Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Regjimet autoritare, Ballkani i Hapur dhe Doktrina e Presidentit Biden

Regjimet autoritare, Ballkani i Hapur dhe Doktrina e Presidentit Biden

Nga Agim Nesho - 07/11/2021

Ballkani Perëndimor po përjeton afrimin e një klime tensioni, që mund ta kthejë këtë rajon në një destabilitet të plotë. Disa dekada pas procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe zgjidhjes së problemeve nacionale nga vendet e Ballkanit Perëndimor, nacionalizmi i ri serb po rikthehet për të vendosur balanca të reja në Balkan, nga ku Serbia do të ndjehet në një situatë ëin-ëin (fituese në të gjitha rastet). Vetë Presidenti Vuçiç deklaron pengesat dhe sfidat e Serbisë në këtë situatë të re:

Së pari, Serbia duhet të marrë rolin që i takon si fuqia kryesore ekonomike e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet iniciativave, si Ballkani i Hapur.

Së dyti, Serbia duhet të organizojë ‘Botën Serbe’ dhe të mbrojë interesat e saj. Në këtë mënyrë Serbia po i rikthehet idesë së Serbisë së Madhe duke kritikuar Perëndimin se ‘vetëm kombit serb nuk i lejohet e drejta e vetëvendosjes’, duke i dhënë një përgjigje zhvillimeve separatiste që po ndodhin në Bosnjë-Hercegoninë.

Së treti, Serbia mendon se në Ballkan është hapur Kutia e Pandorës nga Perëndimi dhe që kur kjo e fundit ka njohur Republikën e Kosovës cdo përpjekje nacionaliste e Serbisë është e justifikuar.

Pra, shkaku i destabilitetit vjen nga kërkesat nacionaliste të regjimit të Beogradit, i cili për më shumë se një dekadë u pa me simpati nga Bashkimi Europian dhe Perëndimi si pjesë e ardhshme e komunitetit të tyre. U tolerua nga BE për hir të stabilitetit, u tolerua nga Gjermania me pragmatizmin e saj për tregje investimi, u tolerua nga SHBA nga presioni i grupimeve lobiste që kërkonin të realizonin skenarët serbë duke paraqitur një fasadë impresive për politikën amerikane. Dhe këto forca lobiste nuk ishin organizata të thjeshta por një makineri propagandistike e paguar, që fillonte nga ish-kryeministra të vendeve perëndimore e duke përfunduar tek organizata me ndikim direkt në vendim-marrjen e pushtetit.

Garancia e politikës së re serbe është e bazuar në disa faktorë:

Së pari, në mbështetjen e Rusisë si fuqi botërore, që ka interesa të shprehura për Ballkanin dhe përkrah Serbinë për një konfiguracion të ri gjeopolitik të Ballkanit. Interesat maksimale të saj përfshijnë rritjen e influencave ruse, prishjen e arkitekturës së sigurisë dhe shtrirjen e NATO-s si dhe mundësinë për të dalë në Adriatik.

Së dyti, përkeqësimi i statusit demokratik të vendeve të Ballkanit, mosfunksionimi i shtetit ligjor dhe krijimi i regjimeve autoritare, të cilat janë të prirura të mbrojnë interesat e tyre oligarkike përpara interesave të popullit. Regjimet oligarkike ndihmohen të mbijetojnë me skenarë dhe situata destabilizuese. 

Së treti, euroskepticizmi i BE-së dhe mungesa e një veprimi konkret politik për të avancuar integrimin e rajonit në Bashkimin Europian.

Së katërti, lindja e nacionalizmave të rinj identitarë brenda demokracive perëndimore. 

Pavarësisht dëshirave tona për ta parë Serbinë pjesë të Perëndimit, Serbia gjithmonë e më shumë po shket nga rruga europiane perëndimore dhe po merr fizionominë e një shteti satelit të Rusisë dhe pse jo edhe të Kinës. Investimet e mëdha kineze, armatimet e shumta të Rusisë si dhe investimet në energji, infrastrukturë dhe informacion, futja në Unionin Euro-Aziatik etj., tregojnë se ajo përpara se të jetë subjekt i orientimit perëndimor është një faktor për ta prishur këtë perspektivë në rajon. Inisiativat e saj për ndarjen e kufijve si dhe Ballkani i Hapur janë pjesë e strategjisë së saj për të realizuar dominimin serb në Ballkanin Perëndimor dhe për të ç’orientuar perspektivën perëndimore të rajonit. Realizimi i këtyre iniciativave është bërë me mjeshtëri duke i paraqitur si zgjidhje alternative dhe jo përjashtuese, duke manipuluar me përdorimin e elementeve të veçantë karrieristë dhe delirantë ballkanik, dhe pretenduar se këto iniciativa respektojnë vlerat dhe parimet perëndimore.

Sot Ballkani Perëndimor ndodhet përpara një krize të re destabilizimi me paradoksin e madh midis miopisë dhe mos-veprimit të perëndimit në një hapësirë plotësisht europiane nga njëra anë, dhe revanshizmit të nacionalizmit serbo-rus që duan të shtrijnë influencat e tyre nga ana tjetër. Realiteti tregon se në pritje të Godosë për nacionalistët e rinj serbë ti bashkohen Europës dhe perëndimit, po përjetojmë situata shqetësuese në Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë dhe së fundmi në Maqedoninë e Veriut. Konkluzioni: rritje të prirjeve nacionaliste në Ballkanin Perëndimor për të kundërshtuar nacionalizmin e ri serb, për të krijuar një moment ekuilibri, në një kohë që veprimi i garantuesve të stabilitetit në rajon është i vonuar dhe i keqpërdorur nga lobistët, që vetë liderët e Ballkanit i përdorin për të ruajtur pushtetin dhe paratë e tyre. Kriza në Bosnjë-Hercegovinë, në Kosovë me demonstrim ushtrie, në Mal të Zi për të prishur orientimin perëndimor janë arenat ku realizohet kjo strategji. Dodik nuk është shkaku, por është individi-mjet për të realizuar skemën, që vjen nga Beogradi.

Prandaj Perëndimi dhe zoti Eskobar përpara se të merren me Dodik &Co., të merren me inisiativat destabilizuese të Vucic & Co. duke përfshirë dhe Ballkanin e Hapur, inisiatorët e të cilëve (Rama dhe Vuçiç) nuk kanë staturën e elementeve përfaqësues dhe stabilizues. Rasti i koalicionit të ri në Maqedoninë e Veriut, kur partitë shqiptare votojnë sipas interesave të tyre, tregon se influenca e Ramës në hapësirat shqiptare është inekzistente, sidomos në këto momente kur Zaev i duhej për të mbajtur në këmbë iniciativën.

Një mundësi e vetme mund ta shpëtojë Ballkanin nga mundësitë e konfliktit. Dhe kjo është Doktrina e Presidentit Biden, që e përcakton shekullin tonë si shekulli i luftës së ‘demokracisë kundër autoritarizmit’. Ky vizion i qartë i Presidentit Biden është shpëtimi për Ballkanin për ndryshimin e regjimeve dhe rivendosjen e institucioneve demokratike e shtetit ligjor. Realizmi dhe pragmatizmi në Politikën e Jashtme, që për shumë zyrtarë të administratës vazhdon të zbatohet për të zgjidhur problemet e momentit, duhet të ndryshojë në zbatimin e Doktrinës së re Biden, që është shpëtim jo vetëm për Ballkanin por edhe për gjithë botën e civilizuar.

Nacionalizmi serb nuk pengohet duke i plotësuar kërkesat e tij por duke luftuar fenomenin për rrezikun që paraqet. Nacionalizmi dhe autokracia kërkojnë ta largojnë Ballkanin Perëndimor nga e ardhmja e tij perëndimore. Ne nuk duhet ta lejojmë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco