VIDEO-SYRI TV/ 2025-a viti i krizës së librit, panairi pati më pak tituj të rinj në qarkullim

17:39, 02/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Viti 2025 e thelloi krizën e librit, duke evidentuar rënien e interesit për lexim, aktivitetet e vakëta institucionale dhe një Panair me shumë vizitorë, por pak blerës e tituj të rinj. Kostot e larta të botimit, mungesa e librarive dhe politikat e pamjaftueshme publike e kanë vënë librin në një udhë pa drejtim, duke kërkuar ndërhyrje konkrete dhe afatgjata nga institucionet.

Nga Egla Xhemalaj-SYRI TV

Viti 2025 shënoi për librin një thellim të asaj, që prej kohësh përflitej nga studiues, profesorë dhe lexues, bjerrjen e interesit ndaj librit. Vitit i shkuar qe një shëmbëlltyrë e asaj që tregon se si libri, dikur i parapëlqyeri i njerëzve për të kaluar kohë cilësore, tashmë duket i largët, shpesh i paarritshëm.

Në vrullin e dinamikave të një vitit, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit pati një veprimtari të vakët, me aktivitete të cilat më së shumti tregojnë se janë mbajtur thjeshtë dhe vetëm për procedurë, pa pasur thellësi, pa ftuar shpesh edhe profesionistë të fushës, pa dashur të transmetojnë diçka te brezat e rinj.

Më tej, Panairi i Librit vërtetoi atë që prej kohësh ishte ngritur si problematikë mbytëse për librin, pati shumë vizitorë, por pak, shumë pak dëshirë për blerje të titujve. Botuesit përgjatë maratonës së atyre ditëve ngritën një sërë shqetësimesh.

Panairi pati më pak tituj të rinj në qarkullim një pasqyrim i drejtpërdrejtë i krizës ekonomike, emigracionit dhe rritjes së kostove të botimit, që po e vështirësojnë ndjeshëm tregun e librit.

Krahas problemeve strukturore të tregut, Drejtuesi i Shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri vuri në dukje mungesën e librarive në shumë qytete dhe faktin që bibliotekat publike nuk furnizohen , çka ndikon si te lexuesit, ashtu edhe te botuesit.

Ajo që nuk u bë në 2025, mbetet detyrë e institucioneve shtetërore që duhet të ndërmarrin politika konkrete dhe afatgjata që mbështesin kulturën e leximit, dhe librin që rrezikon të mbetet në një udhë pa drejtim.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco