Korça, qyteti i serenatave dhe muzikës qytetare, vazhdon të jetojë përmes njerëzve që i qëndrojnë besnikë artit.
Genti Llapanji, kitarist korçar, e ka kthyer kitarën në zërin e shpirtit të tij, një dashuri që lindi herët dhe u forcua me vite përkushtimi. Edhe pse ëndrra e parë ishte violina, kitara u bë rruga e tij artistike.
Në zemër të Pazarit të Vjetër, Genti ka hapur dyqanin e vetëm të kitarave në Korçë, një hapësirë që mungonte prej kohësh.
Më shumë se një dyqan, ai është një vend takimi për muzikantë, artdashës dhe turistë. Sidomos vizitorët mahniten nga atmosfera dhe tingulli që i jep jetë këtij ambienti.
Dashuria për kitarën ndihet në çdo detaj të punës së Gentit. Çdo instrument trajtohet me kujdes maksimal, sikur të kishte shpirtin e vet.
Edhe pse më parë riparimet bëheshin kryesisht në shtëpi, prej dy vitesh ky ambient i hapur ka krijuar një pikë referimi për komunitetin muzikor.
Korça njihet për kultivimin e artit brenda familjeve, ku muzika trashëgohet brez pas brezi. Kur kjo traditë bashkohet me talentin, arti perfeksionohet. Genti është shembulli i gjallë i kësaj fryme qytetare.
Hapja e këtij dyqani është një kontribut i rëndësishëm për identitetin kulturor të Korçës.
Në një kohë kur arti rrezikon të zbehet, iniciativa të tilla e mbajnë muzikën gjallë. Tingulli i kitarës së Gentit vazhdon të lidhë traditën me të ardhmen.
© SYRI.net