Iranianët bënë pak a shumë ç'ka bënë patronazhistët dhe AKSHI, apo jo?!

Iranianët bënë pak a shumë ç'ka bënë patronazhistët dhe AKSHI, apo jo?!

Nga Alfred Lela - 10/09/2022

Kryeministri Rama ka pezulluar marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, duke urdhëruar largimin e personelit dhe lirimin e ambasadës iraniane në rrugën “Mustafa Matohiti”.

Arsyeja tashmë është artikuluar: iranianët kanë hyrë në sistemet kibernetike të Shqipërisë, duke vjedhur të dhëna dhe duke thyer sigurinë e rrjetit të infrastrukturës online.

Pasë bërë këtë, ata kanë në dorë informacione të ndjeshmërisë së lartë për punët e shtetit, zyrtarët e Republikës, por edhe informacione që dëmtojnë apo ekspozojnë privatësinë e qytetarëve shqiptarë, pra të secilit prej nesh.

Propaganda zyrtare e ka naltuar këtë vendim të Kryeministrit dhe kjo ka ardhur për disa motive.

Së pari, se Ramës i pëlqen ku s’ka më, të luajë në skakierën e madhe të politikës ndërkombëtare; së dyti se jemi një vend ku “loja me spiunë” është një sport kaq i pëlqyer dhe së treti, se një qeveri që noton në kaq shumë skandale të prodhimit të vet, një rast për kundër-skandal nuk mund t’i shpëtojë.

Këmbëngatërruar, siç shpesh jemi në liane të tilla socio-psikologjike, shumë prej nesh kanë harruar se, iranianët nuk qenë të parët që e derdhën kupen plot të të dhënave të qytetarëve të Shqipërisë.

Iranianët e parë qenë, në fakt, të njëjtët që sot janë shndërruar në anti-iranianët më të përndezur.

E kam fjalën për patronazhistët, një sistem kujdestarie, spiunazhi, përndjekjeje dhe skuthërie, ngritur nga partia në pushtet, shef i së cilës është, sipas gojëdhënave, anti-iraniani më i madh pas Ronald Reganit, dora vetë, Edi Rama.

Patronazhistët ishin një rrjetë e madhe hedhur mbi trupën elektorale shqiptare, një lloj STAS-i zgjedhor, që përimtonte bindjet dhe animet politike të shtetasve të Republikës dhe u caktonte atyre një “kujdestar” apo hije, i/e cila “i ndiqte” me qëllimin final tjetërsimin e vullnetit politik.

Ky ishte ndoshta hapi final në një operacion edhe më të madh, edhe më të vjetër, i cili përfshinte më së pari përdorimin flagrant të administratës shtetërore, intimidimin e zgjedhësve me anë të të fortëve të zonave dhe, ndoshta me ndërhyrjen më të butë të kësaj thertoreje elektorale, blerjen e votës drejtpërdrejt, duke dhënë para në këmbim të një kryqi - anash kandidatit të majtë, ditën e zgjedhjeve.

Infrastrukturat, si formale ashtu dhe informale janë sigurisht, pjesë e teatrit shoqëror. Të dytat, informalet, ekzistojnë si paralele, herë të sikletshme e herë sekrete të formaleve dhe variojnë nga lozhat, klubet, besëlidhjet, konspiracionet e deri te grupet paramilitare.

I ka çdo vend, që nga Argjentina, deri në Amerikë e Singapor.

Ajo që nuk ndodh në asnjë vend është promovimi i tyre publik. Për këtë gjë në demokraci është rënë dakord. Të lejohen me stil anekset e frustrimit apo bindjeve shoqërore, të papranuara publikisht, por të mos pagëzohen në sferën e gjerë të lojës publike.

Edi Rama e theu këtë rregull. Në vend që, qoftë edhe duke u shtirur, t’i dënonte strukturat e patronazhimit, ai i naltoi duke u shprehur krenar. Pra, i nxori nga infrastruktura informale dhe i bëri pjesë të superstrukturës publike.

Rrallë në historinë e kombeve ka ndodhur që kreu i një shteti të kryejë trangresione të tilla.

Për një ndikim në procesin e infrastrukturës zgjedhore, të një shkalle më të vogël dhe gjithsesi në tentativë, Richard Nixon dha dorëheqjen si president i Amerikës, në skandalin e njohur si Watergate.

Edi Rama mori patronzhgejtin e tij dhe na e hodhi në fytyrë, si ne të pafuqishmëve të Shqipërisë, ashtu edhe përfaqësuesve të vendit kolosal, që vinin nga Watergate-i i mëkatit fillestar zgjedhor.

Jeta vazhdoi e lumtur me koncerte beiste dhe ritaora të tjera në Republikën albo-amerikane, deri në një fazë të dytë të batërdisë dhe bastardësisë.

Një rrjedhje industriale e të dhënave, dalë nga AKSHI-i qeverisë, nxori në publik detaje personale, nga kartat e identitetit deri te adresat dhe rrogat e të gjithë të gjallëve të Shqipërisë.

Pasë përvetësuar një teknikë të komunikimit publik, sipas së cilës mënyra më e mirë për ta shuar një skandal të madh është të marrit e pronësisë së tij (oëning it up), Edi Rama bëri një salto tjetër mortale, në logjikën e shtetit, duke e çuar operacionin e së keqes në Fazën 2. Ai doli dhe tha se do të jemi ne, pra shteti, që do të bëjmë publike rrogat e nënshtetasve të Republikës.

Opozita shfryu ajrin e denoncimeve, populli nuk u bë publik as kësaj here, të huajt futën veshët në lesh dhe jeta në regjimin e iranianit të parë dhe ajatollahut të radhës, shqiptarit të mirë, por të pështjelluar në leqet marramendëse të pushtetit, Edi Rama.

Ata që nuk e mbajnë frymën në gëzimin se Shqipëria, ky “varr perandorish”, u ndesh dhëmb për dhëmb me regjimin e urryer teokratik të Iranit, duhet të mendohen pak.

Iranianët bënë atë që bëjnë të gjitha fuqitë e huaja me kundërshtarët.

Ajo që ne nuk duhet të bëjmë, është të mos lejojmë që shqiptarët të sillen me ne si ajatollahë. Kjo është detyra jonë, e të gjithëve.

Ajatollahët e ambasadës ikën dhe sa më takon mua, kurrë mos u kthefshin, por ata nuk qenë iranianët e parë. Vetëm të radhës. Aspak të fundit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shqiptaro-amerikani11/09/2022 11:21

Z. Lela ka shume te drejte!
Nuk eshte fare nje sulm kibernetik iranian, por eshte veper e vete qeverise mafioze te "Rilindjes" per te terhequr vemendjen e publikut shqiptar dhe faktorit nderkombetar nga skandalet e veta.
Ne nje sulm kibernetik, kur sulmohet apo hacherohet nga jashte tij nje sistem unik, sic eshte sistemi TIMS, shkencerisht, teorikisht dhe praktikisht, goditet njekohesisht i gjithe sistemi dhe jo pjese-pjese. Prandaj lajmet qe ne pikat tona kufitare ne Vlore, ne Rinas, ne Durres, Kakavije, Sarande, Qafe Thane, Tushemisht, Qafe Bote, Muriqan, Han te Hotit, qe punon 1 apo 2 kompjutera, dhe akoma nuk po punojne te tjeret, verteton qe ky lajm eshte nje mashtrim nga vete qeverie dhe ministria e brendshme me urdher te vete Edvin Rames.
Edvin Rama po sundon Shqiperine vetem nepermjet mashtrimeve, vjedhjeve, skandaleve, fatkeqesive natyrore dhe te atyre artificiale dhe historive qe i shkakton vet here pas here sipas nivelit te skandaleve dhe krimeve qe u zbulohen.
E gjithe kjo afere skandaloze mashtruese me keto "sulmet kibernetike iraniane" jane nje skeme mafioze dhe kriminale, vetem per terheqje vemendjeje nga skandalet e veta.
Mos u mashtroni dhe mos i hani keto poshtersira!!!

Patrik11/09/2022 08:20

Mire e ke qa artikullin. Vetem "Karlo" ta merr kthese kur te publikoje "gjegjen" e padishahut! Jo me kot "Irani" ne bpunim me seline Mavi po na "prishin" sistemet kibernetike. E kane per sport sa kohe nuk na bejne dem (sic thote edhe naltmadhenia). Dhe ne kete sport, Rama nuk eshte vetem, perkundrazi, e ndih Rr. Elbasanit bashke me "007" e Rr. Kavajes. Keto lipsen marrin benefit ne kauzen e tyre anti-Iran....kurse mavija jone do na e perplase shume shpejt surratit kur te thoje se "e shikoni cbehet"? Ne kesi kushtesh nuk mund te lejojne te votojne zgjedhesit nga jashte vendit!!!

Shto koment

Denonco