Lajmi i fundit

'Atdheu thërret, diaspora përgjigjet'/ Mijëra emigrantë mbërrijnë në Tiranë, kërkohet largimi i Ramës

'Virusi Woke – Shqipëria: eksperimenti makabër i soroizmit në Europë'

'Virusi Woke – Shqipëria: eksperimenti makabër i soroizmit në Europë'

10:24, 08/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ndriçim Kulla/

Më herët jam shprehur para jush për botimin e librit tim të ri, të cilin sot kam kënaqësinë ta prezantoj të botuar:
“Virusi Woke – Shqipëria: eksperimenti makabër i soroizmit në Europë”.

Në fakt, titulli është interesant, por mendoj se po aq e tillë është edhe përmbajtja e librit.

Duke interpretuar titullin e librit, mund të themi se wokizmi sot është një ideologji e radikalizimit të majtë, e cila i ka shtrirë tentakulat e saj në të gjithë botën dhe ka krijuar terren të përshtatshëm për t’u bërë gjithnjë e më agresive, sidomos në Amerikë dhe në Europë.

Ajo ka lindur dhe po zhvillohet nëpërmjet kulturës woke, e cila ushqehet financiarisht dhe kulturorisht nga disa qendra të majta radikale, ku kryeqendrën e saj e ka Fondacioni Soros “Shoqëri e Hapur”, me të gjitha rrjetet e pafundme subvencionuese në mbarë botën. Kjo ideologji është një projekt tejet i rrezikshëm, që ka fituar terren të madh brenda shoqërive perëndimore, duke rikthyer teorinë komuniste të mao-cedunizmit.

Si një amalgamë pikëpamjesh, ajo synon të krijojë shoqëri globaliste, me një rend anarkik, pa liri të garantuara, me një rend juridik të dobët, me shoqëri të centralizuara dhe me synime për të zëvendësuar konkurrencën me rrjete klienteliste, etj.

Agjenda woke është një katastrofë në të gjithë amalgamën e ideve të saj, por unë do ta diferencoja veçanërisht për shkatërrimin që i bën kulturës dhe mentalitetit që ajo krijon në kulturën politike.

Kultura shqiptare e ka braktisur traditën dhe identitetin kombëtar, sepse ka direktiva të brendshme që gjithçka të orientohet drejt globalizmit. Janë braktisur — ose, më saktë, janë çrrënjosur — të gjitha ato programe qeveritare që mbronin traditën, identitetin kombëtar dhe vitalitetin tonë historik, duke bërë të paditurën, ndërsa valët e globalizmit, të stimuluara nga rrjetet sociale, po mbulojnë ngadalë pamjen e trashëgimisë sonë.

Vlerat janë konvertuar në para dhe biznes, ndonëse, sa për sy e faqe, kryeministri shqiptar, kudo që shkon, në mënyrë të paturpshme mban me vete fotografitë e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut.

Para një viti, kur botova librin tim “Narkodiktatura shqiptare në oborrin e Europës”, i cili u përcoll me shumë interes nga lexuesit, bëra një premtim që më vlonte përbrenda: se kisha filluar të shkruaja një libër të ri, i cili kishte lidhje ose ishte vazhdim i idesë së këtij libri.

Mbi sorosianët, bandillin e tyre diktatorial dhe radikalët e majtë që kërcënojnë të ardhmen e Shqipërisë.

“Por pse pikërisht për Xhorxh Sorosin?” – mund të pyesë dikush.

Sepse Sorosi, me bandillin e tij politik të katapultuar në politikën shqiptare, e ka kthyer Shqipërinë në një narkodiktaturë, ka prishur kulturën tonë politike dhe ka shkatërruar demokracinë, duke e futur rotacionin politik në një anomali me pasoja të vështira për t’u normalizuar.

Shqipëria, për vetë regjimin nëpër të cilin po kalon tashmë prej më shumë se një dekade, dhe për ndikimin e thellë e kapilar që ka pasur rrjeti sorosian në ish-administratën amerikane dhe në BE, është shembulli më i mirë për të treguar dëmin e pariparueshëm dhe shkatërrimin politik, ekonomik dhe shoqëror që mund të sjellë një ideologji e tillë e vënë në zbatim.

I gjithë ky proces krijues do të ishte i mangët pa u përmbyllur me një libër të tretë, me portretin politiko-psikologjik të narkodiktatorit shqiptar, Edi Rama, i cili ka filluar të më udhëtojë që tani nëpër mendje.

Në përgjithësi, të gjithë i dimë të këqijat që ideologjia e ekstremit të majtë woke dhe ndikimi sorosian i kanë sjellë vendit tonë gjatë këtij dhjetëvjeçari, duke dëmtuar Shqipërinë dhe vetë demokracinë e saj.

Mendoj se ky libër vjen në kohën e duhur. Shpresoj që ju të jeni ndër lexuesit e tij, pasi është një vepër tejet aktuale për Shqipërinë e ditëve të sotme. Në të kam paraqitur qartë se çfarë është wokizmi si ideologji e ekstremit të majtë, çfarë përfaqëson Sorosi në këtë kulturë dhe cili ka qenë roli i tyre në destruktivitetin e Shqipërisë së tranzicionit.

Besoj se libri do të ketë ndikimin e vet — ndoshta më të madh, ndoshta më të vogël se “Narkodiktatura shqiptare në oborrin e Europës”, por ndikim padyshim do të ketë.

Ideja ime në perspektivë është të skalit portretin e regjimtarit (diktatorit), duke e plotësuar kështu atë që e quaj:
“Trilogjia e diktaturës shqiptare”

Narkodiktatura shqiptare në oborrin e Europës

Virusi Woke – Shqipëria: eksperimenti makabër i soroizmit në Europë

Portreti i djallit (titull provizor)

Si trilogji, kjo vepër mund të përbëjë një risi unike dhe, sipas meje, ka vend të qëndrojë si një dëshmi e rrallë për brezat e ardhshëm. Veçanërisht portreti i diktatorit, të cilin sapo kam filluar ta strukturoj në mendje, do të jetë më i organizuar dhe i trajtuar si një portret politik, psikologjik dhe artistik.

Libri është botuar në format të zakonshëm, me paraqitje grafike mjaft estetike dhe ka gjithsej 320 faqe në strukturën e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco