Lajmi i fundit

KUSH PAGUAN/ Profesionistët e lirë, sa do paguajnë tatim-fitim?

Një Ballkan i Hapur për autokratët e etur për verë dhe pushtet

Një Ballkan i Hapur për autokratët e etur për verë dhe pushtet

Nga Agim Nesho - 01/09/2022

Duket që projekti i Ballkanit të Hapur, një projekt anti-europian dhe provokues për popujt e Ballkanit Perëndimor, do të vazhdojë nga pasioni dhe interesat e autokratëve të rajonit. Këto interesa mbahen gjallë jo vetëm nga nevojat e mbajtjes së pushtetit por edhe presioni i fuqive jo europiane, si Rusia, që kërkon të jetë lojtar i rëndësishëm në lojën gjeopolitike të Ballkanit.

Edhe në mungesë të tij, Lavrovi (i pazëvendësuar nga Ministri i Jashtëm Turk, që Ballkanin e shikon si shtëpinë e tij), u kujtua nga kryeministri Shqiptar Rama në shprehjen e tij të famshme që ‘duam Ballkanin e Hapur dhe jo Ballkanin e mbyllur që do Brukseli’.

Rama duke përmendur shprehjen se nuk duam një Ballkan të mbyllur, i dha Ballkanit të Hapur atë dimension të munguar: ky projekt ishte i hapur për këdo dhe futjen e influencave të huaja në Ballkan.

Por zoti Rama i jep edhe një përgjigje zotit Eskobar, si përfaqësues i SHBA-së dhe kërkesës së tij, se ‘Ballkani i Hapur duhet të mbetet vetëm një projekt ekonomik, duke i thënë se ‘ky projekt është më shumë se një projekt ekonomik, më shumë se një projekt politik…se është një projekt paqe për popujt që jetojnë në rajon’.

Për zotin Rama nuk ka rëndësi se po prishet Procesi i Berlinit dhe zbehet perspektiva europiane e rajonit dhe vendit të tij, por kërkon ta shesë ‘paqen’ si një garanci për perëndimin se ne autokratët e Ballkanit Rama-Vuçiç jemi agjentët që i sigurojmë paqen dhe sigurinë në Ballkan. Në një farë kuptimi mesazhi është i qartë: Na lini të bëjmë si të duam, na lini në pushtet, se ne ju sigurojmë paqen.

Për kryeministrin Shqiptar Rama nuk ka rëndësi se me Ballkanin e Hapur rikthehet dominimi serb në rajon apo Jugosllavia e re plus Shqipëri, nëpërkëmbja dhe anashkalimi i Republikës së Kosovës si dhe frika e malazezëve dhe boshnjakëve për rikthimin e nacionalizmit serb. Për zotin Rama ka rëndësi vetëm pushteti dhe zgjatja e tij pa fund për të shtyrë llogaridhënien e tij dhe qeverisë që drejton përpara popullit.

Ai i është bashkuar Vuçiç për një projekt, ku vlerat perëndimore nuk kanë asnjë rëndësi, por vetëm vullneti i liderëve që dominojnë pushtetin. Ai po e largon Shqipërinë nga ëndrra europiane dhe ankthin, që i krijohet nga mundësia e një reagimi popullor, kërkon ta mposhtë me verën që Vuçiç ja ofron me kënaqësi. Nën efektin e verës edhe gjuha shqipe e Naimit i duket e çuditshme.  

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco