Kur të bien gjethet, do të bien edhe skemat!

Kur të bien gjethet, do të bien edhe skemat!

Nga Lisandër Hoxha - 20/08/2022

Siç dihet, beteja më e madhe e opozitës ka qenë ajo e rikonfigurimit të saj.

Një betejë, e cila zgjati më shumë se sa ishte e nevojshme dhe zgjatet edhe sot në mënyrë artificiale për të penguar demokracinë.

Baza e PD e cilësoi përgjegjës Lulzim Bashën për humbjet, denatyralizimin e PD dhe tradhtinë ndaj lidershipit të saj.

Në këto kushte, roli i Sali Berishës ishte jetik për të nisur një transformim rrënjësor të filozofisë politike mbi të cilën Partia Demokratike duhej të ringrihej.

Siç pritej, Berisha mori shumicën e demokratëve duke vënë me shpatulla pas muri Bashën, partnerët e tij dhe frontin e gjerë anti-Berisha, të cilët mendonin se pas 32 vitesh arritën ta mundnin atë.

Ngjarjet rrodhën në mënyrën më cinike dhe të paimagjinueshme që pas 9 Shtatorit 2021.

Basha deklaronte se nuk do të lejonte mbledhjen e një Kuvendi Kombëtar antiamerikan.

Ai paralelisht beri një anti-Kuvend të paligjshëm, më 18 Dhjetor, për të zgjatur paqartësinë e situatës dhe raportin e forcave.

Më 8 Janar demokratët u përballën me bunkerizimin e selisë së PD dhe u dhunuan nga Basha në bashkëpunim me policinë e Ramës.

Me 6 Mars PD, me vulë dhe pa njerëz, vendosi të garonte përballë shumicës së demokratëve duke dëshmuar përfundimisht se ishin pa mbështetjen e bazës dhe elektoratit, pra ishin të paligjshëm në krye të PD.

Pasi Gjykata e Tiranës vendosi në favor të 11 Dhjetorit, grupi Basha, edhe pse i mundur dhe pa asnjë suport, vendosi të ankimonte në kushtet e pavlefshmërisë absolute vendimin duke tentuar të zgjasë në kohë rikthimin në normalitet të PD.

Sot, edhe pse të mundur dhe të diskretituar përballë elektoratit, po përdoren mandatet e disa deputeteve për dualizëm politik.

Një skenë e jetuar më parë nga shqiptarët në vitin 2019-2021, kur PD hoqi dorë nga mandatet e saj dhe shtojcat fundore të listave u thonin opinionit publik se ne jemi opozita zyrtare dhe të tjerët janë opozita e rrugës.

Kjo behej vetëm për defaktorizim të opozitës dhe vazhdim të miratimit të mbrapshtë të ligjeve klienteliste dhe antikushtetuese nga qeveria dhe 'opozita zyrtare'.

Asgjë e mirë nuk i erdhi Shqipërisë nga kjo manovër e turpshme në 2019-2021, e cila u përkrah fuqishëm nga partnerët ndërkombëtarë. Më vjen në mendje ligji për korporatat e investimeve strategjike, përmes të cilit sot po vërtetohet se është një skemë përvetësimi me ligj i pasurisë së çmuar publike nga familjarët e ministrave të qeverisë.

Pra, defaktorizimi i opozitës sjell më shumë korrupsion dhe konflikt politik se sa zgjidhje për vendin.

Sot, e njëjta skemë po tentohet të zbatohet ne Parlament dhe në jetën politike të vendit.

Mosnjohja e saj dhe bashkëpunimi tinëzar me pjesën e deputetëve që nuk janë bashkuar me interesin e shumicës së demokrateve sjell një 2019-2021 të dytë.

E vetmja gjë që i mungon skenarit të shkuar është Lidershipi i Opozitës.

Ai sot nuk quhet Lulzim Basha.

Ai sot nuk ka një pazar me qeverinë dhe për pasojë, mundësia e një konflikti politik për shkak te shpërfilljes është shumë i madh.

Reforma Zgjedhore dhe ajo Territoriale janë jetike për vendin dhe ato kurrsesi nuk mund të bëhen pa konsensusin e opozitës.

Së dyti, lufta cinike mbi ligjshmërinë e vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila njohu 11 Dhjetorin është vetëm një mekanizëm politik për të mbajtur pezull fatin ligjor, por jo politik të Partisë Demokratike.

Në këto kushte, duke patur parasysh edhe situatën e rënduar ekonomike të vendit, konflikti mes palëve bëhet i pashmangshëm.

Partia Demokratike po shkon drejt rrugës së vetme që njeh konflikti politik dhe ajo quhet protesta.

PS vazhdon të ndjekë një kurs antidemokratik dhe arrogant, i cili do e fusë vendin në një aventurë e cila mund të sjellë gjithçka.

Kuptimi i shtetit dhe i demokracisë funksionale humbet kur rregullat dhe parimet e saj bien. Kjo e bën të rrezikshme të ardhmen e konfliktit politik, pasi në mungesë të rregullave gjithçka mund të ndodhë.

Opozita ka vetëm një rrugë për të ekzistuar dhe kjo quhet kushtëzimi i qeverisë me bllokime, protesta dhe mosbindje civile!

Qeveria duhet të pranojë realitetin e ri politik ose duhet të largohet. Kjo do të zgjidhet këtë vjeshtë.

Me rënien e gjetheve do të bjerë dhe perdja që mban të mbuluar rrugëtimin politik të palëve.

Opozita ka vetëm një mundësi përpara zgjedhjeve lokale dhe ajo do të bëjë gjithçka që të imponohet me forcën e numrave në rruge dhe kudo.

Qeveria ka hyrë në qorrsokak me një skenar të vjetër dhe aktorë të rinj. Ajo tenton të realizojë të njëjtën komedi, por në kushtet e një drame ekonomike, e cila po ushqen krizën politike më shumë se çdo gjë tjetër.

Vjeshta do të ndajë përfundimisht palët në kampe reale përtej lojërave me gjykata, deklarata ambasadoresh, apo trafik mandatesh parlamentare.

Nevoja publike për përballje mes palëve sot është më e madhe se sa strategjitë politike të Edi Ramës me grupin anti-Berisha.

Në Vjeshtë bien edhe gjethet e fundit të ushqyera në laboratorët anti-PD për një qeveri teknike mes PS dhe Grupit Parlamentar Pro -Basha.

Përballja në rrugë zeron të gjitha shanset shpërfillëse dhe taktikat e Ramës për të shmangur Partinë Demokratike nga roli i saj legjitim i të qenurit Opozita e vendit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco