Dimri ekonomik i Shqipërisë: Shkaqet e krizës dhe rruga e vetme për shpëtimin

Dimri ekonomik i Shqipërisë: Shkaqet e krizës dhe rruga e vetme për shpëtimin

Nga Nikola Kedhi - 07/09/2022

Europa po përgatitet të vuajë pasojat e politikave të gabuara që ka ndjekur për më shumë se një dekadë. Inflacioni, kriza energjetike, ngadalësimi ekonomik janë përfundimi i pritshëm i politikave të lehtësimit sasior, normave negative të interesit, ndalimit të burimeve energjetike tradicionale pa pasur alternativë, borxhit masiv, shpenzimeve qeveritare pa rikthim ekonomik dhe mbitaksimit. Shqipëria duke qenë një importuese neto e varur në pjesë të konsiderueshme nga ekonomitë perëndimore natyrisht që e ndjen këtë rritje të çmimeve, ndoshta dhe më tepër se shume vende të tjera fqinje apo europiane.

Shkëmbimet tregtare në një përqindje tejet të lartë kryhen me vendet e BE-së. Siç raporton Revista Monitor, në maj 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zinin 72.7% të totalit të eksporteve, ndërsa importet nga BE-ja 54.4%. Partnerët kryesorë mbeten Italia (32.9%), Turqia (7.5%), Gjermania (6.2%) dhe Greqia (6.2%). Për më tepër, remitancat zënë rreth 15% të Produktit të Brendshëm Bruto, sipas Njësisë së Inteligjencës së The Economist (EIU). Është krejt e logjikshme që çdo krizë që zë vendet e Bashkimit Evropian do të mbërrijë dhe në Shqipëri me pasoja më të rënda se në vendet e tjera për shkak të modelit ekonomik të vendit tonë.

Si kundërpërgjigje ndaj inflacionit, Banka e Shqipërisë ka rritur normën bazë të interesit me 75 pikë bazike që prej Marsit 2022, në 1.75% dhe pritet ta çojë në 2% brenda fundit të vitit. Rritja ekonomike, sipas EIU, parashikohet të jetë vetëm 2.1% për vitin 2022 dhe 3% për vitin pasardhës, ndërkohë që inflacioni në muajin korrik arriti në 7.5%, shumë më i lartë se norma bazë e interesit.

Gjithashtu, borxhi publik në tremujorin e dytë të këtij viti ka arritur në 82.7% të PBB-së, sipas shifrave zyrtare, niveli më i lartë ndonjëherë. Borxhi në vitin fiskal 2021 është rritur më shumë se Prodhimi i Brendshëm Bruto (158 miliardë lekë përkundrejt 151 miliardë lekë), dhe duke marrë në konsideratë që pjesa më e madhe e sektorit privat u rikthye në normalitet në atë vit, kjo nuk është diçka e mirë. 151 miliardë lekë rritje të PBB-së vijnë më së shumti nga rikthimi i aktivitetit të sektorit privat dhe jo nga borxhi i marrë nga qeveria. Në analizën që Reporter u bënte shifrave të sipërpërmendura, vinte në dukje që edhe rritja e punësimit ishte e papërfillshme vitin e kaluar, me vetëm 0.4% edhe pse ekonomia sipas shifrave të INSTAT, u rrit me 9%.

Pra, ky borxh masiv i marrë nga qeveria, që është një barrë për taksapaguesit e sotëm dhe të nesërm, nuk ka ndikuar pozitivisht në ekonomi – ashtu siç pritej nga çdo ekonomist i anës së ofertës – dhe Shqipëria gjendet përpara një krize me më pak mundësi fiskale për të përballuar vështirësitë që priten. Dhe në fakt, shqiptarët nuk mund të presin shpëtimin nga marrja e borxhit, ndihmat qeveritare apo subvencionet e çfarëdo lloji.

Viti që lamë pas, edhe pse i supozuar si vit rimëkëmbje, me një borxh gjigant mbi supe, linte për të dëshiruar në ekonominë reale. Pyetja që lind është se çdo të bëhet me vitin 2022 dhe 2023, kur partnerët tanë tregtarë do të jenë në krizë, konsumatori shqiptar do të jetë më pak i predispozuar të konsumojë, pagat reale falë inflacionit do të jenë më të ulëta, dhe të ardhurat e disponueshme më të pakta, normat e interesit dhe pagesat për borxhin do të rriten, dhe presioni fiskal do të vazhdojë të mbetet i lartë. Sipas raportit të EIU, sektori i ndërtimit dhe investimet do të jenë ndër më të goditurit, ndërsa emigracioni i punëtorëve do të vazhdojë të rendojë ekonominë e vendit.

Raporti për klimën e investimeve i Departamentit Amerikan të Shtetit konfirmon se Shqipëria do të “ketë shumë pak vend për të manovruar nga ana fiskale për shkak të borxhit publik që po tejkalon 80%” duke shtuar këtu “potencialin e madh të pashfrytëzuar për investime në sektorë të ndryshëm si energji, turizëm, shëndetësi, bujqësi, naftë dhe miniera, si dhe teknologji informacioni”. Raporti përmend gjithashtu se “përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme”.

Nga ana tjetër, edhe pse një vend me burime të konsiderueshme hidrike, si dhe mundësi për zhvillimin e burimeve alternative të energjisë, Shqipëria është e varur nga luhatjet e çmimit dhe krizat në sektorin energjetik në Europë. “Importet e energjisë në 6-mujorin e parë të këtij viti u trefishuan në raport me një vit më parë” raporton Revista Monitor, duke shtuar se “gjatë tremujorit të dytë të vitit 2022, energjia elektrike në dispozicion u ul me 3,5%. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë u ul me 38,1% duke arritur vlerën 1.647 GWh nga 2.660 GWh energji të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2021. Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 38,3%, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 60,9 % dhe nga të tjerë prodhues (Fotovoltaik) në masën 0,8% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.”

Në këto vite tranzicioni, nuk ka pasur as një liberalizim dhe as diversifikim të mëtejshëm të tregut të energjisë. Ndërtimi i mekanizmave për të ruajtur energjinë e prodhuar, krijimi i një Burse Shqiptare të Energjisë, investimi në rrjetin e transmetimit dhe në asetet e prodhimit, ulja e humbjeve në shpërndarje dhe përmirësimi i arkëtimit të pagesave kanë rezultuar një dështim.

E thënë me një fjali, në tërësinë e modelit të vet ekonomik, Shqipëria vuan nga politikat e rishpërndarjes, centralizimit të mjeteve të prodhimit dhe vendimmarrjes të cilat kanë dështuar kudo dhe po rrënojnë ekonomitë evropiane. Megjithatë, për shkak të pesëdhjetë viteve diktature komuniste dhe politikanëve të tranzicionit, që janë të lumtur të centralizojnë pushtet politik dhe ekonomik, një pjesë e mirë e popullatës kërkon ende të jetë e varur nga shteti me shërbime, produkte dhe para falas – receta e shkatërrimit ekonomik të çdo vendi, në vend që të kërkojnë më shumë liri ekonomike.

Ka një rrugë se si mund të shpëtojë ekonomia shqiptare, aftësia blerëse e konsumatorit shqiptar, dhe të përballohet kriza. Qeveria, Banka e Shqipërisë, por dhe opozita, janë ende në kohë për t’i propozuar dhe miratuar propozimet e mëposhtme nga ana e ofertës, të cilat historia ka treguar se funksionojnë.

Së pari, normat e interesit duhet të rriten në një nivel neutral në raport me inflacionin. Në Shqipëri, norma bazë e interesit është ende shumë më e ulët se sa inflacioni, dhe për sa kohë të vazhdojë kështu, inflacioni do të vazhdojë të mbetet i lartë, deri sa të ulet nëpërmjet një recesioni ekonomik ose deri kur të rritet norma bazë në nivelin neutral.

Së dyti, subvencionet dhe politika të tjera të majta që shpërndajnë para në kohë inflacioni, rrisin borxhin publik më tej ndërkohë që normat e interesit rriten, dhe njëkohësisht forcojnë varësinë e qytetarit ndaj shtetit nuk funksionojnë sado tërheqëse të duken në moment. Nuk duhet harruar se çdo para që del nga buxheti i shtetit paguhet po nga qytetarët shqiptarë. Pra, duhet gjetur një mënyrë që t’i lehtësojë ata në të tashmen, pa i rënduar në të ardhmen me taksa më të larta apo nivele borxhi që mund të jenë rrënuese për qytetarët.

Në këtë aspekt, duhet pasur parasysh se inflacioni krijohet nga rritja e sasisë së parasë në një ekonomi përtej kërkesës për atë monedhë. Nëse qeveritë fillojnë të shpërndajnë para për të përballuar krizën, kjo do të financohet ose me prodhim të parasë së re, ose me borxh. Është si të hedhësh benzinë për të fikur zjarrin. Rruga e vetme, për te ulur inflacionin dhe në të njëjtën kohë kufizuar impaktin e krizës ekonomike, është ulja e taksave, e cila nuk e rrit inflacionin sepse është e njëjta sasi monedhe në qarkullim, vetëm zhvendoset nga duart e qeverisë në atë të qytetarit dhe bizneseve.

-          Konsumatori shqiptar do të përdorte paratë e mbetura nga ulja e taksave mbi pagën dhe mbi çmimet e produkteve të shportës, për të blerë mallra dhe shërbime thelbësore të përditshme. Disa të tjerë do kursenin. Nga ana tjetër, të njëjtat para në duart e qeverisë, do të shpenzoheshin në mënyrë të pashmangshme, duke mos u futur në mënyrë produktive në ekonomi, teksa borxhi publik do vazhdonte të rritej.

-           Ulja e taksave dhe tatimeve për kompanitë do të bënte të mundur që shoqëritë private të kishin kapital shtesë për të reduktuar mundësinë e largimeve nga puna në situatën e vështirë ekonomike që pritet.

Një njësi monedhe në duart e konsumatorit dhe sektorit privat mund të konsumohet, investohet ose kursehet. E njëjta njësi në duart e qeverisë shkon në shpenzime korrente dhe do të shumëfishohet duke shtuar borxhin, që do të thotë më shumë valutë në qarkullim dhe rrezik më të lartë inflacioni.

Se treti, ulja e çmimit të energjisë dhe karburanteve. Hapi i parë duhet të jetë shkrirja e bordit antikushtetues dhe antitreg të krijuar. Nuk duhet harruar që vendosja e çmimeve tavan për produktet nuk ka funksionuar asnjëherë në histori, dhe aq më pak funksionon krijimi i një karteli mes qeverisë dhe pjesëmarrësve kryesorë në treg. Rikthimi i veprimtarisë së forcave të tregut duhet pasuar nga ulja e të gjithë taksave dhe kostove që i shtohen çmimit të energjisë elektrike dhe të karburantit. Për shembull, KESH ja shet OSHEE-së energjinë elektrike me çmim të ulët dhe të subvencionuar. Janë kostot e tjera që i shtohen më pas që e bëjnë çmimin e energjisë elektrike më të lart se Kosova dhe se Maqedonia e Veriut. Taksat që i shtohen çmimit të karburantit e bëjnë atë më të shtrenjtin në rajon. Këto çmime të larta të energjisë, ku bizneset dhe familjet përballen me taksa masive dhe kosto fikse, shërbejnë si një barrë për rritjen ekonomike dhe konkurrencën, e cila është mekanizmi i vetëm që sjell uljen e çmimeve.

Sipas Monitor, rreth 60% e çmimit të karburantit janë taksa. Shqipëria mund të ndjekë rrugën e Spanjës, Gjermanisë apo vendeve të tjera të BE duke i ulur apo hequr këto taksa përkohësisht. Duhet pasur parasysh se çmimin e energjisë elektrike e vendos ERE dhe ndaj ekzistojnë të gjitha mundësitë që konsumatori mos të paguajë një çmim më të lartë.

Gjithashtu, për shkak të inflacionit, qeveria ka të ardhura më shumë nga parashikimi nga taksat e mbledhura, që i japin mundësi asaj të manovrojë, pa rritur borxhin. Këto të ardhura shtesë mund të përdoren për të ulur impaktin e shtrenjtimit të çmimit te konsumatori.

Së katërti, ky lehtësim fiskal duhet shoqëruar me një reduktim të shpenzimeve qeveritare që nuk janë prioritet, përfshirë PPP, tendera apo punë publike, shpenzime operative, për të evituar rritjen e borxhit dhe shpenzimet deficitare. Nëse jemi në një krizë, e para që duhet të kursejë është burokracia shtetërore.

Së fundmi, vendi ka nevojë urgjente për një plan veprimi afatgjatë.

a.       Ekonomia shqiptare duhet të ndryshojë patjetër model, nga thjesht një importuese neto, konsumatore dhe e shërbimeve, në prodhuese dhe eksportuese të prodhimeve vendase, nëpërmjet industrializimit të vendit dhe zhvillimit të sektorëve të bujqësisë, turizmit dhe energjisë, përgjegjësisë fiskale, taksave të ulëta, incentivimit të sipërmarrjes.

b.       Bujqësia kërkon një transformim tërësor, me një përqasje të re ndaj fermave, një zhvillim të industrisë së agro-përpunimit, agro-turizmit, përdorimit të teknologjive bashkëkohore dhe lehtësimeve fiskale që sjellin prodhim me kosto të ulët dhe përballje me konkurrentët në rajon.

c.       Sektori i energjisë kërkon liberalizim, një ulje të humbjeve në shpërndarje, përmirësim të rrjetit aktual të prodhimit të energjisë dhe incentivim në investimin e energjive alternative si ajo e diellit. Vendi duhet të bëhet i pavarur energjetikisht. Sektori i hidrokarbureve gjithashtu kërkon një riformatim drejt përpunimit dhe përdorimit efikas të burimeve që kemi.

d.       Shqipëria ka nevojë urgjente për decentralizim të pushtetit dhe vendimmarrjes, në mënyrë që pushteti të shkojë sa më pranë qytetarit. Ekzekutivi nuk ka përse të administrojë kompetenca, buxhet, pasuri qe duhet ti kenë dhe ushtrojnë institucione te tjera dhe pushteti lokal. Sa më i madh centralizimi, aq më i madh abuzimi, shpenzimet e tepërta dhe aq më e kufizuar liria.

Prandaj, Shqipëria duhet të ndryshojë modelin ekonomik dhe të fillojë të prodhojë nëpërmjet incentivëve për të prodhuar, uljes së barrës fiskale, dhe zvogëlimit të borxhit, deficit tregtar dhe kufizimit maksimal të ndërhyrjes qeveritare. Atë që qeveria jep, më pas e merr me po të njëjtën lehtësi, dhe individi shqiptar duhet të mësojë të kthehet në mbështetës të vetes dhe jo lypës në dyert e burokracisë. Ky ndryshim mentaliteti drejt ekonomisë së tregut dhe politikave ekonomike të anës së ofertës do të shënonte dhe rrugën e vetme për ndryshimin që pret vendi, duke u pasuar detyrimisht nga më shumë llogaridhënie, më shumë decentralizim, liri individuale dhe në fund më tepër demokraci e mirëqenie.

Nikola Kedhi është ekspert ekonomie, konsulent financiar dhe kontributor në media të ndryshme si Fox News, Newsmax, Il Giornale, The Federalist, CapX, The European Conservative dhe The American Thinker. Opinionet janë personale të autorit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Naim ope07/09/2022 16:14

Faleminderit per artikullin me nje analize profesionale te situates ekonomike te vendit dhe rekomandimet per perballimin e krizes energjetike dhe ekonomike dhe pas saj per zhillimin e vendit (veçanersiht per sugjerimin e zhvillimit dhe mebeshtetjes se Industrise pa te cilen nuk mund te kemi zhvillim ekonomik e social te vendit tone)

Naim ope07/09/2022 16:13

Faleminderit per artikullin me nje analize profesionale te situates ekonomike te vendit dhe rekomandimet per perballimin e krizes energjetike dhe ekonomike dhe pas saj per zhillimin e vendit (veçanersiht per sugjerimin e zhvillimit dhe mebeshtetjes se Industrise pa te cilen nuk mund te kemi zhvillim ekonomik e social te vendit tone)

krasasi tp07/09/2022 16:04

"Hoxhë efendi, më bëj një duva, ta bëj atë punë, e të mos mba", i lutej një zonjë hoxhës në atë mot moti. Të rritet konsumi me manovra financiare dhe mos të ketë impakte të tjera, zor se gjenë. Të rritet konsumi, duke i hedhur paret aty ku prodhohet, të prodhohet me cilësi, të prodhohet në sasi dhe të rritet konkurshmëria me tregjet që zihen me shpejtësi , të veprohet shpejt por pa u nxituar, do duheshin dhe duhen reforma. Dhe një strategji shtetërore larg voluntarizmit partiak dhe klientelist.

Shqiptari07/09/2022 14:45

I nderuar Nikola!
Për këtë pjesë të analizës së thellë profesionale dhe shumë të saktë të situatës së rëndë financiare ku ndodhet sot Shqipëria dhe shoqëria shqiptare në tërësi, si ekspert nuk kam asnjë dyshim dhe aq më tepër kundërshtim. Vetëm në analizën tuaj duhet të theksoni që qveria, kryeministr, ministrat dhe kryetarët e bashkive të Shqipërisë vjedhin dhe grabisin çdo muaj nga buxheti i shtetit dhe nga taksat e taksapaguesve shqiptarë rreth 200 milion euro çdo muaj, pa llogaritur abuzimet dhe humbjet e ndryshme dhe shpenzimet e kota administrative. Prandaj, duhet që si hap i parë dhe si masë kryesore për të shpëtuar nga kjo krizë kaq e rëndë dhe katastrofike, që ka mbërthyer Shqipërinë, është që qeveria shqiptare, kryeministri, ministrat dhe kryetarët e bashkive të ndërpresin urgjentisht vjedhjet, abuzimet, grabitjet e buxhetit te shtetit dhe plaçkitjet e popullit dhe të pasurive kombëtare, të ndërpresin bashkëpunimin me organizatat kriminale të krimit të organizuar shqiptar dhe ndërkombëtar.
Pra në Shqipëri e gjith narko-banda kriminalo-mafioze që qeveris në të gjitha nivelet e qeverisjes qëndrore dhe lokale vidhen, grabiten, dëmtohen, keqpërdoren, abuzohen dhe shpenzohen kot rreth 3 MILIARD EURO në VIT!!!

Naim ope07/09/2022 14:20

Faleminderit për artikullin me analize të saktë dhe rekomandimet e duhura (veçanërisht - pa industri dhe mbështetje të saj nuk ka zhvillim)

Shto koment

Denonco