Nga Nga Bledar Feta - 15:55, 25/08/2022
Kina kërkon marrëdhënie më të ngushta me Shqipërinë në kuadrin e një projekti madhor të Partisë Komuniste Kineze për të shtrirë influencën e Pekinit nëpër botë, duke e shndërruar atë në një aktor kryesor në Ballkanin Perëndimor e më pas në gjithë Evropën. Për këtë arsye, Pekini ndjek një strategji afatgjatë në Shqipëri që kalon përmes katër fazave.
Në fazën e parë, PKK po përpiqet të konsolidojë praninë në rritje në ekonominë lokale përmes nxitjes së investimeve dhe eksporteve kineze. Synimi është ta bëjë ekonominë shqiptare gjithnjë e më shumë të varur nga Kina, sidomos në industritë e ndjeshme, çdo do t’i lejonte Pekinit të ndikonte mbi politikën shqiptare.
Në fazën e dytë, aktorët e shtetit kineze fokusohen mbi hedhjen e themeleve të nevojshme për t’i lejuar Kinës ushtrimin e ndikimit politik mbi liderët politikë e sipërmarrës shqiptarë, duke e bërë Kinën aktor të rëndësishëm politik në vend. Ndonëse përqasja fillestare kineze në Shqipëri është te ekonomia, përpjekjet e Pekinit për të lëvizur në një fazë të re angazhimi me Tiranën kanë zbuluar dimensionet politike të modelit kinez të biznesit dhe objektivin e tij për t’i vënë politikat shqiptare në një linjë me interesat e Kinës.
Faza e tretë e strategjisë së Kinës është futet gjerësisht në shoqërinë shqiptare, nga poshtë lart e nga lart poshtë. Objektivi i kësaj faze është të krijojë imazhin pozitiv për Kinën në komunitetet shqiptare, të promovojë modelin politik dhe ekonomik të Pekinit, dhe, mbi të gjitha, të formojë narrativën për marrëdhëniet Tiranë-Pekin.
Faza e katërt dhe finale fokusohet mbi përpjekjet e autoriteteve kineze për të fituar një profil më të lartë publik e mediatik, duke prezantuar kënde të reja mbulimi e përmbajtjeje e duke influencuar perceptimin lokal në një shkallë më të gjerë.
Metodat, mjetet dhe taktikat e PKK për të çuar përpara ndikimin malinj
Kina ka hyrë në ekonominë dhe politikën shqiptare përmes investimeve të mëdha në transportin ajror, energji, bujqësi e miniera, duke krijuar mundësi të reja për t’i përdorur si levë. Ndikimi ekonomik i Pekinit në Shqipëri vjen nga huatë, investimet dhe tregtia, duke pasur bashkëpunim me rrjete dhe lojtarë kyç ekonomikë. Ato marrëdhënie krijojnë varësi përmes së cilave Kina fiton ndikim sistematik. Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet kineze përbëjnë 2.27% të të gjitha investimeve të huaja në Shqipëri, krahasuar me 15,7% në Serbi dhe 3.37% në Maqedoninë e Veriut. Kina eksportoi mallra e shërbime me vlerë 47.5 milion dollarë në Shqipëri dhe ka importuar 13.1 milion dollarë që nga nëntori 2021, me një suficit tregtar 34.4 milion dollarë, sipas Instat.
Pekini ndjek edhe një strategji të gjerë kulturore nëpërmjet kurseve gjuhësore në Institutin Konfuci në Universitetin e Tiranës dhe një qendre kulturore kineze të planifikuar në kryeqytetin e Shqipërisë. Qendra do të ofrojë shumë më tepër aktivitete dhe do të fokusohet në ndërveprimin kulturor, duke e bërë atë një mjet të shkëlqyer për autoritetet kineze për të krijuar lidhje me grupet kulturore dhe të shoqërisë civile. Kina gjithashtu organizon udhëtime studimore, shkëmbime akademike dhe evente kulturore për të kultivuar marrëdhënie me individë dhe institucione të veçanta.
Kina ka krijuar gradualisht një kornizë për ndërveprimin dhe bashkëpunimin mediatik për të përhapur pikëpamjet e Pekinit përmes media tradicionale dhe sociale. Në vitin 2019, kompanitë shtetërore të radios dhe televizionit kinez dhe shqiptar arritën një marrëveshje që lejonte televizionin publik shqiptar të transmetonte disa programe kineze pa pagesë. Më shumë bashkëpunim joformal kryhet përmes udhëtimeve, trajnimeve, programeve të shkëmbimit dhe donacioneve për profesionistët e medias shqiptare të financuara nga Kina.
Në kuadrin e afrimit shumëplanësh të Pekinit në Shqipëri, aktorët shtetërorë kinezë po zgjerojnë edhe bashkëpunimin formal e informal me bashkitë në gjithë vendin, kryesisht nëpërmjet një projekti binjakëzimi. Tirana dhe Pekini janë binjakëzuar që më 2016, me pesë qytete të tjera në Shqipëri që zhvillojnë lidhje të tilla. Sipas kësaj politike, Pekini përdor lidhjet e qyteteve motra dhe autoritetet lokale për të ndikuar në qeverinë qendrore.
Shtrirja e taktikës të PKK
Ndërkohë që përqafimi nga ana e Shqipërisë i investimeve kineze e ka bërë Kinën partnerin e tretë tregtar të Shqipërisë, duke i dhënë Pekinit pushtet në tregun shqiptar dhe kontroll mbi burimet që japin një avantazh konkurrues, Shqipëria i ka rezistuar kthimit në qendrën e dytë ekonomike të Kinës në rajon. Qeveria shqiptare e përjashtoi Kinën nga planet e investimeve në Portin e Durrësit si dhe nga rrjeti 5G. Në fakt, përpjekjet e Kinës për të rritur më tej ndikimin ekonomik në Shqipëri kanë hasur pengesa të ndryshme politike, sepse Shqipëria është e ankoruar në institucionet dhe aleancat tradicionale perëndimore.
Ndërsa më parë diplomacia kulturore luante rol dytësor pas diplomacisë ekonomike, tani ajo është bërë një nga mjetet më të fuqishme të Kinës. Ky ndryshim ka dhënë fryte të rëndësishme; interesimi për historinë dhe kulturën e Kinës, veçanërisht për gjuhën kineze, është rritur tek të rinjtë shqiptarë që po mësojnë gjuhën kineze në Institutin Konfuci.
Politika mediatike e Kinës – për të rritur mbulimin e lajmeve të lidhura me Kinën dhe për të prodhuar përmbajtje miqësore ndaj Kinës – po ia del mbanë dhe ka bërë për vete shumë të rinj shqiptarë. Një studim në vitin 2020 numëroi më shumë se 1000 artikuj të lidhur me Kinën të botuar në vend gjatë pesë viteve. Gati gjysma, 47%, e portretizonin Kinën pozitivisht, 38% ishin më negative dhe 15% u konsideruan neutrale. Kjo rritje në përmbajtjen e lidhur me Kinën është kryesisht falë strategjisë së Pekinit për të bashkëpunuar me analistët dhe gazetarët vendas. Po kështu, është edhe ndryshimi në fokus: Artikujt që vlerësojnë modelin politik dhe ekonomik të Kinës dhe menaxhimin e saj të pandemisë COVID-19 kanë zëvendësuar artikujt për shtypjen e myslimanëve ujgurë, një çështje e ndjeshme për një vend me shumicë myslimane si Shqipëria. Kur Kina investon në mediat dhe analistët vendas, raportet neutrale ose negative zhduken.
Një seri sondazhesh të rregullta të opinionit publik sugjeron se investimet e Kinës në ndërtimin e imazhit kanë pasur rezultate. Nga viti 2019 deri në vitin 2020, pjesa e të anketuarve në sondazhin kombëtar të Barometrit të Sigurisë Shqiptare që mendonte se Kina kishte ndikim pozitiv në sigurinë e Shqipërisë u rrit më tepër se dyfishi, nga 23.5% në 54.9%. Në vitin 2022, me pyetjen disi të ndryshuar, 76.6% thanë se nuk mendonin se Kina përfaqësonte një kërcënim për sigurinë e Shqipërisë, krahasuar me 19% që thanë të kundërtën.
Audienca dhe popullatat në objektiv
Përpjekjet e autoriteteve kineze për të ndikuar në elitën politike dhe të biznesit të Shqipërisë për të çuar më tej synimet e politikës së jashtme të Pekinit ndjekin një model të përbashkët dhe të parashikueshëm. Përpjekjet e Kinës për fuqinë e butë i drejtohen kryesisht liderëve kyç në biznes, politikë, qeveri, akademi, media dhe organizata joqeveritare. Më të brishtë karshi propagandës kineze janë intelektualët më të vjetër shqiptarë, të cilët kanë pasur shumë kontakte me Pekinin në vitet e Maos dhe Enver Hoxhës. Kujtimet dhe trashëgimia e kësaj periudhe bëjnë që ky grup të jetë i prirur për ta mirëpritur praninë e Kinës në Shqipëri dhe të ndihmojë në krijimin e një brezi më të vjetër pro Kinës. Edhe pse ky grup nuk ndikon në vendimet politike, ndikimi i tij në pjesë të veçanta të shoqërisë shqiptare, përfshirë akademinë, i jep fuqi për të çuar përpara bashkëpunimin Tiranë-Pekin. Edukimi dhe trajnimi i liderëve shqiptarë të pas vitit 1999 në institucionet perëndimore i bën ata më pak të thyeshëm ndaj manipulimit kinez, por kjo mund të ndryshojë.
Autoritetet kineze kanë punuar gjithashtu për të identifikuar qytetarët që do të ishin më të hapur karshi pikëpamjeve të PKK që qarkullojnë në median shqiptare. Në mënyrë të veçantë, ata kërkojnë ata që kanë humbur mes të zhvillimit të pabarabartë ekonomik dhe modernizimit, janë të zhgënjyer nga politika lokale, ose janë të frustruar me rezultatet mikse të integrimit me Perëndimin. Megjithatë, në përgjithësi pjesa më e madhe e publikut nuk duket veçanërisht e hapur, edhe nëse sondazhet regjistrojnë njëfarë suksesi për operacionet e ndikimit të ngadaltë dhe të qëndrueshëm të Kinës.
Konkluzioni
Në përgjithësi, nuk ka dyshim se nisma e strategjisë së strukturuar të Kinës ka luajtur rol kryesor në ndërtimin e kontakteve më të ngushta midis Tiranës dhe Pekinit. Ajo ka bërë përparim midis grupeve të veçanta shoqërore në Shqipëri, duke ofruar versione alternative të realiteteve politike, ekonomike dhe gjeopolitike. Megjithatë, Kina ende shet më mirë në vendet e tjera të rajonit, si Serbia dhe Maqedonia e Veriut, sesa në Shqipëri. Shqipëria mbetet e ankoruar në orientimin e saj tradicional properëndimor, duke u përpjekur të shmangë çdo lloj depërtimi politik që mund të çojë në mbështetje të tepruar te Pekini.
© SYRI.net