Gjirokastra po feston fundvitin me një program të pasur aktivitetesh kulturore, ku shfaqja festive e Cirkut Kombëtar dhe koncertet muzikore kanë tërhequr publikun e të gjitha moshave. Aktivitetet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke gjallëruar qytetin dhe duke tërhequr turistë gjatë sezonit dimëror.
Syri TV
Një program i pasur aktivitetesh kulturore dhe artistike po gjallëron qytetin e Gjirokastrës në këtë atmosferë festash të fundvitit. Qyteti i gurtë është shndërruar në një hapësirë emocionesh, ku arti dhe muzika bashkojnë publikun e të gjitha moshave. Trupa e Cirkut Kombëtar solli në Gjirokastër një shfaqje festive, duke dhuruar momente argëtimi dhe duke tërhequr vëmendjen e fëmijëve dhe të rriturve.
E veçantë ishte edhe mbrëmja muzikore e artistëve të ardhur nga Italia. Në skenën artistike në zonën muzeale, ata interpretuan pjesë operistike dhe muzikë nga filmat e njohur, duke krijuar një atmosferë magjike për artdashësit.
Aktivitetet kulturore do të vijojnë përgjatë ditëve të festave, duke gjallëruar jetën artistike të qytetit dhe duke tërhequr edhe turistët që zgjedhin të vizitojnë Gjirokastrën gjatë stinës së dimrit.
© SYRI.net