Anila Hetoja, dizajnere interieri dhe piktore, nga studioja “Kafe Shqeto”, komentoi suksesin e artistëve shqiptarë në edicionin e këtij viti të ‘Art Charm 2025’, duke theksuar: “Pa kuptimin dhe bazën klasike, nuk mund të ndërtohet asnjë art i qëndrueshëm.”

Hetoja tha se për çdo artist i ri është thelbësore të kalojë përmes pikturës klasike para se të eksperimentojë me stilin abstrakt.
“Unë qëkur kam filluar, kam nisur me klasiken, me portretet, me anën vizuale. Kjo është njësoj si të dish të shkruash, por të mos dish të përdorësh kompjuterin”, theksoi ajo.
Sipas Hetojës, rinia e sotme shpesh kërkon të shprehet direkt me teknologjinë, duke shkruar apo krijuar në kompjuter, por ajo nënvizon se klasikja mbetet baza e çdo arti, dhe pavarësisht kohës dhe trendeve, ajo duhet të ruhet si themel i formimit artistik.
Hetoja shtoi gjithashtu sfidat që përballen artistët në Shqipëri, duke përmendur mungesën e hapësirave dhe vlerësimin e pamjaftueshëm të talenteve të mëdhenj, si Saimir Strati, i cili edhe pse është 11 herë në Rekordet Guinness, nuk ka një galeri personale ku të ekspozojë krijimet e tij.

“Çfarë mund të presim ne, artistë më të rinj, nga ky shembull i madh?” pyeti Hetoja, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes institucionale dhe vlerësimit të artit.
Ajo përfundoi duke theksuar se arti nuk është vetëm shprehje individuale, por edhe një urë lidhëse mes shteteve, dhe se pa art nuk mund të ketë një shtet të fuqishëm dhe të njohur ndërkombëtarisht.

Anila Hetoja:
"Unë në fakt, në fillimet e mia, një artist nëse nuk kalon përmes pikturës klasike, është e vështirë që të kalojë tek abstrakti. Unë qëkur kam filluar, kam nisur me klasiken, me portretet, me anën vizuale, ashtu edhe Linda.
Kjo është njësoj si të thuash: të dish të shkruash, por të mos dish të përdorësh kompjuterin.
E njëjta gjë po bëjnë sot të rinjtë, nuk duan të shkruajnë me dorë, por shkruajnë në kompjuter. Është një art bashkëkohor, por unë do të them që, vërtet mund t’i rezistojmë kohës, ama klasikja mbetet klasike, dhe kudo që të shkojmë, tek baza do mbetemi përsëri.
Në Shqipëri, sigurisht nuk ndihesh i vlerësuar sa i përket një artisti. Nëse ne duam të flasim për artistë të mëdhenj, p.sh. Saimir Strati, i cili nuk ka një galeri të tijën ku të ekspozojë krijimet e veta, edhe pse është 11 herë në rekordet Guinness.
Çfarë mund të presim ne, artistë më të rinj se ky artist kaq i madh?! Do ishte shumë më mirë, jo vetëm tek vlerësimi i politikës, por edhe tek arti, sepse pa art nuk mund të kesh asnjë shtet të fuqishëm. Sepse kudo që të shkojmë e të përfaqësohemi, themi se jemi shqiptarë.
Arti është urë lidhëse dhe e fortë mes shteteve!"
© SYRI.net