesione të reja në dorë, që do jepen shumë shpejt. I pari është një koncesion kriminal për certifikatat elektronike, i cili e detyron biznesin të paguajë 40 dollarë çdo vit për një produkt që e ka koston 5 dollarë.

I dyti, është një tjetër koncesion po kaq absurd. Ky ngjyros naftën dhe merr 5 milionë euro në vit. Këtë po e zgjat Ministria e Financave edhe për 10 vjet të tjera. Ah ka në mend dhe një nismë për të dyfishuar tarifat e koncesionit të pompave të karburanteve. E tentoi njëherë sakaq, por ndodhi kriza e çmimit të naftës dhe po pret momentin e përshtatshëm. Pra e kemi fuqizuar Ministrinë e Financave, por Ministria po na e bën gjëmën edhe më shumë.

Halli i tretë është ai i sektorit bankar. FMN-në e ka zënë frikën se mos Raiffeizeni bie në duar të gabuara. Pra i shitet ndonjë individi apo grupi jo financiar dhe këta pastaj e falimentojnë. Dhe për të shmangur këtë na rekomandoi të fuqizojmë Bankën e Shqipërisë.  

E kemi fuqizuar edhe Bankën e Shqipërisë, shumë. E fortë ishte Banka e Shqipërisë kur i dha licencën e bankës fondit Tranzit që vinte nga shpellat fiskale. Por aty nuk na dhatë recetë se në bordin e bankës na doli qeveria. E fortë ishte edhe kur u shit Tirana. Edhe kur u themelua Banka Popullore.

Kështu që ndryshoni kurën, edhe tonet. Se këto recetat kemi 30 vjet që i provojmë dhe nuk ua kemi parë hajrin deri tani.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco