Nga Egla Xhemalaj
Në emisionin ‘Odeon’, Flogerta Krypi ndalet te procesi krijues dhe universi ideor i romanit ‘Në aeroport nuk shiten bibla’, një vepër e shkruar brenda gjashtë javësh, por që mbart një ngarkesë të dendur reflektimi filozofik dhe moral. Ajo thekson se lexuesit shpesh e dallojnë për strukturën romanore, për mënyrën se si ngjarja ndërtohet njëkohësisht komplekse, e lexueshme, e thellë.
Romani nis nga një ngjarje e vërtetë dhe zhvillohet në hapësirën e aeroportit, që për autoren është metaforë e tranzicionit njerëzor. Udhëtimet, sipas saj, rrallëherë të çojnë aty ku mendon se je nisur, ato shndërrohen në përvoja që ndryshojnë brendinë e njeriut.
Në këtë lëvizje të vazhdueshme, njerëzit shpesh ngatërrojnë gabimet me mëkatet, ndërsa gjykimi vjen më shumë nga jashtë sesa nga vetëdija personale. Në roman shfaqet një zë i paemërtuar, që autorja e identifikon si Zotin, jo në kuptimin dogmatik, por si vlerën më të lartë morale që njeh.
Ky zë shërben si bosht etik i veprës, duke vënë përballë njeriun me përgjegjësinë e tij ndaj vetes dhe tjetrit. Krypi pranon se librat e saj nuk i rilexon, duke e konsideruar procesin e shkrimit si një lindje krijesash që, pasi vijnë në jetë, ndjekin rrugën e tyre.
Në bisedë ajo ndalet edhe te raporti mes letërsisë dhe teknologjisë, duke vënë në dukje se inteligjenca artificiale po transformon mënyrën se si perceptohet realiteti, por pa e zëvendësuar nevojën për ndjeshmëri njerëzore.
Letërsia, për të, mbetet një formë komunikimi me ata që dikur i kanë mbyllur veshët, një përpjekje për të thënë atë që nuk u dëgjua në kohë.
Krypi flet edhe për krijimtarinë për fëmijë, duke përmendur librin ‘Iliri dhe lepurushi’, i vlerësuar nga studiuesit, dhe thekson se bota e fëmijëve ka nevojë për edukim dhe imagjinatë. Ajo shpreh shqetësimin se librat shkollorë janë kthyer shpesh në mjete propagande politike, ndërsa prindërit, të frikësuar, hezitojnë ndaj librave për fëmijë.
Për autoren, libri mbetet institucion thelbësor, një strukturë e qëndrueshme që mban gjallë dijen dhe kujtesën njerëzore, përtej kohës dhe numrave që, sipas saj, janë e vetmja gjë që e ruan njeriun në histori.
© SYRI.net