Pallati i Kongreseve shndërrohet në epiqendrën e artit shqiptar. Ka startuar mbrëmjen e sotme edicioni i 64-t i Festivalit të Këngës, që është edhe festa më e madhe e muzikës së lehtë shqiptare.
Si ngjarja më e rëndësishme muzikore mbarëkombëtare, ky festival nuk është thjesht një garë, por edhe një festë e muzikës që bashkon shqiptarët kudo ku ndodhen, nga trojet në diasporë.
Fest 64 vjen që në natën e parë si një kulminacion i punës kolosale të një ekipi profesionistësh. Skenografia e kuruar me detaje, regjia televizive që do të kap çdo emocion dhe kostumografia që i jep shkëlqim çdo artisti, për të krijuar një atmosferë “Neo Albania Future”.
Gjatë katër netëve (17-20 dhjetor), 28 artistë do të interpretojnë drejtpërdrejt, në një garë që këtë vit nuk synon vetëm fitoren, por edhe një transformim modern të traditës shqiptare.
Elhaida Dani në një rol të dyfishtë
Nata e parë ka nisur me një moment kulminant. Drejtoresha artistike e festivalit, Elhaida Dani, e cila këtë vit mban peshën e kurimit të të gjithë eventit, çeli skenën me një performancë që kombinoi fuqinë e saj vokale me elegancën skenike.
Salsano Rrapi dhe Arilena Ara
Spektakli po moderohet nga dyshja: aktori Salsano Rrapi dhe këngëtarja Arilena Ara. Për Salsanon, ky festival është një “brand” që i ka mbijetuar çdo kohe.
Nga ana tjetër, Arilena ka premtuar një frymë moderne, të ngjashme me stilin e platformave globale si ‘MTV’.
Nata e parë mes zërave të rinj dhe surprizave
Në këtë natë të parë, 14 artistë do të prezantojnë krijimet e tyre, duke shfaqur një ndërthurje të larmishme zhanresh. Nga baladat deri te rrymat më bashkëkohore, skena e Fest 64 do të jetë dëshmitare e debutimeve emocionuese dhe rikthimeve të emrave të njohur.
Struktura e netëve dhe votimi
Festivali është i ndarë në katër faza kyçe:
Nata 1 & 2, prezantimi i 28 këngëve konkurruese.
Nata 3 (nostalgjia), këngë që kanë bërë historinë, të riorkestruara me frymë moderne nga dirigjentët Kapedani, Qinami dhe Ademaj.
Nata 4 (finalja), shpallja e fituesit që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026 në Austri.
Sistemi i votimit
Për të garantuar transparencë, fituesi do të përcaktohet nga formula 50% votat e jurisë dhe 50% votat e publikut përmes SMS-ve (Vodafone/One në Shqipëri dhe IPKO/Vala në Kosovë).
Emrat e mëdhenj të ftuar në netët e Fest 64
Përveç garës, skenaristi i Fest 64 Koloreto Cukali ka premtuar momente të jashtëzakonshme në spektakël.
Bleona Qereti rikthehet pas 30 vitesh në skenën ku nisi karrierën me këngën “Lërmëni”, ndërsa personazhi provokues i Eurovision, Tommy Cash, pritet të dhurojë energji të jashtëzakonshme në natën finale.
Listës së të ftuarve i shtohen edhe Ramë Lahaj, Elsa Lila, Aleksandër Gjoka dhe Vlashent Sata.
Ndërkohë, emocionet e vërteta “në prapaskenë” do t’i sjellin për publikun Andri Xhahu dhe Antoneta Koci, të cilët do të shoqërojnë artistët në momentet e ankthit dhe gëzimit para dhe pas performancës.
Artistët e natës së parë që ngjiten në skenë:
Rigersa Loka – “Albanian Heart”
Lorenc Hasrama – “Lamtumirë”
Sara Kapo – “Të dua shumë”
Sheila – “Zemra e tokës”
Kleansa Susa – “Hije”
Gresa Gjoçera & Bledi Kaso – “Busulla e zemrës”
Rezarta Smaja – “Balukeprera”
Ghiti – “Okej”
Lynx – “Nuk kthehem pas”
Erand Sojli – “Të kam në fron”
Inis Neziri – “Ta kam fal”
Kimi – “Prapë diell del”
Alis – “Nan”
Enxhi Nasufi – “Dritë”
© SYRI.net