Çfarë po u lë pas të tjerëve Rama tani që po i afrohet largimi

Çfarë po u lë pas të tjerëve Rama tani që po i afrohet largimi

Nga Enton Palushi - 13/02/2020

Rrallë ndodh që të flitet shumë për një libër politik pa e parë akoma dritën e botimit. Por tema që ka zgjedhur filozofi Roman Krznariç ka ngjallur kuriozitet. Ai kërkon në librin e tij që të gjenden rrugët, në mënyrë që politikanët të mendojnë përtej votimeve, pasi me mënyrën se si po qeverisin, po neglizhojnë të drejtat e brezave që vijnë.

“Shumë politikanë mezi shohin përtej zgjedhjeve të radhës dhe ‘kërcejnë muzikën’ që ua imponon sondazhi i fundit apo mesazhi i radhës në rrjetet sociale. Qeveritë zakonisht preferojnë rregullime të shpejta, siç është futja e më shumë kriminelëve pas hekurave sesa trajtimi i shkaqeve më të thella sociale dhe ekonomike të krimit,” shkruan Krznariç.

Për këtë miopi politike është folur edhe më parë, por ajo po bëhet gjithmonë e më e dukshme tani.

E di që ka shumë politikanë shqiptarë që ju shkojnë ndërmend kur lexoni frazat e mësipërme. Sikundër mund të thuhet se politikanët shqiptarë nuk kanë punuar as për brezin aktual, jo më për brezat e ardhshëm. Por ka në veçanti një politikan që nuk po lë asgjë pas për të tjerët. Ai është Edi Rama.

*
Në fillim të vitit, pasi Shqipëria mori kryesimin e OSBE, ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj bëri një nga postimet më të mira në rrjetet sociale. Ai tha se ka një arsye personale për t’u ndjerë i kënaqur.

“Kandidatura jonë për ta marrë këtë rol është vënë në vitin 2006. Ishte hera e parë që një qeveri shqiptare synonte një projekt, të cilin nuk kishte asnjë shans ta zbatonte vetë”, shkruante Mustafaj, duke cituar Çërçillin, i cili thoshte se “dallimi mes një burri shteti dhe qeveritari të zakonshëm qëndron te fakti se burri i shtetit merr vendime që lidhen me brezat e ardhshëm, ndërsa qeveritari i zakonshëm merr vendime që lidhen me zgjedhjet e radhës”.

Besnik Mustafaj, dhe shumë të tjerë, nuk do e kenë imagjinuar se edhe në vitin 2020, Shqipëria do të ishte nën monitorimin e OSBE pasi standardet zgjedhore dhe demokratike do të ishin katandisur në këtë gjendje. Megjithatë sërish Edi Rama mori në dorë kryesimin e OSBE, pa e thënë asnjë fjalë për ‘dhuratën’ që i kanë bërë të tjerët, dhe nisi fushatën si lider global me një qëllim: përdorimin e këtij posti për çështje akute të brendshme në Shqipëri.

Kështu bëri edhe kur takoi Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, duke thënë se ka diskutuar për AntiKÇK-në. Kurse Pompeo në njoftim vetëm sa evidentoi disa gjëra që tregojnë se Rama ishte në atë zyrë falë asaj që i kanë lënë të tjerët.

Së pari, Rama ishte aty për shkak se kryeson OSBE-në pas një iniciative të ndërmarrë nga qeveria e demokratëve.

Së dyti, ishte aty si drejtues i një vendi anëtar të NATO-s, sërish një arritje e të tjerëve, të cilën po e keqmenaxhon me sa të mundet, ndërsa në planin e integrimit nuk e ka çuar Shqipërinë asnjë hap para.

Së treti, ishte aty për shkak se Shqipëria ka marrë përsipër të ndihmojë opozitën iraniane, sërish me një vendim të qeverive të mëparshme.

Së katërti, ishte aty për shkak se Shqipëria vlerësohet nga SHBA si faktor stabiliteti në rajon, një arritje e madhe e qeverive të tjera, por e kërcënuar nga Rama, i cili është armiqësuar me të gjithë politikën kosovare pas flirteve me Serbinë. Paraardhësit e tij nga ana tjetër, arritën të marrin shpalljen e pavarësisë së Kosovës në Tiranë nga një president amerikan.

Por nuk janë vetëm këto arsye se përse Edi Rama po ‘shijon’ arritjet e të tjerëve.

Në planin ekonomik, Shqipëria kishte dalë nga kriza e fortë europiane dhe ‘treni ishte vënë në shina’ kur Rama mori pushtetin. Investimet e huaja ishin të dukshme dhe mjafton fakti që mbarimi i TAP do e fundosë ekonominë, për të kuptuar situatën aktuale. Rrjeti i rrugëve ishte shtrirë në të gjithë vendin dhe ky investim dihet që jep fryte për dekada.

Disa investime në fushën e energjisë po i jepnin drejtim një problemi të vjetër shqiptar, ndërsa sot OSHEE raporton humbje katastrofike.

Në planin e sigurisë, shteti u kishte treguar ‘dhëmbët’ bandave më të rrezikshme në vend, i kishte kyçur pas hekurave me prova, kurse drejtësia u kishte dhënë dënime të ashpra. Këta që po lirohen, dhe që Edi Rama u dërgon letra përmes një biondeje me syze, nuk e mendonin se do shihnin dritën e diellit.

Sigurisht, kjo nuk do të thotë se nuk kishte probleme sociale, ekonomike; probleme me krimin, korrupsionin, nepotizmin etj. Të gjitha ato e çuan vendin drejt një rotacioni dhe pala humbëse pranoi verdiktin dhe kaloi në opozitë.

*
Po sot, a mund të thotë dikush se çfarë po u lë pas të tjerëve Edi Rama? A e gjeni edhe ju një arsye të vetme? Kam frikë se as Rama vetë nuk e gjen asnjë arsye se çfarë trashëgimie po lë për të tjerët. Koncesionet prej miliarda eurosh po testohen prej vitesh dhe nuk kanë prodhuar asgjë, vetëm detyrime që do vazhdojnë mbi kurrizin e shqiptarëve. Borxhi ka kapur qiellin dhe sivjet pritet të shënojë shifra rekord. Sërish janë lekë që do u shkojnë si faturë brezave që vijnë. Krimi është bërë prej kohësh njësh me shtetin dhe pasojat e asaj që u ‘mboll’ në fillim të mandatit të parë të Ramës, do i ‘korrim’ për vite, në mos dekada.

Ah, po! Në një qokë të sponsorizuar në Uashington, u vazhdua të lavdërohet historia e Edi Ramës si kryebashkiak i Tiranës. Por ajo që duhej të ishte e vetmja arritje e Edi Ramës, po kthehet brenda qeverisjes së tij në ‘varrin më të madh’. Tirana e Edi Ramës- dhe ajo e Erion Veliajt në gjurmët e tij, rezulton të jetë një qytet i përbindshëm, i betonizuar, i pabanueshëm, kaotik, i ndotur dhe vdekjeprurës. Nëse gjeni një njeri që u thotë të kundërtën, ai nuk jeton këtu përditë.

*
I ndjeri Roger Scruton, filozofi konservator britanik, thoshte për Edi Ramën se edhe ai njësoj si të majtët e tjerë, nuk sheh përtej zgjedhjeve. Ai bën gjithçka për të fituar dhe asgjë për të qeverisur. Kjo është arsyeja se përse njerëzit i urrejnë kur largohen, sepse e dinë që nuk u kanë lënë asgjë. Ramën e urrejnë edhe tani, do e urrejnë edhe pasi të ikë, ndërkohë që kjo ditë vetëm po afrohet.

*
Në vitin 1739, skocezi David Hume, i vlerësuar nga disa si filozofi më i madh i të gjitha kohërave, do shkruante: “Origjina e qeverisjes civile vjen nga fakti se njerëzit nuk janë në gjendje të kurojnë rrënjësisht, as te vetja dhe as të tjerët, ngushtësinë e shpirtit, e cila i bën që të preferojnë të tashmen përpara të ardhmes”. Ai ishte i bindur se institucionet e qeverisjes do shërbejnë për të zbutur këto dëshira impulsive dhe egoiste të njerëzve, në favor të mirëqenies afatgjatë të shoqërisë. Vetëm për Edi Ramën nuk janë këto fjalë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Turi14/02/2020 08:08

Mos e vini me ate Dramen ne te njejten foto me Entonin.
Nuk shkon nje foto e nje Lumjani me nje monster

Shto koment

Denonco