Diskursi politik i Bashës e bën PD-në, alternativë qeverisëse

Diskursi politik i Bashës e bën PD-në, alternativë qeverisëse

Nga Altin Gjeta - 20/09/2020

Intervista e liderit të opozitës, Lulzim Basha, të enjten mbrëma në Opinion duket se ka kaluar pa vëmendjen e duhur në rrethet e komentariatit politik të Tiranës.

Nuk di të them nëse një shpërfillje e tillë ka ardhur nga cektësia e mendimit analitik të vëzhguesve të aktualitetit apo është zgjedhje strategjike për të lënë në hije disa ide thelbësore të cilat me shumë mundësi do të formësojnë Shqipërinë e kësaj dekade që sapo kemi shkelur.

Por mundem me thanë lirisht se ndoshta për herë të parë në këto tre dekada, elaborimi politik i Lulzim Bashës sinjalizon nisjen e një procesi transformues në shoqërinë shqiptare.

Ky diskurs i ri politik vjen në krye të tre dekadave tranzicion, periudhë gjatë së cilës Shqipëria ka kaluar nga një regjim Stalinist në një regjim apolitik, të mbyllur, ku sundon një njeri i vetëm.

Kjo ka ardhur si rezultat i prevalimit të ‘politikës’ me të cilën studiuesja e teroisë së demokracisë, Chantal Mouffe, kupton dimensionin e brendshëm antagonist (luftarak) të raporteve njerëzore, mbi ‘politikat’, tërësinë e praktikave, diskurseve dhe institucionve që synojnë krijimin e kushteve për bashkëekzistencë paqësore mes sistemeve të ndryshme të vlerave dhe koncepteve mbi atë se çfarë është e mirë apo e moralshme në një shoqëri pluraliste.

Hapësirën e ‘politikave’ në jetën publike post-komuniste shqiptare e ka zënë diskursi antipolitik i lidershpit i cili nuk ka synuar mobilizimin e qytetarëve rreth alternativave reale, të majta apo të djathta, por rreth konstruktimit imagjinar të kundërshtarit politik si armik, qesharak dhe të rrezikshëm me të cilin asesi nuk mund të bashkëpunohet dhe se në instancë të fundit duhet të eleminohet tërësisht nga skena politike.

Edi Rama është mishërimi i plotë i këtij modeli, i cili me anë të makinërisë së tij propagandistike ka synuar ç’veshjen e shoqërisë shqiptare nga çdo lloj pike reference ideore dhe sistemi vlerash.

Për Ramën pushteti nuk ka qenë asnjëherë mjet, por qëllim në vetvete. Që në krye të herës, me marrjen e drejtimit të PS-së, Rama e konstruktoi veten në publik si një qënie apolitik, një mesia i kohëve të reja i cili premtonte të largonte tregtarët (armiqt) nga tempulli.

Në pamundësi për të ndërtuar një fabul elektorale, ai në fillim përqafoi rrugën e tretë të ishkryeministrit britanik Tony Blair, bazuar në idenë e socilogut Anthony Giddens, ‘përtej të majtës dhe të djathtës’, një qasje pragmatiste centriste e cila synonte të rigjallëronte të majtën e diskredituar në fillim të viteve 90-të me rënien e regjimeve komuniste në Europën Lindore.

Ndërsa në vitin 2013-të, megjithëse PS-së nuk arriti të merrte asnjë mandat më shumë se në 2009- ën Rama erdhi në pushtet nëpërmjet numrave me LSI-në.

Zgjedhjet e vitit 2013-të shënojnë herën e parë dhe të vetme kur Edi Rama artikulon copëza ideshë politike, duke përqafuar taksën progresive, një lloj sforcimi ideologjik majtist që rezultoi një fasadë, një fiasko politike dhe ekonomike.

Qysh atëbotë, ndërsa Rama predikon socializëm për popullin, p.sh shëndetësi falas, legalizime fala etj, ai në të vërtetë është konvertuar në një neo-liberal deviant duke kandisur një grusht njerëzish me koncensione milionëshe, çka ka monopolizuar ekonominë dhe falimentuar bizensin e ndershëm.

Këtij inxhinjerimi politik dhe social banal, Rama i vuri kapak me ofertën e tij të ‘tepsisë dhe timonit’ në 2017-ën.

Ndërkohë që i afrohemi zgjedhjeve të reja parlamentare, kryeministri duket se ka shterruar nga çdo lloj ideje dhe fabule politike.

Në mungesë të një bilanci qeverisës, ai kërkon një mandat të tretë nëpërmjet retorikës diversive dhe anti-politike në përpjekje për të konstruktuar një pikë reference boshe, një kurth, një realitet imagjinar, si ‘fajin e ka Saliu, Basha është i paaftë për të fituar, nuk ka më të mirë se unë etj’, nga ku pretendon të mbahet përthnojsh pas pushtetit.

Krijimi i një realiteti të tillë virtual antipolitik synon minimin e mobilizimit të qytetarëve rreth platformës ideore të opozitës – duke synuar kështu krijimin e një apatie të përgjithshme tek elektorati që kërkon ndryshim radikal.

Në të kundërt, Lulzim Basha ka filluar ti japë formë vizionit të tij për Shqipërinë e nesërme.

Ai ka filluar të flasë për një program ekonomik realist i cili synon zgjerimin e shtresës së mesme nëpërmjet implementimit të taksës së sheshtë 9%, heçjes së burokracive administrative, subvencionimin e fermerëve dhe shkatërrimin e monopoleve.

Në artikulimin e Bashës mungon fryma mesianike, përkundrazi ravijëzohet ideja e një projekti i cili ka për qëllim krijimin e një klime të favorshme për sipërmarrjen e lirë dhe respektin për punën.

Kështu, Basha shfaqet si një lider normal që nuk iu flet zemrave por ratios së shqiptarëve.

Nga ana tjetër, Basha e ka kuptuar se sistemi politik 30 vjeçarë është një ngrehinë e kalbur e cila nëse nuk reformohet në mënyrë radikale rrezikon të na zerë përfundi të gjithëve.

Prandaj, fuqizimin ekonomik të idividit ai e lidh ngushtë me fuqizimin politik të tij në funksion të kufizimit të pushtetit si një nga kushtet themelore për ndërtimin e një demokracie funksionale.

Ideja radikale e kufizimit të mandatit të kryeministrit në dy term-a jep mesazhin e qartë të qasjes së tij ndaj pushtetit. Shqipëria është një vend me traditë demokratike foshnjërake ose më mirë me thanë inekzistente, me institucione të dobëta dhe të zhbalancuara, kështu që kufizimi i pushtetit të kryeministrit do të ishte një hap pozitiv në frenimin e çimentimit dhe degradimit të pushtetit nga autokrati i radhës dhe nxitjen e qarkullimit të elitave politike.

Kësisoj, artikulimi ideologjik i Bashës, shpalosja e ideve politike në hapsirën publike dekonstrukton narrativën boshe antipolitike të kryeministrit Rama.

Platforma e tij ideore e krijon premisat për ndërtimin e një alternative kundër-hegjemonike e cila i shërben interesit publik dhe themelimit të demokracisë pjesëmarrëse.

Theksimi i kufijve ideologjik sipas Chantal Mouffe nxit mobilizimin dhe pjesmarrjen pasi qytetarët shikojnë lindjen alternativave të reja rreth të cilava ato ndihen të përfaqësuara.

Andaj, radikalizimi platformës ideore të PD-së bën të mundur krijimi i një vije thyrëse mes hegjemonisë apolike të Ramës dhe shfaqjes së një platforme akomoduese e cila mobilizon qytetarët dhe hap rrugën për tranformime politike dhe socio-ekonomike në vend.

Në këtë kuptim, artikulimi i Bashës është transformues dhe demokratizues, dhe çfarë është më me rëndësi, krijon frymën e përmbysjes (outvoting) së makinerisë së manipulimit elektoral të pushtetit autokratik.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

emigrant20/09/2020 12:38

Më pëlqeu shkrimi për vërtetësinë e thjeshtësinë e argumentave .
E ndoqa me interes intervistën e z Basha në Opinion e ku veçoj edhe sinqeritetin e tij kur thoshte se gabime ka bërë edhe opozita aktuale, por puna është që të mësosh nga gabimet për të gjetur rrugët më optimale të forcimit të demokracisë.
Edhe propozimi i tij që në Shqipërinë ku demokracia akoma nuk po e gjen veten, është e domosdoshme që një kryeministër të mos zgjidhet në më shumë se dy mandate, duhet vlerësuar si një zgjidhje optimale.
Ajo që nuk ka cekur autori i shkrimit duke përmendur edhe detajet, është roli i mediave në përceptimin e demokracisë.
Edhe gazetari i suksesshëm e shumë i ndjekur nga publiku, z Fevziu, nuk i shpëton dot ndikimit të pseudo pamvarësisë politike, për ti bërë të gjitha partitë njëlloj fajtore për gjithshka.Mania e tij për të bërë pyetje provokative pa pritur përgjigjen e pyetjes së parë, dashur pa dashur influencon në përceptimin e publikut se "të gjithë politikanët shqiptarë janë njëlloj" e nuk i duhet besuar atyre që thonë.
Fatkeqësisht në një pjesë të madhe të publikut.shqiptar , nga propogandat komuniste është rrënjosur ideja e liderit "të pa gabueshëm" e lidhur kjo me kultin stalinian të individit tek Enver Hoxha.
Ka ndryshuar shumë përceptimi për diktatorin Hoxha pas 35 vitesh të vdekjes së tij, por megjithëate ka ngelur në mendjet e shumë shqiptarëve ideja e liderit të pagabueshëm.
Nuk mund të gjesh në historinë e njerëzimit asnjë lider shtetëror apo politikan të pa gabueshëm.
Vetë historia e njerëzimit është një dëshmi e gjallë e evoluciobit nga regresi tek progresi.e kjo shtrihet jo vetëm tek liderët shtetërorë e politike por edhe tek të gjithë gjenitë e të gjitha fushave., duke përjashtuar këtu sigurisht gjenitë me emergji negative kriminale.
Duke patur gjithë ato fakte demaskuese të qeverisjes 7 vjeçare të Ramës, si është e mundur që Fevziu kërkon të krijojë dyshimin se edhe Basha është njëlloj si Rama ?
Në studion e tij kishte thirrur edhe një pseudo analist kontravers si Baton Haxhiu, që për të shpëtuar idhullin e tij Ramën për të mbijetuar si politikan, hodhi idenë që në Shqipëri të krijohet një koalicion midis PD e PS
Ka pasur e ka në Europën perëndimore koalicione të tilla midis të djathtës e të majtës së moderuar, si një zgjidhje për të shmangur poltikat ekstremiste të së djathtës e të majtës e në kushtet një demokracie të konsoliduar.
Por a mund të pyrfytyrohet një qeverisje e përbashkëz me një lider arrogant e gojë shthurrur si Rama, me një politikan serioz e me formim perëndimor si Basha ?
Bëri vërtetë gabim Basha nën presionin ndërkombëtar, që i besoi një marëveshje me Ramën në zgjedhjet e 2017-s, është komentuar si gabim edhe tërheqja e opozitës nga parlamenti, duke e trajtuar këtë si një mundësi që ju dha Ramës për të kapur më shumë të gjithë pushtetet. Por tashmë është bërë e kjartë edhe për forcat progresive demokratike ndërkombëtare e veçanërisht ato europerëndimore, se opozita shqiptare, përfshirë edhe liderin e saj Basha, ka pasur të drejtë

Shto koment

Denonco