Lajmi i fundit

SYRI DIGJITAL/ Plagët sociale që u shkaktuan nga qeveria Rama

Pse kapitalizmi patriotik është rruga përpara për konservatorizmin?

Pse kapitalizmi patriotik është rruga përpara për konservatorizmin?

Nga Nikola KEDHI - 07/11/2021

"Ne nuk studiojmë thjesht të kaluarën: ne e trashëgojmë atë, nga njerëz me të cilët jemi të lidhur nga një devotshmëri natyrore. Trashëgimia sjell me vete jo vetëm të drejtat e pronësisë, por edhe detyrat e kujdestarisë. Gjërat për të cilat vërtetja vlen të luftohet në jetë nuk duhen shpërdoruar, pasi ato në fakt janë pronë e të tjerëve, të cilët ende nuk kanë lindur". -- Roger Scruton dhe Anthony Barnett

Në këtë citim, Sir Roger Scruton përmbledh në mënyrë të përsosur thelbin e konservatorizmit. Nuk është një ideologji, por një shumëllojshmëri idesh, besimesh dhe ndjenjash që janë të natyrshme për çdo qenie njerëzore.

Ne trashëgojmë nga prindërit tanë shtëpinë në të cilën lindim, familjen, komunitetin, qytetin dhe vendin e të parëve tanë. Në çast, dhe krejt instinktivisht, ne lidhemi me këto vende dhe njerëz dhe natyrshëm na lind një ndjenjë mbrojtje.

Ne bëhemi trashëgimtarë të traditave dhe kulturës, historisë dhe veprave, për mirë apo për keq. Secili prej nesh ka lindur në një mjedis dhe në një status të caktuar social dhe ekonomik. Është detyra jonë t'ua lëmë pasardhësve tanë këtë trashëgimi të shumë-anshme në një formë më të mirë se sa ishte kur e morëm.

Një konservator është një individ që e kupton këtë marrëdhënie më të natyrshme midis të gjallëve, të vdekurve dhe atyre të cilët nuk kanë lindur ende. Megjithatë, përveçse ta bëjë të dukshme për të gjithë këtë marrëdhënie themelore dhe njerëzore, një konservator duhet të gjejë mënyrat dhe mjetet praktike për ta mbrojtur dhe forcuar atë.

Për këtë qëllim, konservatorët duhet të kenë një përgjigje për sistemet politike dhe ekonomike që duhet të zbatohen, në mënyrë që një vend dhe individët e tij të jenë të lirë, të kenë lëvizshmëri sociale, meritokraci dhe të mbrojnë normat e tyre kulturore dhe morale. Nëpërmjet një sistemi të përshtatshëm ekonomik, konservatorët mund të përmirësojnë mirëqenien e çdo qytetari të një shoqërie, në mënyrë që secili prej nesh t'u lërë brezave të ardhshëm një botë më të mirë, duke nderuar njëkohësisht të kaluarën tonë.

Pas dekadash në heshtje, një lloj rizgjimi po ndodh mes konservatorëve – një ringjallje që ka marrë formë sidomos në gjashtë vitet e fundit. Nën kërcënimin e fshirjes së kulturës (cancel culture), auto-censurës, rishikimit të historisë, kthimit të marksizmit, imigrimit të paligjshëm dhe shtytjes së detyruar drejt mentalitetit të tufës dhe refuzimit të të menduarit kritik, konservatorët kanë filluar të ngrihen dhe të luftojnë për atë që besojnë.

Është një luftë ekzistenciale të cilën e ka nxitur dhe i ka dhënë jehonë njëri prej individëve më të pamendueshëm: një miliarder i pasurive të patundshme nga ndoshta qyteti më progresiv që ekziston, Nju Jorku. Fushata dhe presidenca e Donald Trump frymëzoi jo vetëm dhjetëra miliona amerikanë, por duket se zgjoi nga një gjumë i thellë konservatorët e ndarë të Evropës.

Shumë të djathtë të Establishmentit nuk e pëlqejnë atë  dhe nuk do ta pranonin kurrë publikisht se Donald Trump u dha atyre një shans për të luftuar. Ai u tregoi konservatorëve se si të luftonin dhe të fitonin. Presidenti i 45-të kishte guximin të ngrihej për atë që ai besonte, dhe rrjedhimisht frymëzoi konservatorët, të djathtën në përgjithësi dhe liridashësit në të dy anët e Atlantikut.

Tani, konservatorët duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të ndërtojnë një strategji të qëndrueshme dhe të besueshme që prodhon rezultate.

Konservatorizmi ka shumë nuanca dhe forma, secila me diçka për të ofruar në një koalicion të madh të së djathtës. Ne duhet të biem dakord për disa baza themelore të përbashkëta, bazuar në atë që ka funksionuar në të kaluarën, të përshtatur me rrethanat aktuale.

Sigurisht që ekzistojnë disa modele konservatore suksesi që mund të përshtaten me realitetin e kohës sonë dhe të zbatohen nga kombet si në Evropë, dhe në SHBA.

Ne mund të mësojmë nga ajo që bëri Presidenti Reagan dhe Baronesha Thatcher në vitet tetëdhjetë dhe të kombinojmë politikat e tyre ekonomike me vlerat kulturore, patriotike dhe sociale që Burke, Scruton dhe shumë të tjerë paraqesin dhe mbrojnë. Këto dy anë të së djathtës nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, një aleancë e tillë mund të jetë pikërisht ajo që Perëndimit i duhet, në mënyrë që të shpëtojë.

Kapitalizmi patriotik është rruga përpara për konservatorizmin. Një patriot kujdeset për familjen, pronën, komunitetin, vendin dhe mjedisin e tij, padyshim duke bashkëpunuar ngushtë dhe paqësisht me të tjerët. Një sistem kapitalist sjell mjetet për të ruajtur gjithçka që konservatorët – dhe shumica e qenieve njerëzore – e kanë të shtrenjtë.

Një edukim patriotik krijon qytetarë më të mirë me një shkallë më të lartë përgjegjësie civile dhe kujdesi për mjedisin – kapitalizmi ofron mjetet për të pasur zgjedhjen e edukimit dhe për ta kryer këtë edukim të fortë patriotik. Individët e arsimuar me mjetet dhe mundësitë e nevojshme ekonomike, krijojnë familje më të forta, të cilat padyshim çojnë në shoqëri më të shëndetshme dhe më të durueshme.

Konservatorët kanë të drejtë të fokusohen në aspektet kulturore. Megjithatë, ky fokus nuk do të thotë braktisje apo zgjedhje të politikave të gabuara ekonomike. Krejt ekundërta! Konservatorët duhet të ofrojnë një alternativë gjithëpërfshirëse që qëndron në shtyllat kulturore dhe ekonomike. Për këtë të fundit, ata ende nuk po ofrojnë një alternativë.

Cila është alternativa konservatore ndaj Teorisë Monetare Moderne, kapitalizmit klientelist dhe oligarkisë? Cilin sistem ekonomik mbrojnë të djathtët? Ku qëndron refuzimi ndaj qeverisë së madhe – dhe gjithnjë në zgjerim, e cila është padyshim faktori kryesor i degradimit aktual ekonomik të Perëndimit?

Konservatorët nuk mund të mbyllin njërin sy apo të gëzohen kur politikanët konservatorë përdorin fuqinë e qeverisë së madhe dhe ta denoncojnë këtë kur e bën e majta.

Qeveritë duhet të ekzistojnë për të ruajtur jetën, lirinë, pronën private, sigurinë kombëtare dhe asgjë tjetër. Kjo është ajo që e bën një qeveri të fortë – një koncept i ndryshëm nga ai i qeverisë së madhe.

Qeveritë e kufizuara kanë qenë një histori suksesi, veçanërisht në Amerikë. Trashëgimia evropiane e qeverive të mëdha ka prodhuar një super-shtet të dështuar me aspirata socialiste. Sa më e madhe të jetë qeveria, aq më i madh është rreziku që ajo të shpërdorojë pushtetin e saj. Duke ardhur nga një vend me një të kaluar komuniste, unë i kuptoj fare mirë rreziqet e zgjerimit të fuqisë së shtetit si dhe joshjen që ky fenomen sjell, madje edhe për konservatorët.

Konservatorët kanë ide që funksionojnë dhe megjithatë nuk i përdorin ato. Është e rëndësishme të kuptohet se pa fuqizim ekonomik të individëve nuk mund të ketë një përballje të suksesshme kulturore. Konservatorët duhet të kenë besim më të lartë te individët dhe aftësitë e tyre vendimmarrëse.

Nuk duhet të jetë shteti – pavarësisht se kush e drejton atë – që t'u thotë individëve se çfarë të bëjnë me jetën e tyre ose si t'i shpenzojnë paratë e tyre. Sa më të pasur të jenë individët, aq më e vogël do të jetë mbështetja e tyre tek qeveritë dhe burokratët dhe aq më e fortë do të jetë aftësia e tyre për të krijuar një shoqëri patriotike dhe të qëndrueshme. Gjithçka fillon me arsimin dhe fuqizimin ekonomik, dhe kapitalizmi siguron mjetet.

Nga ana e ofertës, politikat kapitaliste janë mjetet për të krijuar shoqëri ku lulëzojnë liria, mundësitë, patriotizmi, prosperiteti, shoqëria civile dhe shtetet e forta kombëtare. Megjithatë, konservatorët po miratojnë paketa trilion dollarësh që kanalizohen në sektorë joproduktivë, kompani zombie dhe klientë politikë, duke ndihmuar në mënyrë ironike në dobësimin e konceptit të shtetit komb.

Në Evropë, të paktë janë ata që ngrenë zërin kundër borxheve masive të pafundme, normave negative dhe politikave të taksave dhe shpenzimeve. Dritëshkurtësia e politikanëve – shumë prej tyre konservatorë të vetëshpallur – po çon në një kontinent që po vdes. Duhet të ketë një opozitë dhe alternativë të qartë konservatore ndaj asgjësimit aktual ekonomik të kontinentit.

Konservatorët, të cilët duhet të promovojnë sipërmarrjen e lirë, qeverisjen e kufizuar, lirinë individuale, vlerat tradicionale, decentralizimin dhe një mbrojtje të fortë kombëtare, tani janë shndërruar në rishpërndarës të pasurisë, duke mbrojtur rritjen e shtetit të mirëqenies dhe centralizimin e mëtejshëm të pushtetit.

Nuk do të lodhem kurrë duke cituar Presidentin Reagan: "Programi më i mirë i mirëqenies është një vend punë". Kjo është ajo që i kthen dinjitetin njerëzve.

Një individ me ndjenjën e dinjitetit të tij do të luftojë për familjen, traditën, sovranitetin dhe kulturën. Dikush i varur nga qeveria do të jetë shërbëtor i klientëve politikë në sektorin privat, pranues ngurrues i ideologjive wokedhe politikave të dëmshme.

Evropa dhe Amerika janë në rrugën e varlsisë së përhershme shtetërore. Shumë grupe sociale po bëhen të varura nga ndihma e qeverisë për shumë breza. Sigurimi i të ardhurave të garantuara për njerëzit joproduktivë do të krijojë edhe më shumë njerëz joproduktivë.

Konservatorët duhet të fokusohen në uljen e taksave dhe lehtësimin e barrës rregullatore. Ata duhet të nxisin stimujt për të punuar dhe prodhuar dhe të përpiqen të reduktojnë burokracinë. Qeveritë duhet të tatojnë mjaftueshëm për të ngritur një minimum të të ardhurave për fushat më jetësore të shtetit si siguria kombëtare.

Sulmi ndaj kapitalizmit është në modë. Konservatorët nuk duhet të bien pre e kësaj. Evropa është në një gjendje krize të vazhdueshme për shkak të ndërhyrjes së qeverisë dhe politikave Keynesiane, jo prej kapitalizmit.

Për më shumë se dy dekada ka pasur një keqmenaxhim të financave publike, taksa të larta, shpenzime të mëdha dhe joproduktive të qeverisë dhe akumulim masiv të borxhit nga qeveritë evropiane. Këto qeveri dhe banka qendrore kanë ndërhyrë në tregje, duke i shtrembëruar ato. Dhe si kurë ato paraqesin më shumë të së njëjtës gjë. Kjo është e kundërta e kapitalizmit.

Një kapitalizëm i vërtetë patriotik promovon lirinë, bashkëpunimin dhe barazinë e mundësive dhe jo të rezultatit. Në polin tjetër, kapitalizmi klientelist, sistemet e mëdha qeveritare dhe socializmi lulëzojnë në mënyrë imorale në mungesë të këtyre tre elementeve.

Për më tepër, kapitalizmi promovon zgjedhjen dhe konkurrencën, nëpërmjet bashkëpunimit të lirë të pjesëmarrësve të tregut. Në thelbin e tij, kapitalizmi ka të bëjë me transformimin e interesit vetjak të gjithsecilit në altruizëm.

Në përgjithësi, ai është më shumë në përputhje të plotë me natyrën njerëzore, ashtu si konservatorizmi. Vetëm për këtë arsye, kapitalizmi do të jetë gjithmonë moralisht superior ndaj çdo sistemi tjetër ekonomik.

Sigurimi i një alternative ekonomike të ndjeshme ndaj realitetit socialist aktual në BE, si dhe lufta për patriotizmin, shtetin-komb, traditën, kulturën dhe historinë, do t'u japë konservatorëve evropianë atu në betejën e tyre aktuale kundër çmendurisë.

Dështimi për të përqafuar këto dy shtylla të kapitalizmit patriotik do të rezultojë në zombifikimin e sigurt kulturor dhe ekonomik të shoqërive tona dhe rënien e Perëndimit.

Populli amerikan gjatë shekujve ka treguar se e kupton këtë. A do ta ndjekin shembullin evropianët – veçanërisht ata konservatorë?

Nikola Kedhi është një Konsulent Financiar në Deloitte dhe kontributor në media të ndryshme në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ky artikull, i cili pasqyron vetëm mendimet e autorit, është botuar në origjinal në FOX NEWS.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco