SYRI TV/ Çmimet Kombëtare të Letërsisë për 2024-ën, Enit Karafili vlerësim për 'Epope intime'

14:30, 09/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

U shpallën Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2024, ku u vlerësuan Enit Karafili për romanin “Epope intime”, Romeo Çollaku për përkthimin e “Retorikës” së Aristotelit dhe Anila Mullahi (Elezi) për studimin “Krijimi letrar në proces”. Në ceremoni u ndanë edhe dy Çmime Mirënjohjeje për poetët Hamit Aliaj, pas vdekjes, dhe Lulzim Tafa, si vlerësim për kontributin e tyre të spikatur në poezinë shqipe.

SYRI TV

Fjala e shkruar, përkthimi dhe studimi letrar u vlerësuan në ceremoninë e shpalljes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2024, një aktivitet që vuri në qendër arritjet më përfaqësuese të krijimtarisë letrare dhe mendimit kritik shqiptar. Juria, e kryesuar nga shkrimtari dhe studiuesi Besnik Mustafaj, me anëtarë Dhurata Shehri, Elsa Skënderi Rakipllari, Maklena Nika dhe Fatmira Nikolli, shpalli fituesit në kategoritë kryesore duke vlerësuar vepra që shënojnë arritje të rëndësishme artistike, përkthimore dhe studimore.

Çmimi i Madh i Letërsisë iu dha shkrimtares Enit Karafili për romanin “Epope intime”, vepër që u vlerësua për forcën e rrallë artistike dhe ndërtimin e një vizioni të pasur letrar mbi përkatësinë identitare dhe thyerjen e tabuve të ngulitura në kodet e trashëguara kulturore, në kontekstin e zhvendosjeve të trazuara migratore të shqiptarëve jashtë atdheut.

Çmimi i Madh i Përkthimit iu akordua Romeo Çollakut për përkthimin e veprës “Retorika” të Aristotelit (Botimet Albas), i vlerësuar për përpikërinë dhe saktësinë e lartë terminologjike, ruajtjen e strukturës së arsyetimit, ritmit argumentues dhe forcës bindëse të ligjërimit, si një kontribut i vyer në pasurimin e diskursit filozofik në gjuhën shqipe.

Çmimi i Madh i Studimeve iu dha Anila Mullahi (Elezi) për librin “Krijimi letrar në proces” (Botimet Pegi), studimi i parë gjenetik mbi romanet e Dritëro Agollit, i ndërtuar mbi hulumtime të thelluara në dorëshkrime, letërkëmbime dhe ditarë, duke vendosur një gur themeli të rëndësishëm në zhvillimin e metodologjisë së kritikës gjenetike në studimet letrare shqiptare.

Në ceremoni u ndanë edhe dy Çmime Mirënjohjeje, njëri për poetin Hamit Aliaj, pas vdekjes, për përmbledhjen “Drurët flenë jashtë në natën e botës”, si kulm i krijimtarisë së tij poetike, dhe tjetri për poetin nga Kosova Lulzim Tafa, për “Antologji personale”, vlerësuar si shprehje e pjekurisë së plotë artistike dhe kërkimit të tij të thellë mbi qenien njerëzore.

Ceremonia e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë 2024 dëshmoi edhe një herë se letërsia vijon të jetë një hapësirë reflektimi, kujtese dhe krijimi, ku fjala e shkruar mbetet themel i identitetit kulturor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco