Filmi ‘Me fat’ nën regjinë e Julian Canametit sjell në ekran histori të përditshmërisë shqiptare, sfidat e të rinjve dhe dilemat e jetës familjare, të interpretuara nga një kast i njohur aktorësh ku bën pjesë edhe Monika Kryemadhi. Produksioni do të ketë premierën më 12 mars në Cineplex, për të vijuar më pas rrugëtimin në kinematë e vendit, në Kosovë dhe më gjerë.
Nga Egla Xhemalaj-SYRI TV
Pas një jete të dedikuar politikës, Monika Kryemadhi vjen me një surprizë për publikun që e ka ndjekur ndër vite. Tashmë ajo do të shfaqet si pjesë e kastit të filmit më të ri që do të vijë në kinematë shqiptare.
‘Me fat’ është një produksion kinematografik që zhytet në realitetin e familjeve shqiptare, në sfidat që përballin të rinjtë ëndërrimtarë, në dilemat dhe pikëpyetjet e përditshmërisë, si dhe në dëshirën për të realizuar ëndrrat. Filmi sjell me një optikë të hollë përjetimet dhe ritmin e jetës shqiptare, të interpretuara nga një kast aktorësh nën konceptin regjisorial të Julian Canametit.
Në konferencën për mediat, Monika Kryemadhi u shpreh se ftesa për t’u bërë pjesë e këtij projekti erdhi në një moment të vështirë për të, ndërsa ndau edhe disa detaje për rolin që interpreton.
E ndërtuar mbi përvoja dhe histori të marra nga realiteti, vepra lidh fatet dhe ngjarjet me përditshmërinë dhe vrullin e jetës së njerëzve. Filmi ‘Me fat’ synon jo vetëm të ofrojë një përvojë estetike për publikun, por edhe të ngacmojë reflektimin përmes personazheve dhe historive që rrëfen.
Në këtë produksion interpretojnë aktorët Maksim Aladini, Dea Vieri, Alban Xhihani, Rea Begaj, Visjan Ukcenaj dhe Gent Hazizi, të cilët përmes roleve të tyre sjellin në ekran dilemat dhe realitetin e kohës sonë.
Filmi ‘Me fat’ do të ketë premierën më 12 mars në Cineplex, për të vijuar më pas rrugëtimin në kinematë e vendit, në Kosovë dhe më gjerë.
© SYRI.net