Lajmi i fundit

‘Vjedhjet’ me ‘5D’, opozita vijon protestë sot te bashkia e Tiranës

Abazoviçi dhe anatemat e dyfishta

Abazoviçi dhe anatemat e dyfishta

Nga Genc Pollo - 22/08/2022

Ndoshta ligjet e politikës kanë sigurinë e ligjeve të fizikës kur bëhet fjalë për “kingmaker"in e një mazhorance qeveritare.

Abazoviç dhe partia e tij "Ura" me katër deputetë në parlament u bë king maker në qeverinë e formuar pas zgjedhjeve të përgjithshme të gushtit 2020. Kështu u  mundësua ndryshimi i pushtetit personal pas afro  dy dekadash dhe të partisë në pushtet pas shtatë dekadash.  Një arritje jo e vogël kjo!

Sidoqoftë, koalicioni rezultoi një shportë karavidhesh ku anëtari më i madh ishte prorus, proserb (në fakt serb), kundër NATO-s, kundër Kosovës së pavarur dhe jo pro BE-së. 

Kjo situatë i vë kufizime  një “kingmaker”-i ambicioz: Abazoviç u emërua zëvendëskryeministër i Malit të Z e përgjegjës për sektorin e sigurisë.  Ekspozimi dhe goditja e korrupsionit në disa rrjete të pushtetit të vjetër ishte një arritje. Pavarësisht ligjshmërisë ndonjëherë të dyshimtë.

Megjithatë qeveria nuk pati arritje të tjera; sigurisht që bëri edhe gafa jo të pakta. 

Incidentet rreth fronëzimit të Peshkopit të kishës serbe në Cetinë, shënuan fundin e kësaj qeverie. Qeveria vijuese befasoi me Abazoviçin si kryeministër dhe partinë e armikut të tij të madh, Presidentit Gjukanoviç, si forcën kryesore të koalicionit.

Në rastin më të mirë, kjo qeveri e re, do të stabilizonte situatën e paqëndrueshme politike dhe do të përgatitej për zgjedhje të reja, duke përfshirë reformën zgjedhore konsensuale dhe rishikimin e listave të votuesve. Në rastin ideal qeveria do të ndërmerrte reforma reale të kërkuara nga procesi i anëtarësimit në BE.

Abazoviç nuk e bëri as njërën e as tjetrën. Por ai zgjodhi të provokonte bartësin më të madh të qeverisë së tij: partinë e Presidentit, së pari duke tentuar t'i  bashkohej procesit Ballkani i Hapur; së dyti duke  nënshkruar një marrëveshje kapitullimi me Kishën Ortodokse Serbe.

“Ballkani i Hapur” u refuzua me të drejtë nga të gjitha qeveritë e mëparshme të Malit të Zi, përfshirë edhe atë ku Abazoviç shërbeu si Zëvendëskryeministër si dhe nga Presidenti Gjukanoviç.

Motivi ishte se kjo iniciativë përbënte një duplikatë të panevojshme të Tregut të Përbashkët Rajonal, Procesit të Berlinit. Gjithashtu sepse kjo nismë u konsiderua si një mjet  për arritjen e hegjemonisë rajonale nga Serbia.

“Ballkani i Hapur” është përdorur edhe  për të izoluar Kosovën. Për Abazoviçin, një shqiptar etnik dhe një  proeuropian i vetëdeklaruar, kjo duhet të ishte një anatemë e dyfishtë; duhet të shënojmë se ai kandidoi në emër të një lëvizjeje qytetare joetnike. por pan-malazeze.

Partia e Gjukanoviçit humbi zgjedhjet e vitit 2020 sepse u përpoq  për të forcuar Kishën historike Ortodokse të Malit të Zi, e cila u përfshi në Kishën Ortodokse Serbe në vitin 1918 kur Mali i Zi, deri atëherë i pavarur, u reduktua në një provincë të Mbretërisë së Jugosllavisë të porsaformuar. 

Përpjekja ligjore në vitin 2019 për t'i rikthyer pronat Kishës Ortodokse Malazeze energjizoi opozitën pro-serbe, u rriti numrin e mandateve parlamentare dhe përfundimisht i bëri mazhorancë qeveritare.

Zakonisht në Ballkan, kisha kombëtare  ka luajtur një rol qendror në formimin e identitetit kombëtar gjatë shekujve të fundit të sundimit osman dhe dekadave të para të pavarësisë shtetërore. Ende sot ajo mbetet një referencë e rëndësishme.

Kisha gjithashtu mund ta teprojë me etno-filetizëm dhe të apelojë  për vrasjen e "të tjerëve".  Kështu bëri Kisha Serbe gjatë luftërave në ish-Jugosllavi; të njëjtën sjellje po bën aktualisht kisha ruse.  Në këtë këndvështrim, përpjekjet e Gjukanoviçit bëhen të kuptueshme.

Marrëveshja e nënshkruar nga kryeministri Abazoviç me kreun e Kishës Serbe, i jep kësaj të fundit jo vetëm pronat e diskutueshme e pozitën pre-eminente në vend, por edhe konfirmimin e pretendimit të saj historik primordial.  Do të ishte e vështirë të imagjinohej një fyerje publike më brutale ndaj Presidentit e ndaj koalicionit dhe për një udhëheqës qytetar, e aq më tepër për një shqiptar etnik, koncesione të tilla do të ishin sërish një anatemë e dyfishtë.

Të dyja këto aventura të Abazoviçit të kujtojnë disi paradoksin Nikson. Presidenti republikan i ShBA ishte i vetmi që mund të guxonte të afrohej me Kinën komuniste për ta nxjerrë nga orbita sovjetike. Vetëm se Abazoviçit i mungon objektivi dhe largpamësia strategjike e Niksonit.

Një shënim i fundit për një “kingmaker” qeveritar dhe një partner junior në koalicion: Partneri junior  mund të vendosë veton ndaj nismave të partnerit sendor, ndonjëherë duke votuar kundër ose herë tjetër duke kërcënuar me kolaps të qeverisë.  Por gjithashtu parteri junior nuk mund t'i imponojë çdo nismë të vetën partnerit senior. 

Kjo është po aq e sigurt sa graviteti dhe ligjet e tjera të fizikës.  Dhe, nëse ka ende rëndësi, nuk është demokratike!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco