Penjingu është një formë e lashtë arti kinez që konsiston në krijimin e peizazheve në miniaturë. Ky art njihet edhe me emrin penzai. Skenat përmbajnë bimë të gjalla që artistët dhe kujdestarët i krasitin dhe i kultivojnë me kujdes për të shprehur emocione.
Veprat e penjingut mund të jenë skena fantastike apo surrealiste. Artistët shpesh shtojnë figurina të vogla, si kuaj apo njerëz, duke krijuar një rrëfim ëndërrimtar përmes elementeve natyrore.
Mbi të gjitha, qëllimi i këtij arti është të mishërojë parimet që udhëheqin natyrën. Sot do të shohim bazat e kësaj forme të lashtë arti dhe elementet që e përcaktojnë atë në kohët moderne.
Historia e Penjingut
Me origjinë që daton që në shekullin I pas Krishtit (ndoshta edhe më herët), praktikuesit e mistikës daoiste përpiqeshin të krijonin peizazhe në miniaturë. Kjo shihej si një mënyrë për t'u përqendruar dhe për të përjetuar cilësitë që ndiejmë kur shohim peizazhe natyrore në përmasa reale.
Në versionet më të hershme të këtij arti thuhej madje se ekzistonte fuqia legjendare për të zvogëluar peizazhe të tëra në madhësinë e një vazoje të gjerë. Murgjit budistë nga Kina e çuan këtë art në Japoni, ku u praktikua nga aristokratët dhe madje edhe nga samurajët. Sot, nxënësit shpesh studiojnë dhjetë ose më shumë vite për të fituar aftësitë e nevojshme.
Në gjuhën kineze, "pen" do të thotë vazo, ndërsa "jing"përkthehet si peizazh ose skenë natyrore. Kur realizohen mirë, këto vepra janë homazhe të gjalla ndaj natyrës dhe shprehin respektin e thellë për botën natyrore që është i rrënjosur në kulturën tradicionale kineze.
Penjing është një stil artistik që imiton estetikën e egër dhe natyrore. Bimët paraqiten brenda një peizazhi të kontrolluar artistikisht.
Nga ana tjetër, bonsai është një stil më i rafinuar dhe më i kontrolluar i paraqitjes së natyrës, i frymëzuar fillimisht nga praktika kineze e penjingut. Peizazhet në miniaturë sot janë të njohura në mbarë botën, duke magjepsur fëmijë, botanistë dhe koleksionistë arti.
Stilet e Penjingut
Kina është një vend shumë i madh dhe kjo sjell dallime rajonale e kulturore. Arti i penjingut i pasqyron këto ndryshime, me stile të ndryshme sipas zonave gjeografike.
Disa prej tyre janë stili Lingnan, stili i Tajvanit, stili i Shangait dhe stili Yangzhou. Ekspertët zakonisht i ndajnë në tri kategori kryesore.
Shumu – 樹木盆景
Stili Shumu përfaqëson peizazhe me pemë të mbjella në një enë. Artistët e formësojnë pamjen përmes krasitjes, prerjes dhe përdorimit të telave për të krijuar një vizion të kultivuar artistik. Ky stil është shumë i ngjashëm me traditën japoneze të bonsait.
Shanshui – 山水盆景
Stili Shanshui është një peizazh që përfshin zakonisht një gur të vendosur në një tabaka me ujë. Artistët zgjedhin dhe pozicionojnë gurët me shumë kujdes dhe shpesh shtojnë edhe bimë të vogla të gjalla në kompozim.

Shuihan – 水旱盆景
Peizazhet Shuihan janë krijime në miniaturë që mund të përfshijnë pemë, gurë, ujë dhe figurina të vogla shtëpish, kafshësh ose njerëzish. Ky stil kombinon dy stilet e mëparshme dhe shpesh përcjell një rrëfim artistik më abstrakt.
Një formë arti në zhvillim
Bukuria e penjingut qëndron edhe në faktin se është një formë e gjallë arti dhe vazhdimisht në zhvillim, pasi artistë të ndryshëm eksperimentojnë me teknika dhe ide të reja.
Sipas artistit të penjingut Zhao Qingquan, stili dhe përmbajtja e këtij arti po bëhen gjithnjë e më të larmishme. Pavarësisht ndryshimeve teknike, qëllimi mbetet i njëjtë: "të shohësh të madhin përmes së voglës" dhe të përcjellësh emocione universale.
Si të praktikoni Penjing në shtëpi
Studimi për dhjetë vite në një kopsht botanik në Shangai mund të mos jetë realist për shumicën prej nesh. Fatmirësisht, kjo nuk do të thotë se estetika e qetë dhe e bukur e këtij arti nuk mund të shijohet edhe në shtëpi apo në kopshtin tuaj.

Hapi i parë është të gjeni një vazo të cekët me sistem kullimi. Pothuajse të gjitha peizazhet në miniaturë kërkojnë dritë të fortë dhe temperatura të qëndrueshme e të moderuara.
Pastaj vjen kërkimi, shumë kërkim, që shpesh është pjesa më interesante e procesit. Mund të imagjinoni skenën që dëshironi të krijoni dhe të bashkëpunoni me bimët që rritni për ta bërë reale.

Industria e bonsait është shumë e zhvilluar në Perëndim, me libra të njohur dhe ide të panumërta në internet. Dyqanet lokale të kopshtarisë shpesh shesin bimë të përshtatshme për miniatura, gurë dhe myshk për përdorim.
Më e rëndësishmja, një kombinim këmbëngulës kurioziteti dhe durimi në eksperimentim do të jenë udhërrëfyesit tuaj më të mirë për të sjellë në jetën tuaj këto peizazhe miniaturë me një bukuri të veçantë. / Earth – Syri.net
© SYRI.net