Qysh ia sillka paqen ‘Ballkani i hapur’ Ballkanit?

Qysh ia sillka paqen ‘Ballkani i hapur’ Ballkanit?

Nga Arbër Zaimi - 01/09/2022

Në Beograd kryeministri i Shqipërisë teksa mbante fjalim në shqip, iu referua shqipes si “gjuhë e çuditshme”.

Ky vetë-ekzotizim rrëfen se Rama e sheh Ballkanin, shqiptarët e popujt e tjerë jo së brendshmi, si një nga ta, por së larti.

Ai e ka përbrendësuar edhe kulturalisht përbuzjen për Ballkanin dhe shqiptarët e të tjerët. E sheh veten si agjent kolonial, si përfaqësues i ndonjë kulture qytetëruese, si tip Kiplingu i vonuar me “White Man’s Burden”.

Natyrisht këto janë deluzione. Në Washington e Bruksel, Londër e Berlin, jo vetëm që nuk pinë ujë suprematizmat kulturore, por as nuk ngjallin ndonjë besim e respekt ata njerëz që për hir të servilizmit vetëshpallen “të perëndimorizuar” dhe përbuzin kulturën e shoqërinë prej nga vijnë e prej së cilës marrin mandatin.

Veç kësaj, Edi Rama në një panair verërash, ka shpallur se “Ballkani i hapur” sjell paqe, dhe se serbët e shqiptarët i kanë vënë zjarrin njëri-tjetrit. Pjesa e dytë e pohimit është pasaktësi e qëllimtë, servile ndaj Vuçiçit.

Ose le të na tregojë Rama, kur shqiptarët i paskan vënë zjarrin serbëve? Ndërsa pjesa e parë e pohimit është qesharake. Qysh ia sillka paqen “Ballkani i hapur” Ballkanit? Pse a ishim në luftë deri para dy vitesh, kur nisi kjo iniciativë e kotë? Luftën në Ballkan e ka ndalur çlirimi i Kosovës, dhe Ballkani është në paqe qysh prej 1999. Çka i bie kjo “paqe” që po sjell Rama? A mos po kërkon ai që të largohet KFOR nga Kosova, meqë paqen e garanton “Ballkani i hapur”?

Pretendimi i Ramës se “Ballkani i hapur” sjell paqe, nëse nuk flet vera, atëherë mbase ka këtë kuptim: që Ramën e kanë kërcënuar se po të mos marrë pjesë në “Ballkanin e hapur” do të ketë luftë. Nëse është ashtu, le të na tregojë kush e ka kërcënuar me luftë. Sepse nuk ka kuptim të thuash se një iniciativë e nisur dekada pas përfundimit të luftës, na e sillka paqen… 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco