Degradimi i teatrove, muzeut, Bibliotekës e Galerisë Kombëtare reflekton një krizë të politikave kulturore dhe mungesë përgjegjësie institucionale. Përgjatë këtyre viteve shqiptarët po humbasin hapësirat e artit dhe edukimit, duke u përballur me zbrazëti kulturore dhe spektakël të përkohshëm.
SYRI TV
Gjendja e institucioneve kryesore të kulturës në vend pasqyron një krizë të thellë menaxhimi. Biblioteka Kombëtare, një nga shtyllat e dijes dhe kujtesës kombëtare, funksionon në grahmat e fundit, që e zbehin rolin e saj publik, hapësira të mbingarkuara me kuti bananesh, në të cilat gjendet pasuria shumëvjeçare e shqiptarëve, mungesë standardesh arkivore, dhe një mjedis që e largon lexuesin në vend që ta tërheqë.
Galeria Kombëtare e Arteve prej gati tri vitesh është jashtë funksionit. Ndërtesa është boshatisur nga veprat, ndërsa publiku veçanërisht brezi i ri është përjashtuar nga kontakti i drejtpërdrejtë me artin pamor.
Që prej vitit 2020,me urdhër të kryeministrit Edi Rama, Shqipëria ka mbetur pa Teatër Kombëtar. Salla e improvizuar në të ashtuquajturën godinën Arturbina nuk përmbush asnjë kusht për të ngjitur një vepër e për t’u shijuar nga publiku.
Në të njëjtën linjë mungese, fëmijët sot nuk kanë më cirk, për të shijuar numrat e shpejtësisë apo për të parë numrat e prestigjiatorëve, ndërsa hapësirat publike janë zëvendësuar nga spektakle politike që e banalizojnë nocionin e shfaqjes.
Një tjetër hapësirë shumë e rëndësishme kulturore, Muzeu Historik Kombëtar, ndonëse objekt debatesh simbolike dhe ndërhyrjesh sipërfaqësore, mbetet përherë larg vizitorit shqiptar dhe të huaj. Institucioni vijon të përballet me probleme të thella funksionale dhe mungesë strategjie afatgjatë. Mbyllja e të gjitha këtyre mjediseve të rëndësishme kulturore krijon një boshllëk shoqëror, që thellohet nga viti në vit. Pyetja që natyrshëm ngremë nuk është çfarë po humbasim, por çfarë po ndërtojmë në vend të kulturës dhe artit.
Është e udhës që institucionet shtetërore e veçanërisht Ministria e Kulturës, të hartojë një plan të qartë për t’i shpëtuar këto hapësira nga ky zgrip i gjatë, që i ka pushtuar prej vitesh.
© SYRI.net