8000 si statistikë, 8 vrasje si gjëmë!

8000 si statistikë, 8 vrasje si gjëmë!

Nga Arian Galdini - 11/08/2018

Rituali i gushtit mbërriti edhe sivjet. Pothuajse çdo muaj gusht të së paku disa prej viteve të fundit, na është bërë si i paevitueshëm ky përjetimi i krimeve makabër që ngërthejnë të gjithë shoqërinë.

Diku, dikush, bën një gjëmë dhe ne të gjithë ngarendim nëpër tastierat e kompjuterave apo telefonave celularë si brenda një kafazi të madh virtual për tu hakërryer nga brenda "hekurave" që na mbajnë brenda.

Sepse sikur të mos ishin ato "hekurat" që na burgosin përballë ekraneve të ndezura, të gjithë do kishim shkuar vrik drejt Fajtorit Mizor që ta fërgonim të gjallë në nxehtësinë e zemëratës sonë kolektive.

Pastaj vjen edhe ajo pjesa tjetër e zemëratës që çdo ditë e për çdo gjë përpiqet të bëjë edhe detyrën politike.

E mira e gafurrjes nga kafazi virtual, nga Facebooku, është se mund ti bësh të gjitha punët me shumë pak kosto e madje duke marrë rreze dielli e duke parë trupa lakuriq përreth, ose duke rrëkëllyer edhe ndonjë birrë të freskët a duke shijuar ca karpacio të freskëta të përgatitura për merak.

Me celular në dorë, ngulitesh tek ekrani i ndezur, përqendrohesh aty për tu shkëputur nga qejfi përreth dhe zhytesh me gjithë fuqinë tënde në terrin e zemëratës së munguar gjatë gjithë kohës kur nuk je me pushime.

E ia nis të rrahësh tastierën a thua se çdo gërmë është një brengë e vitit mbi të cilën ti ngulçon.

Kështu të gjithë ne lëshojmë statuset tona si Bisha të Tërbuara, si ai boksieri Pat Glendon i Xhek Londonit, e që të gjithë së bashku dërrmojmë brenda kafazit virtual, brenda facebookut, me grushtat tanë të zemëratës çdo Fajtor Mizor që na ka behur në gushtin e rradhës, mu në mes të pushimeve.

Nga facebooku, mund edhe të shkruajmë statuse për veten e ndërgjegjen tonë, por edhe statuse politike që partia apo thjesht shokët tanë të partisë me të cilët ndërtojmë edhe hierarkinë tonë sociale, ta vlerësojnë  përkushtimin tonë edhe në ditë pushimesh.

Jo për gjë, por ia vlen që ta bësh edhe qytetarin e zemëruar kundër një makabriteti sepse dukesh human, ama duhet patjetër që zemëratës ti japësh edhe orientim politik, sepse kështu je edhe limfë partie.

Pastaj historia harrohet, pushimet mbarojnë, e ne gjatë vitit e kemi zemëratën me pikatore.

Ndoshta ndaj edhe kemi kaq shume nevoje për këto shfryrjet ciklike kolektive.

Tani të vijmë tek ky rasti i Selenicës.

As që më shkon ndërmend që të provoj të gjej ndonjë mënyrë më elokuente sesa e gjithë kjo zemëratë dhe dhimbje e të gjithëve që është parë e lexuar në këto orë qyshse ka dalë lajmi.

8 jetë njerëzore janë shuar dhe kjo mjafton për të ulur në gjysmështizë të gjithë flamujt tanë shpirtërorë e mendorë.

Të tilla krime, të lënë pafrymë e të pushtojnë në çdo qelizë të qenies.

Ankthi dhe makthi i madh që të shkaktohet e bëjnë legjitime çdo ndjesi revolte.

Ama, pafuqia jonë për të mbrojtur viktimat apo potencialisht edhe veten tonë nga rreziku që ndihet kaq këlthitës e pranë nesh në të tilla raste, nuk na justifikon dot për apatinë tonë në gjithë ditët e tjera të vitit.

Ku jemi ne kur çdo ditë lexojmë lajme për ushqime skandalozisht dhe marrëzisht të pasigurta?

Po bisedoja me një mikun tim në Ulqin pak ditë më parë dhe mbeta i shtangur kur ai më tha se kanë filluar të shtohen rastet me kancer edhe andej kufirit qysh se kanë filluar të tregtohen në Mal të Zi produkte ushqimore nga Shqipëria.

Besomë, më tha, në Mal të Zi ka shumë korrupsion e mafia, madje ndoshta më shumë sesa në Shqipëri, por askush, kurrë, nuk guxon të cenojë sigurinë ushqimore.

Si për të ma turbulluat edhe më tepër ndërgjegjen, sapo u ktheva në Tiranë, dëgjoj në TV lajmin se në Shqipëri, rastet me kancer e tumore kanë shkuar deri në 7000 në vit, e me këtë progresion rritjeje shumë shpejt do jenë 8000 në vit e deri në shifra katastrofike.

Shkaktarët kryesorë nuk janë më as duhani, as ambientet e punës, por siguria ushqimore dhe ndotja e ambientit.

Besoj, se këtu kam edhe një ngacmim të fortë personal pasi për shkak të betejës që unë zhvillova në vitin 2015 kundër mizorisë së sistemit tonë shëndetësor dhe mafias farmaceutike, pata rastin të njoh e mësoj shumë sende e fakte që më parë nuk i dija.

Rasti i familjarit tim që u shua jo vetëm nga kanceri por edhe nga makutëria e politikanëve të korruptuar dhe e mafias farmaceutike, me hapi Portat e disa të vërtetave ulëritëse, për të cilat nuk kam ndërmend të hesht për sa të kem frymë.

3 janë të vërtetat që sipas meje janë emergjencë mbi emergjencat për shoqërinë dhe kombin tonë.

1. Ne ushqehemi me krim.

2. Ne strehohemi në krim.

3. Ne kurohemi me krim.

Cili është krimi?

Krimi është babëzia, makutëria, ligësia, ç’njerëzia e atyre që pasurohen duke sjellë, tregtuar  apo prodhuar ushqime të skaduara, të manipuluara, të shiringuara me hormone, të dendura me kimikate.

Është krim mbi krimet sepse potencialisht çdo tregtar apo prodhues produktesh ushqimore të tilla është një vrasës. Dhe përderisa shesin apo prodhojnë të tilla produkte ushqimore për tu pasuruar apo për të mbijetuar, kjo i bën vrasës me ndërgjegje.

Edhe politikanët dhe institucionet që marrin ryshfete a përfitime korruptive e pasurohen kriminalisht nga kjo lloj tregtie apo prodhimesh ushqimore, janë vrasës me ndërgjegje.

Si mund të lejojmë të vazhdohet kështu?

Si mund ti quajmë tregtarë a sipërmarrës të ndershëm këta batakçinj e vrasës me ndërgjegje që sjellin e tregtojnë për fëmijët tanë dhe për ne ushqime të skaduara, të cilësisë më të ulët, të manipuluara, e kështu me radhë?

Po këta fermerët tanë që kanë bërë fitimin arsye madhore e nuk po lënë mish po hormonizuar dhe prodhim bujqësuar pa shiringëzuar e pa kimikatizuar, çfarë ti quajmë përveçse vrasës me ndërgjegje?

Po këta tregtarët e miellit dhe furrtarët që me grurë e miell kuajsh nga Serbia, na bëjnë bukën e përditshme duke na vrarë nga pak çdo ditë, çfarë ti quajmë?

Po ndërtuesit që me hekur radioaktiv nga Ukraina na kanë ndërtuar gjysmën e Shqipërisë, çfarë ti quajmë?

Po këta barbarët e farmaceutikës që na shesin kinse ilaçe gjenetike por që e kanë mbushur tregun me ilaçe të skaduara apo tê falsifikuara që veç shërim nuk na japin, çfarë ti quajmë?

7000 raste me kancer në vit, janë statistika naziste eksterminimi kombëtar.

 

Ju quajeni si të doni, por po nuk reaguam sot, po nuk e përdorëm Pat Glendonin tonë publik sot, për ta ndalur këtë krim kundër njerëzimit, vitin tjetër, kur të bëhen 8000 të tjerë të prekur nga kanceri, mos u ankoni më.

Thjesht prisni gushtin që vjen për ta shfryrë bishën tonë publike ndaj ndonjë Fajtori Mizor qê do të bëjë makabritetin e radhës.

Kombi duhet të ngrihet në këmbë për Sigurinë Ushqimore.

Nuk ka emergjencë më të lartë.

Sepse ata 7000 që na u prekën gjatë këtij viti nga kanceri janë maja e ajsbergut...

Ne nuk dimë e nuk masim dot krimin që po ndodh ngadalë në trupat tanë e në brezat që po vijnë, prej ushqimeve qê po hamë çdo ditë....

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

ai15/08/2018 09:30

Për të qenë realistë, duhet pranuar se Shqipëria nuk kaloi në sistemin demokratik pluralist me një disidencë të organizuar politike e ndonëse të gjithë shqiptarët i dijnë arsyet e mungesës së kësaj disidence, i harojnë ti përmendin.
Diktatura kriminale enveristë kishte shkatëruar çdo qelizë jo më vetëm të disidencës antikomuniste, por ju kishte futur tmerin edhe bashkëpuntorëve me të ngushte të saj në krime duke i vrarë e persekutuar edhe ata familjarisht.
Partitë opozitare "te djathta" që lindën në Shqipëri pas shembjes së Murit të Berlinit, përbënin një opozitë të pakonsoliduar ndaj PP-PS, edhe për faktin se që në fillim falangat e ish sigurimit famëkeq enverist, u përkujdesën që në këto parti të fusnin elementë të tyre si kolonë e peste.
Ndonjë aventurier politik si Edi Rama, nuk arriti dot të depërtojë në partinë demokratike por ama persona të ngjashëm me te, i sollën dëme të mëdha opozitës së djathtë.
Ndërkaq ish PP ndroi emrin e drejtues kryesorë të saj duke u quajtur Partia socialiste, por struktura e saj partiake e elektorale nuk ndryshoi.
Mjafton të përmendim faktin se pothuaj të gjitha godinat e ish komiteteve të Partisë së Punës, ngelën si "prona" të së ashtuquajturës Partia Socialiste.
Nuk e pat thënë kot i ndjeri Pjetër Arbnori se këta nuk janë socialistë po specialistë.
Ishin vërtetë "specialistë" të mashtrimeve propogandistike për gati 5 dekada, vetëm me një gazetë (Zeri i popullit), apo një televizin (RTSH), po ç'mund të bëhej me dhjetra gazeta e televizione pronarë të të cilave na u bënë "kapitalistë" biznesmenë të ndërtimit të pasuruar me prona publike e private të grabitura e që ishin të lidhur me kryebashkiakun Rama ?
Ka dhjetëra e dhjetëra fakte që e demaskojnë Edi Ramën për politikën e tij të mbrapshtë.
Por e etiketon ai Bashën me mediat e tij se "fle gjumë", e shqiptarët naivë, në vend të meren me marrëzitë e përditëshme qeverisëse të Ramës, ankohen se opozita e Bashës është "gjumashe".
Do të zgjatesha shumë nese do të argumentoja me fakte se Basha ka bërë një opozitë të vendosur e energjike në këto 5 vite të qeverisjes së rilindjes socialiste të Ramës..
Opozita nuk në një sistem demokratik pluralist, nuk bëhet me mendësinë "revolucionare" të dhunëshme alla komuniste, por edhe me sjelljen e kulturuar e portretin moral të liderit.
Mjafton që shqiptarët të krahasojnë portretin moral e intelektual të Ramës me Bashën, për të kuptuar se sa larg është Rama në performancë nga Basha..
Por duke lënë mënjanë edhe portretin njerëzor moral e etik,.mjjafton që shqiptarët të analizojnë në mendjen e tyre se cila është kauza "socialiste" e Ramës, e cila është kauza demokratike e Bashës..
Kaq shumë qenkan "të kënaqur" me sistemin socialist shqiptarët, sa nuk ju ndaheshka shpirti prej socializmit ?
Dihet se votues të Ramës, veç të mashtruarve me para droge e premtime punësimi, janë kryesisht pjesa më e indoktrinuar e shiptarëve nga ideollogjia komuniste apo më saktë e thënë, enveristët trushpëlarë.
Por a thua vërtetë se Rama na qenka një "i majtë" i thekur komunist ?
Jo Rama i pashkolluar, por as edhe diktatori i pashkolluar Hoxha, nuk e kishin fare idenë e fillozofisë marksiste. Nga ajo fillozofi që të dy vlerësonin vetëm idenë staliniste të "diktaturës së proletariatit", si mjet për të pasur për vete një pushtet të pakufizuar.

Ajo11/08/2018 21:24

Z. Galdini kam nje pyetje per ju: ju kam ndjekur sa here kam mundur dhe gjej tek ju te gjitha pergjigjet e pyetjeve qe me mundojne. Pyetja ime eshte perse nuk formoni nje levizje te re politike qe mendoj se eshte e domosdoshme tani duke pare se PD- ja nuk po mundet kursesi te rrezoje kete qeveri skandalesh qe duhej te ishte shporrur me kohe?
Populli ka nevoje per njerez te ditur, te ndershem dhe te forte per te mundur te keqen qe po ia merr frymen perdite e me shume.

skrapari11/08/2018 17:04

Popull b... q... perfshire dhe mua

tironci11/08/2018 16:50

Populli o gati o Z Galdini po ne Shqipni pozite e opozite pjerdhin me i poc. Tendera pa gare te dy palet, privilegje oligarkve te dy palet, monopolizime te dy palet, tjetersim pronash te dy palet, shperdorim te taksave te dy palet, hajdute zgjedhjesh te dy palet, koncesione te dy palet, parti militantesh te dy palet. Asnji force nuk del kunder ktij establishmenti mizor.Le partite e vogla qe jane te gjitha me bllok ne dore nga e para tek e funit. E per ca do ngrehen njerzit ja u ngrejten e hudhen ne plena Ramen po kujt do ja japin pushtetin Bashes qe ska asi shenje kunder ktij establishmenti mizor? Ndaj robt sdun tja din per politiken e kush te mundi iken nga syt komet. Dhe Rama e din ket ndaj shet pordhe e tallet me miletin, vdesin 8 veta gjome kombetare ai thote merrni briskun e ma rruni per nje fundjave te qete. Ndaj z galdini ne e doni ket vend mblidh ca burra e dilni kunder ktij establishmentit se populli ju vje vete mrapa.

Ajo11/08/2018 14:40

Jam plotesisht dakord me ju Z.Galdini.
Shqiptaret nuk duhet te kacafyten me njeri - tjetrin per nderin dhe lavdine e kryetareve te partive,por duhet te shqetesohen dhe luftojne per te patur nje jete me cilesore. Askujt nuk i ben pershtypje, le me te protestoje, kur degjon se tregu eshte mbushur me ushqime te skaduara, plot hormone dhe tregetuar ne kushte skandaloze higjeno- sanitare, por ama te hidhen ne fyt po guxove te shash udheheqesin global!
Sot ne kete dite te trishte pas nje krimi makaber dhe te pakuptimte. Edi Rama, me nje pandjeshmeri njerezore qe eshte atribut vetem i sociopatheve, uron shqiptaret per nje fundjave te qete!
Ne mos qofte rrjedhim i psikikes se tij te deformuar, ky eshte treguesi me i qarte i talljes dhe braktisjes se shtetasve te tij, kur kujdesi ndaj mireqenies se tyre eshte detyrimi kryesor i tij si kreu i shtetit.
Por ky popull vazhdon e fle gjume, ndersa opozita vazhdon “ luften” me statuse ne facebook.
Mbase vec kjo i ka ngelur te beje opozites kur ka nje popull qe “ proteston” vetem nga facebook-u.

Shto koment

Denonco